Aktualitet 5 Maj 2018, 13:56

Atentatori i Enver Hoxhës

Shkruar nga Pamfleti
Atentatori i Enver Hoxhës

Atentatori i Enver Hoxhës

Në këtë pjesë të katërt të intervistës me ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit, rezident në Paris, Hasan Luçi përshkruhen aktet terroriste që ballisto-zogistët e arratisur kanë kryer brenda Shqipërisë kur u hodhën si diversantë. Luçi është mjaft i besueshëm në ato që thotë, pasi flet me shifra dhe fakte që nuk i kundërshton dot. Këtu do të flitet edhe për një nga përpjekjet më të guximshme të agjentëve për të vrarë Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë komuniste.

Është një nga historitë sa të pabesueshme aq edhe e panjohur që kam dëgjuar në jetën time si gazetar. Është historia e Avdyl Banushit, atij ballistit të arratisur që hodhi bomba në ambasadën tonë në Romë. Një nga veprimtarët më aktivë kundër regjimit komunist në Shqipëri. Por edhe një trim i tërbuar dhe i paepur nga Golemi i Gjirokastrës. Kulmi është se kjo histori ka ndodhur gati një dekadë më përpara se të zbarkonte banda e Xhevdet Mustafës.

Ishte Avdyl Banushi që ka qenë shumë më pranë se paraardhësit dhe pasardhësit e tij terroristë për të vrarë Enver Hoxhën. Kjo ka ndodhur në vitin 1974, pikërisht kur Shqipëria kremtonte 30-vjetorin e çlirimit të vendit. Askush nuk mund ta merrte me mend, se pikërisht për të ndenjur para tribunës në atë ditë, ishin nisur që nga Nju Jorku një grup diversiv antikomunist, i kryesuar nga Avdyl Banushi. Ai dhe shokët e tij kishte mbërritur me bomba në xhep te Parku Rinia, madje kishin zënë strehë pikërisht në një apartament në bodrumet e pallateve të Shallvareve.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti Luçi, është folur vazhdimisht se bandat diversioniste që hidheshin nga jashtë, kanë kryer edhe akte terroriste. Mund të na përmendni se ku konsistonin këto akte?

– Po ata për terrorizëm vinin këtu. Në atë kohë ata kryen disa akte terroriste si vënie zjarri në naftë në Kuçovë, djegie kooperativash, vënie zjarri shtëpive të rinisë, djegie banesash të patriotëve kooperativistë etj. Në këtë luftë pati sukses loja e zhvilluar me anën e Frontit të Rezistencës dhe amnistia e vitit 1949, megjithëse në veri kjo nuk dha rezultatet e pritura. Kështu në vitin 1951 veprimtaria e bandave të armatosura arriti kulmin, një pjesë e të cilave ishin të përbëra me diversantë të jashtëm, që së bashku organizuan 135 aksione si vrasje, plaçkitje, djegie, propagadë, spiunazh etj.

Në fakt në 1950 kishte 114 banditë, nga të cilët 30 diversantë të ardhur nga jashtë, kurse në 1951 vetëm UDB- a dërgoi 450 diversantë. CIA dërgoi bandën e Curr Pajës nga Greqia. Kështu më 1951 vepronin mbi 475 banditë, prej të cilëve një pjesë ish diversantë të ardhur nga jashtë dhe pjesa kryesore banditë që vepronin nga brenda. Por si rezultat i masave të marra u kryen operacione spastrimi në të gjithë vendin dhe u asgjësuan 144 banditë. Për të përtërirë bandat e dëmtuara që pësuan në vitin 1951 edhe në 1952 spiunazhet e huaja vazhduan hedhjen e bandave diversioniste.

Në 1952, pasi veproi nën urdhrat e anglezëve deri në 1951, A. Zogu vihet në lidhje me drejtuesit e ClA-s dhe vuri në dispozicion të saj njerëzit e tij më të besuar Zenel Shehun dhe Halil Branicën, të cilët më 1 maj 1952 u futën në Shqipëri, ku u kapën menjëherë dhe pasi u mësua misioni i tyre e planet e anglo – amerikanëve, u bë objekt i lojës “Liqeni i Vajkalit” vazhduar nga Sigurimi i Shtetit për 17 muaj rresht. CIA i dha përparësi bazave në Greqi në atë kohë.

Atentatori i Enver Hoxhës

Lojat me spiunazhet e huaja ishin suksese të punës vetëmohuese të shumë punonjësve trima legjendarë të Sigurimit të Shtetit e të mbështetjes së fuqishme nga masa e popullit. Edhe në vitin 1953 nën diktatin e huaj, reaksioni i jashtëm bëri edhe një përpjekje për aktivizimin e bandave duke dërguar kriminelin e njohur Hamit Matjani e grupe të tjera diversioniste. Për të parë se si dëgjohej në Shqipëri radiopërhapja e CIA-s në ishujt Kalasinia (Greqi) në vitet 1952 – 1953, një zbulues anglez kujton se anijet e CIA-s e SIS-it bënin disa udhëtime nga Greqia deri në kufirin jugosllav me diversantë brenda për të dëgjuar transmetimet në gjuhën shqipe dhe për të njoftuar për efektin e tyre.

– Pas viteve ’90 është bërë i njohur se ka pasur një plan për të vrarë Enver Hoxhën në mesin e viteve ’70. Pse dështoi ai plan?

– Nuk ka pasur vetëm një plan, por disa. Enver Hoxha ishte i pari që ishte në krye të listës për t’u vrarë. Po le të shikojmë planin për të cilën më pyetët. Ishte nëntori i vitit 1974. Shqipëria komuniste kishte kohë që priste të festonte me madhështi 30-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Më së shumti ajo atmosferë ndjehej te banorët e kryeqytetit, të cilët prej ditësh mbushnin gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të parë provat e përgatitjes së kuadrateve me ushtarakë që do të demonstronin para Enver Hoxhës në ditën e 29-të të muajit, e cilësuar si dita jubilare e çlirimit.

Në vëmendjen kryesore, ku rrinte dhe komisioni i përgatitjes së paradës së madhe, ishte pikërisht tribuna madhështore e ndërtuar prej më se 10 ditësh para hotel “Dajtit’, mbi të cilën në ditën e caktuar do të dilte Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe udhëheqësit e tjerë. Aty ishte menduar të bëhej një masakër e paparë ndonjëherë për të vrarë jo vetëm Enverin, por edhe të tjerët që ndodheshin në tribunë…

– Si e morët vesh planin e atentatit kundër Enver Hoxhës?

– Ua kam thënë dhe nuk është sekret se Sigurimi ynë ka pasur bashkëpunëtorët e vet në çdo organizatë e grup të mërgatës politike të shqiptarëve të arratisur, duke filluar nga ata ekonomikë, kosovarë dhe nga njerëz me të vërtetë atdhetarë që u dhimbsej me të vërtet populli i tyre. Më 30 prill 1974 unë mora informacionin se “Fronti i rezistencës kish marrë vendim që ai vit të ishte viti i aksioneve konkrete në Shqipëri ku të angazhoheshin të gjithë luftëtarët e lirisë.

Pikërisht aty u mor një vendim për të kryer detyrën më speciale që mund të ishte kryer ndonjëherë deri në atë moment. Të eliminohej fizikisht Enver Hoxha. Dhe më e veçanta akoma ishte se për atë detyrë nuk u caktuan njerëz të përgatitur në shkolla të rastit, por u caktuan pesë djem të fuqishëm me në krye siç dhe e kemi përmendur Avdyl Banushin.

– Ky ishte ai që hodhi bombën në ambasadën tonë në Romë?

– Dora vetë. Ai ishte autori i eksplozivit që ishte vënë në ambasadën tonë pak muaj më parë si merrej ai vendim ashtu siç do të bënte mbi ambasadën tonë në Itali apo të përsëriste aktin terrorist mbi ambasadën tonë në Paris. Avdyl Banushi ishte shumë i vendosur dhe i betuar për të realizuar detyrat. Ishte aktiv dhe i rrezikshëm. Kishte dhe një nuhatje natyrale të madhe, pra ishte i zgjuar. Është e çuditshme se si u bë armiku ynë ky njeri.

Gjatë luftës kishte qenë me rininë e Ballit, e arrestuan gjermanët dhe e çuan në kampin e shfarosjes në masa në Dakau. Nuk e di si shpëtoi dhe u kthye në Shqipëri. Pastaj u arratis… Me një fjalë ai së bashku me shokët bëheshin kamikazë të vërtetë. Por kjo gjë ishte shqetësuese pasi siç e shikon kishe të bëje me një njeri që e kishte ndarë mendjen për ta kryer me doemos atë akt. Unë dija që ishte nga Golemi i Gjirokastrës dhe në kohë të luftës kishte qenë me rininë balliste.

Pas çlirimit kishte qenë për shumë vite i dënuar në burgun e Burrelit. Por dija se kishte qenë shumë i papërkulur dhe nuk bënte as një kompromis për të lehtësuar veten. I ofruam të bëhej bashkëpunëtor i yni dhe t’ia lehtësonim dënimin, por ai nuk pranoi. Këta njerëz kur u ngarkon detyra bëhen shumë të rrezikshëm. Avdyl Banushi kishte hyrë shumë herë në Shqipëri dhe ishte kthyer shëndoshë e mirë. Madje pak para se të merrej ai vendim, pra punë muajsh ai kishte hyrë në Shqipëri. Kishte ndaluar në shumë rrethe dhe kishte aktivizuar të gjithë elementët e vet.

Kishte shkuar në Gjirokastër, Vlorë, Dukat, Fier, madje edhe në fermën Çlirim ku kishte qenë dikur i internuar në atë zonë, Durrës, Tiranë, Macukull të Burrelit dhe pastaj kishte dalë sërish jashtë kufirit. Ai kishte baza jashtë shtetit dhe brenda Shqipërisë. Jashtë shtetit kishte te shqiptarët e arratisur. Në Shqipëri kishte baza tek familje të pakënaqura nga regjimi. Në Lushnjë kishte bazën “GODO”. Në Durrës ishte baza “CERLOI”, në Tiranë ishte baza “BINERI”. Madje në bazën “Bineri” që i përkiste familjes së Sami Binerit, u formua dhe dega “Fronti i Rezistencës” për Tiranën, madje aty do të strehoheshin edhe më mbrapa kur donin të vrisnin Enverin.

– Cili ishte aksioni i Sigurimit të Shtetit për të penguar vrasjen e Enverit?

-Ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Unë për vete kam kaluar momentet më të rënda të jetës sime. Nuk ishte e thjeshtë. Përfytyro ç’mund të bëjë CIA sot në qoftë se rrezikohet jeta e Presidentit Trump apo ç’mund të bëjë KGB-ja për Presidentin Putin etj. Neve na rrezikohej udhëheqësi më i shtrenjtë të cilit i ishim mirënjohës për gjithë ato vepra që kishte bërë për vendin dhe popullin. Më dilte gjumi natën. Nuk ngopesha me frymë. Mendoja se pavarësisht se do të merrnim masat më ekstreme, por po të mos ia arrinim dot ta mbronim. Po sikur të ndodhte…?! Ky tmerr u shtua më tepër kur u informuam se për këtë mision ishte marrë edhe miratimi i amerikanëve.

– Pse kishin edhe amerikanët dijeni për këtë akt?

– Po. Sekretari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Mexhit Dibra u takua me majorin Tomas Smith dhe i bëri të qartë planin ku mori edhe miratimin e tij. Unë mësova se majori Smith u kishte thënë se siguria e Enver Hoxhës ishte perfekte, por Mexhiti i ishte përgjigjur se ky aksion ishte marrë përsipër nga Avdyl Banushi të cilin ata e njihnin shumë mirë madje dhe e kishin paralajmëruar të mos hidhte më eksploziv në ambasadat shqiptare në Europë, pasi ishin akte terroriste. Kështu që si mësova edhe këtë miratim të fundit mua s’më ngelej gjë tjetër, por të mbaja në vëzhgim Avdylin në të gjitha lëvizjet e tij. Ndërkohë që informova Tiranën.

– Si mbikëqyrët ju operacionin apo aksionin e Banushit?

– Unë njoftova Tiranën. Kam njoftuar direkt Kadri Hazbiun, ndërkohë që detyrë tjetër kisha të ndiqja objektivin në të gjithë lëvizjen e tij dhe të mbaja në korrent Kadriun me anë kodesh të shifruara. Ka qenë 20 nëntor 1974 kur unë mora sinjalin se ata u nisën nga SHBA-ja. Ndërkohë që mësova mbërritjen në Prevezë të Greqisë. Dy ditë më mbrapa pikërisht në 22 nëntor mora sinjalin se mbërritën në Çamëri. Unë pas çdo informacioni i raportoja Tiranës. Në të vërtetë sipas informacionit që kishim siguruar për planin e lëvizjes së tyre prisnim që ai të futej nga “Kepi i Stillos”.

Për këtë njoftuam dhe ajo zonë siç mësohet u bë “blind”. Madje për parantezë po të them se edhe vetë Avdyli kur ka dhënë në vitin 2002 një intervistë deklaron se kur erdhi në Çamëri dhe u ngjit malit të Stillos kishte vënë re brenda tokës shqiptare lëvizje të shumta ku kishte kuptuar saktësisht se përkëtej kufirit ishte dhënë informacioni për të. Ai ishte bindur se ishte në vëzhgim prandaj bëri të pamundurën për t’i humbur atij që ndiqte lëvizjet. Kështu ndërroi planin e lëvizjes gjë që kush mund të informonte nuk dinte për çfarë.

– Dhe më tej, si hynë dhe nga hynë ata në Shqipëri?

– Ndërsa prisnim të hynte në “Kepin e Stillos”, arritëm të merrnim informacionin se hynë në zonën e minoritetit të Sarandës. Pas kësaj nuk mësuam dot asgjë derisa hyri në Tiranë. Kur ai mbërriti në Tiranë, menjëherë morëm sinjalin “Hyri”. Menjëherë njoftova Kadri Hazbiun.

– Si është e mundur që nuk e ndoqët dot brenda territorit shqiptar?

– Unë sapo thashë se ai ishte shumë i zgjuar dhe si mësoi se ndiqej gjë që e pa sa hyri në Shqipëri ai mundi t’i fshihte mirë gjurmët. Kjo bëri që të shpëtonte dhe pavarësisht se nuk e kreu dot misionin arriti të kthehet shëndoshë e mirë në Paris dhe Nju Jork. Më mbrapa, pas viteve 90, kur kam takuar Avdylin dhe atëherë si u kthyen pas misionit të pakryer kam mësuar se ai si kishte hyrë në kufirin shqiptar kishte mbërritur në fshatin Aliko të Sarandës.

Kanë fjetur në atë fshat te djali i njërit prej anëtarëve të “Frontit të Rezistencës” që ishte dhëndëri i Kryetarit të Kooperativës me profesion shofer. Të nesërmen të ndihmuar nga i zoti i shtëpisë ku kishin bujtur, i çoi deri në Gjirokastër. Prej andej me autobus arritën që në mbrëmje të shkonin në bazën e tyre te Shallvaret që i raportova unë Kadriut. Vetëm kur u kthyen nga Shqipëria, unë mësova se ata kishin qenë në familjen “Bineri”. Udhëtimi i tyre sigurisht kishte qenë i vështirë pasi informacioni ishte dhënë i saktë.

– Pse dështoi atentati?

-Natën e fundit të paradës tribuna e saj u largua nga vendi që ishte montuar prej dy javësh para hotel ‘Dajtit’ dhe u vendos para Kryeministrisë. Si nuk u kap dot Avdyli, ata mësuan se ishin në kërkim madje siç më ka thënë edhe pak kohë para se të vdiste, pothuajse ishte zbuluar se kur u kthye në shtëpi ku kishte bujtur, mësoi se roja që kishin lënë kishte parë njerëz të dyshimtë që ai besonte se ishin të sigurimit që vrojtonin me vëmendje. Kështu që reaguan menjëherë. Nga baza “Bineri” në mesnatë përfunduan në Ndroq pikërisht në familjen “Mancaku”.

Prej andej ai ishte rikthyer të nesërmen në Tiranë nëse mund të kryente misionin e dytë të hidhte eksploziv në Ambasadën Kineze. Siç më ka thënë kohët e fundit si shkoi te Ambasada e Kinës pa se ishte gardh me policë, pasi ishte përballë RTSH-së dhe shumë institucioneve. Kështu që ishte larguar pa kryer asgjë. Ishte lidhur me shefat e tij dhe i dërguan mjet nënujor për ta rimarrë në bazë.

– Po pastaj ku shkoi dhe si veproi?

– Mundi të fshihet mirë. Nuk u mësua asgjë. Unë ngela te momenti që është në Tiranë dhe është te Shallvaret dhe kaq. Vetëm pasi u rikthye në bazë unë munda të mësoja atë çka kishte ndodhur. Vetëm dy muaj më mbrapa si dështoi me misionin e parë për vrasjen e Enver Hoxhës dhe hedhjen e eksplozivit në Ambasadën Kineze, madje si kishte shpërthyer dy ambasadat tona në Paris dhe në Itali, Avdyl Banushi u përgatit të hynte sërish në Shqipëri.

Këtë herë do të hidhte në erë bustin e Leninit dhe të Stalinit. Por këtë herë ishte një kombinacion agjenturor ai që bëri që Avdyli të arrestohet i gjallë. Kjo u arrit nga zbuluesit tanë në Amerikë. Unë e kisha shumë të vështirë ta gjeja se isha në Francë. Atë kombinim e organizoi Rezidenti i Sigurimit në Amerikë, Sokrat Çomo, i cili ishte prezantuar si diplomat pasi ishte në OKB.

– Më thatë se jeni takuar me të pas vitit 1990, madje dhe kini pirë kafe me të. Si ishte komunikimi midis dy armiqve të dikurshëm?

– Jam takuar tre-katër herë pas 90-s me të e kemi pirë kafe te Sheshi Shopen, aty prapa Institutit të Arteve. Mund të them se ishte një takim normal. I hapëm kartërat. Kur i thashë se në radhët e tyre ne kishim agjentët tanë, filanin e filanin e filanin, ku merreshin vendimet më të rëndësishme,ai vuri duart në kokë. Edhe ai që e solli këtu kur e arrestuam ishte agjenti ynë.

Mirëpo vija re se nuk kishte asnjë shenjë pendese. Prapë po të jem në ato kushte, ashtu do të veproja, më tha. I kishte mbetur vetëm një peng i madh: Gjatë viteve kur kishte punuar si agjent i amerikanëve ai paguhej mirë dhe dollarët i kalonin në një bankë atj. Ishin 150 mijë dollarë. Priti t’i merrte kur doli nga burgu pas 90-s, por nuk i mori kurrë. Madje nuk i dhanë as vizë të shkonte as në Amerikë, dhe as në ndonjë vend tjetër. Vdiq në mjerim aty pas disa viteve…

Dossier Atentatori i Enver Hoxhës