Gazetari Artan Hoxha ka publikuar në “ABCnews” pamjet ekskluzive të autorit të dyshuar të atentatit ndaj Preng Gjinit, të ndodhur pak muaj më parë në Tiranë.
Sipas gazetarit, atentati i 15 shtatorit në mes të Tiranës ku mbeti i plagosur shtetasi Preng Gjini ka si autor një Italian. Ai ka publikuar disa foto ku i dyshuari si autor, shihet me flokë të gjata, kapele dhe me një çantë shpine.
Hoxha shpjegon se nga fotot e siguruara prej tij, autori i dyshuar që ka qenë në të njëjtin lokal me Preng Gjinin pak para atentatit, dhe më pas shihet edhe tek skena e krimit kur ka ndodhur shpërthmi, çfarë ka bërë të dyshohet se ai është vrasës me pagesë.
“Ky është autori i minës së telekomanduar të Preng Gjinit. Ky ka hyrë në lokal ka folur italisht, është me flokë të gjata, personi që shikoni në foto është një person i gjatë. Duket që është i shkujdesur. Ka qëndruar në të njëjtën objekt ku ka qëlluar Preng Gjini. Ka komunikuar në italisht.
Dhe ky personazh shfaqet mbrapa në skenën e krimit. Në pamjen tjetër ky shfaqet në një distancë jo më larg se 70 metër nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi. Ka pasur pamje vizive me viktimën. Ndalon një moment kur ka ndodhur shpërthimi. Tenton të afrohet pak, që a ka qenë i saktë dhe më pas shfaqet duke u larguar lirisht në pjesë e urës së Vasil Shantos.
Ikën në këmbë. Është te lokali ku ka ndenjur Gjini me kushëririn e vet, dhe te skena e krimit. Lëvizjet e tij të krijojnë dyshimet se ai është ekzekutori. Por identifikimi deri më tani nuk është bërë. Kemi të bëjmë me një atentator që dyshohet të jetë i huaj, pasi ka folur italisht”, u shpreh Hoxha.
Preng Gjini mbeti i plagosur nga shpërthimi i eksplozivit me telekomandë në makinën më të cilën po udhëtonte, ndërsa pista ku po hetohet është hakmarrja. Ngjarja ndodhi në zonën e Selitës në Tiranë.
Saga e mosmarrëveshje fillon me vrasjen e Kreshnik Gjinin në Belgjikë, Armando Gjini (vëllai i Preng Gjinit) në Rrëshen, Kastriot Reçi u godit me snajper, Gaspër Reçi në Romë.
Zanafilla ka qenë për prishje interesash për trafikun e lëndëve narkotike. Asnjë nga vrasjet e ndodhura në Belgjikë, Romë apo Rrëshen nuk është zbardhur.