Arta Marku raporton për punën e Llallës: Lufta kundër korrupsionit në vendnumuro

Arta Marku raporton për punën e Llallës: Lufta kundër korrupsionit në vendnumuro

Raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme për parlamentin zbulon se organi akuzës ka bërë pak përpjekje për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta gjatë vitit që shkoi.



Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku u përball të mërkurën me një sërë akuzash nga opozita për drejtimin e organit të akuzës, në krye të së cilit ajo u vendos në dhjetorin e vitit të kaluar.
Debatet e lindura mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës bënë që kryetari i Komisionin Parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja, ta mbyll seancën pa pasur një konkluzion përfundimtar të kryeprokurores mbi gjendjen e krimit në vend.

Megjithatë, në raportin e paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme, vihet re një tendencë në rritje të procedimeve penale të kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike ndërkohë që sa i përket veprës penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë gjatë vitit 2017 ka pasur vetëm 3 procedime penale.

Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në një seancë të tensionuar parlamentare në dhjetor 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj. 42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.
Në një raport me rreth 500 faqe Marku ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve aktivitetin e organit të akuzës për vitin që shkoi si dhe strategjinë e këtij institucioni për vitin 2018-2019.

Përplasje në Kuvend
Edhe pse e thirrur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për të raportuar mbi punën e organit të akuzës dhe gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2017, kryeprokurorja e përkohshme është vënë nën akuzë nga opozita për fatin e disa procedimeve penale që kanë krijuar debat në opinionin publik apo dhe transferimin e disa titullarëve të organit të akuzës.

Edi Paloka , nënkryetar i Partisë Demokratike i kërkoi informacion kryeprokurores mbi fatin e disa procedimeve penale për deputetë dhe ministra që sipas tij kanë qenë nën hetim.

“A ka prokuroria nën hetim deputetë apo ministra? A flitet për vepra për korrupsionin apo për krim të organizuar? Çfarë është bërë më këto dosje,” kërkoi të dinte Paloka, një pyetje kjo që nuk morri përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme.

Marku i kujtoi deputetëve se ishte e pranishme aty për raportin e vitit 2017, dhe se ndryshimet ligjore të organit të akuzës nuk i mundësonin asaj njohuri mbi çështjet nën hetim.

“Pyetja nuk ka lidhje me raportin që prezantova, por siç jeni në dijeni prokuroria ka pësuar ndryshime substacionale, nga një institucion i centralizuar është bërë i decentralizuar. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka target për të ndërhyrë apo dhe të ndërhy në hetime konkrete,” deklaroi Marku.

Të njëjtën përgjigje, Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme dha edhe kur u pyet se perse organi i akuzës nuk zbaton ligjin Antimafia për procedimin e nisur ndaj Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Unë nuk kam dijeni. Nuk kam informacion dhe nuk kam detyrim ligjor të kem një informacion të tillë.” tha Marku

Marku ju kërkuan sqarimi edhe për politikat organizative në prokurori të ndjekuara pas ardhjes në detyrë si kreu i akuzës.

“Përsa i përket emërimeve, gjatë ushtrimit të funksioneve të mia kam zbatuar me korrektesë Kushtetutën dhe Ligjin, kam zbatuar dispozitën tranzitore. Kam bërë caktime të përkohshme dhe kjo është në kompetencën që më lejojnë dispozitat kalimtare,” sqaroi Marku, duke shtuar se veprimtaria e saj kontrollohet nga gjykata dhe është certifikuar edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por përgjigjet e dhëna nga ana e Prokurores së Përgjithshme kanë irrituar deputetët e Partisë Demokatike në Komisionin e Ligjeve. Ata e akuzën kryeprokuroren se nuk po i përgjigjet pyetjeve çka shkakto debat mes anëtarëve të komisionit të ligjeve.

Me pretendimin se nga ana e deputetëve demokratë është thyer kodi i etikës, kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve Ulsi Manja mbylli seancën dëgjimore.

“Opozita nuk ka hallin për raportimin mbi krimin, ata kanë patur hallin të kenë prokurorin nën urdhëratat e tyre. Me këto shkelje flagrante të kodit të etikës e mbyll mbledhjen e komisionit,” deklaroi Manja.

Nënkryetari i Partisë Demokratike Paloka ju oërgjigj se vendimi ishte në shkelje të rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës.

“Mbylli në mënyrë krejtësisht të parregullt komisionin, ndërkohë që ishte në kulmin e pyetjeve të cilat po drejtoheshin nga deputetët e opozitës. Ata mund të vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë rast si në çdo rast tjetër, por të jenë të bindur si këta që e shkelin përditë rregulloren dhe Kushtetutën, si ajo që është vënë aty në shkelje të Kushtetutës, një ditë do të japin llogari,” tha Paloka.

Krimi në vend
Trafikimi i lëndëve narkotike, korrupsioni dhe ndërtimet pa leje janë veprat penale që përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara nga organi i akuzës për vitin 2017.

Sipas raportit të kryeprokurores Arta Marku lufta kundër korrupsionit është shpallur ndër prioritetet kryesore të prokurorisë, por kur bie fjala për procedimin e zyrtarëve të nivelit lartë shifrat tregojnë të kundërtën.

Për vitin 2017 vetëm 3 zyrtarë të lartë janë vënë nën akuzë ndërkohë që ka pasur një rritje të numrit të procedimeve për akuzën e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike.

“Janë filluar 12 procedime penale, ku veçojmë 3 procedime penale për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe 6 procedime penale për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë. Për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, organi i prokurorisë ka regjistruar 124 procedime penale, dhe janë dërguar në gjykatë 106 procedime penale,” thuhet në raport.

Duke u ndalur tek krimi i organizuar Marku deklaroi se prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime në kuadër të disa procedimeve për grupe të strukturuara kriminale të referuara kryesisht nga policia si dhe nga struktura të tjera ligj zbatuese.

Nga të dhënat e vitit 2017, rezulton se janë regjistruar 17 procedime penale me 34 të pandehur për vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

“8 procedime penale me 46 të pandehur janë dërguar në gjykatë dhe janë dënuar 30 të pandehur për këto vepra penale, shkruhet në raport.

Lidhur me veprat penale në fushën e narkotikëve, të dhënat statistikore tregojnë se procedimet e regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” janë rritur nga 1034 në 1193 procedime.

E pyetur nga deputetët për rolin e personave të proceduar për kryerjen e këtyre veprave penale, Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme tha se organi i akuzës nuk mbante statistika.
Një tjetër vepër penale që sipas statistikave ka pasur rritje në procedimet panele është ai i ndërtimeve pa leje.

Gjatë vitit 2017 organi i akuzës ka nisur 1987 procedime penale për veprën penale të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal “Ndërtimi i paligjshëm”, nga 893 procedime të nisura në vitin paraardhës.
Vrasjet dhe vjedhjet janë një tjetër krim, shifrat e të cilit shënojnë rritje sipas raportit të 2017, ndërsa në total janë mbyllur hetimet për 30036 çështje penale të përfshira në kodin e procedurës penale./birn/