Aktualitet21 Korrik 2019, 09:38

Asnjë kompomis!/Banorët largojnë firmën e HEC-ve: S’duam rrugë

Shkruar nga Pamfleti
Asnjë kompomis!/Banorët largojnë firmën e HEC-ve:

Asnjë kompomis!/Banorët largojnë firmën e HEC-ve: S’duam rrugë

Banorët e fshatit Kaçinar në Mirditë fillimisht kanë bërë një dëgjesë publike me administratorin e kompanisë “Shperdhaza Energji” Ndue Shkurti, por nuk kanë pranuar asnjë lloj kompromisi, ndërsa kanë kërkuar me çdo kusht largimin makinerive që po merren me ndërtimin e HEC-ve në zonën e Kaçinarit. Banorët, në deklaratat e tyre, kanë qenë të prerë se nuk do të lejojnë ndërtimin e asnjë HEC-i në këtë zonë.

“Firma, me mashtrimet e saj, ka nisur të ndërtojë rrugën që më pas të bëjë HEC-et, por ne i kemi paralajmëruar që nuk do t’i lejojmë në asnjë mënyrë, uji është i yni dhe nuk do t’ia lëmë askujt. Kësaj here i kemi larguar përfaqësuesit e firmës nga zona, herën tjetër do i kemi punët ndryshe, në Kaçinar nuk do të ndërtohet HEC”, deklaron Bardhok Çupi, njëri prej banorëve. Sipas tyre, ndërtimi i HEC-ve po bëhet pa lejen e banorëve, pasi mbi 95% e tyre janë kundër.

Ata thonë se kompania po përpiqet t’i joshë banorët, duke u ndërtuar fillimisht rrugën, në mënyrë që të tërhiqen nga kundërshtimet. “Rrugën nuk e duam që ta ndërtojnë ata. Ta lënë siç është”, shprehen ata. Shumë prej të rinjve të zonës që jetojnë në emigrim, janë kthyer për të protestuar për këtë që ata e cilësojnë “masakër”, pasi HECE-t u heqin banorëve pasurinë e vetme që kanë; ujin.

Banorët e fshatrave që preken nga ndërtimi i HECeve në Njësitë Administrative Kaçinar e Selitë në Mirditë protestuan edhe pak muaj më parë. Janë 4 HECE që janë parashikuar të ndërtohen në zonën e Kaçinarit në Mirditë. Sipas projektit, uji i përroit të fshatit do të futet në tuba për të prodhuar energji elektrike.

Koncesionet për ndërtimin e këtyre HECE-ve janë dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe banoret pretendojnë se nuk është marrë mendimi i komunitetit të kësaj zone për zbatimin e këtyre projekteve.

Siç kanë deklaruar edhe në protestat e zhvilluara në muajin prill, banorët janë të vendosur për të mos lejuar zbatimin e këtyre projekteve që dëmtojnë rëndë ekosistemin e kësaj zone. Në protestat e kaluara kundër ndërtimit të këtyre HECE-ve, banorët kanë paralajmëruar se do të përdorin çdo formë për të parandaluar një gjë të tillë.

Madje, një prej pensionistëve të zonës deklaroi se do t’ua hedhin në erë me tritol ndërtimet nëse investitorët nuk tërhiqen. Në fund të muajit mars, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, gjatë një takimi me banorët e zonës së Kurbneshit, deklaroi se do të anulohet vendimi për ndërtimin e dy HECE-ve mbi lumin e Urakës.

“Qeveria është shumë e ndjeshme ndaj kërkesave të komunitetit dhe duke qenë se kjo zonë është shpallur një zonë e mbrojtur, këtu nuk do të lejohet ndërtimi i këtyre dy HECE-ve. Kjo është një zonë e mbrojtur, kështu që dhe në të ardhmen ju nuk do keni problematika të tjera”, u shpreh Balluku.

Por, pas kësaj deklarate, deri tani nuk ka pasur ende asnjë vendim zyrtar nga ana e qeverisë.

Aktualitet Asnjë kompomis!/Banorët largojnë firmën e HEC-ve: S’duam rrugë