Aktualitet20 Shtator 2018, 09:34

Shkruar nga Pamfleti

Arta Marku raporton për kriminalitetin në Parlament, po dublon ministrin e Brendshëm Xhafaj dhe ka “harruar” hetimin e Gërdecit, 21 janarit e CEZ?!

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme nuk do të raportojë në Kuvend për ecurinë e hetimit për dosjet e mëdha dhe të implikuarit kryesorë në këto dosje duke filluar nga Berisha, Meta, Basha e deri tek Rama dhe ministrat e tij, por për gjendjen e kriminalitetit në vend. Tentativë për të shmangur publikimin e dështimit të organit të akuzës apo Rama nuk e sheh më me sy Xhafajn?!

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku rikthehet nesër në Kuvend, vetëm nëntë muaj pas zgjedhjes së saj në krye të organit të akuzës.

Shumë shpresa ishin varur mbi supet e kësaj gruaje, e cila u cilësua në atë kohë e fortë, e sertë dhe e vendosur për të hapur dosjet e mëdha, për t’i hetuar dhe për t’i çuar në gjykatë.

I dhanë shumë epitete, ku mbizotëronte fjala “e fortë” dhe “e hekurt”, duke besuar se për të gjithë ata që kishin abuzuar me pushtetin dhe ishin të lidhur me krimin, tashmë kishte filluar “malorja”.

Dhe raportimi sot në Parlament, teksa sheh vetëm titullin e lajmit, të krijohej përshtypja se Arta Marku, Kryeprokurore e përkohshme e Shqipërisë do të raportojë para deputetëve për ecurinë e hetimit të dosjeve të mëdha, duke filluar me hetimin e “Rrugës së Kombit”.

Shteti ka humbur plot 230 milionë euro vetëm e vetëm nga abuzimi fillestar me këtë rrugë, ndërkohë që vijon të paguajë ditë pas dite dhe deri më tani shpenzimi ka arritur në 1.8 miliardë euro dhe “s’kemi parë gjë akoma”.

Të gjithë kanë menduar se Arta Marku do të informojë Kuvendin dhe nga podiumi i tij dhe qytetarët shqiptarë për ecurinë e hetimit të dosjes së “Gërdecit” ku u vranë 26 persona nga shpërthimi shtetëror, “21 janarin” ku u vranë 4 demonstrues nga Garda, 700 mijë eurot e Ilir Metës, aferën e CEZ-DIA ku shteti humbi plot 500 milionë euro, apo dosje të tjera.

Kanë menduar ndoshta se do të zbardhet dhe hetimi i koncesioneve në shëndetësi të ish ministrit të Ramës, apo korrupsionit në arsim dhe dikastere të tjera nga ministrat e qeverisë së PS.

Por na erdhi zhgënjimi i madh, pasi Arta Marku Prokurorja e Përgjithshme nuk do të raportojë në Kuvend për hetimin e dosjeve të mëdha dhe të vogla, por për …kriminalitetin në vend.

Në kalendarin e punimeve të Kuvendit, thuhet se: “Raporti vjetor i Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2017 (pdf) ( neni 103, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë), shprehet titullari i institucionit – deri në 60 minuta, shprehen komisionet: Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare; Pyetje; Diskutime (nëse kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi ose 10 deputetë”.

Teksa lexon kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe informacionit se për çfarë do të raportojë Arta Marku, nëse dikush do ta kalonte pa vënë re emërtesën e saj, do ta ngatërronte me patjetër me Ministrin e Brendshëm. Pasi për kriminalitetin në Shqipëri raporton ministri i Brendshëm dhe titullar i këtij institucioni është Fatmir Xhafaj.

Tani ose Arta Marku po dublon Fatmir Xhafajn në krye të Ministrisë së Brendshme teksa ka marrë përsipër të bëjë raportin vjetor të gjendjes së kriminalitetit në vend, ose ka ndonjë ngatërresë të madhe, për të shmangur raportimin për bllokimin e dosjeve të mëdha të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Pasi Kryeprokurorja Arta Marku, u zgjodh në detyrë më 18 dhjetor 2017 vetëm me votat e mazhorancës, pas përfundimit të mandatit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, sot nën hetim, pikërisht për të hetuar njerëzit e korruptuar dhe kriminelë.

Një fakt të tillë e ka përsëritur me të madhe dhe ambasadori amerikan në Tiranë, tashmë i larguar Donald Lu, dhe askund nuk është përmendur se Arta Marku mban përgjegjësi dhe për gjendjen e kriminalitetit në vend.

Vetëm nëse Rama kërkon të mos ia shohë më as sytë Xhafajt në Kuvend, mund të ndodhë kjo që Kryeprokurorja të dublojë Ministrin e Brendshëm. Megjithatë të presim e të shohim./Pamfleti

codramol
smile

Aktualitet 21 janarit e CEZ?! Arta Marku raporton për kriminalitetin në Parlament po dublon ministrin e Brendshëm Xhafaj dhe ka “harruar” hetimin e Gërdecit