Editorial24 Mars 2019, 18:10

Aventura “erdoganiste” e Edi Ramës dhe heshtja e “Orhan Pamuk”-ëve shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
Aventura “erdoganiste” e Edi Ramës dhe heshtja e “Orhan

Aventura “erdoganiste” e Edi Ramës dhe heshtja e “Orhan Pamuk”-ëve shqiptarë

Edhe pas 30 vitesh përmbysje të diktaturës së egër, personalitetet publike shqiptare, bëjnë “namin” kundër të keqes poltiko-shtetërore që ka kapur vendin e popullin, por duke folur vetëm brenda “trurit”, vilave, apartamenteve, zyrave, makinave, kafeneve e nën jorganët e dhomave të gjumit, ndërsa publikisht bëjnë “nani-nani”, mbasi ua ka “qepur gojën” rehatia e luksi që kanë siguruar ose u kanë dhënë, frika dhe joshjet e dukshme e të padukshme prej pushtetit

Çdo intelektual shqiptar, mund të gjejë një mesazh guximi e ndërgjegjësimi publik, në intervistën e Orhan Pamuk, personalitet i letrave e mendimit të lirë intelektual turk, dhënë revistës franceze “Le Point”, ku flet hapur, fort dhe realisht për “sulltanizmin” arbitrar e anti-kombëtar në vendin e tij.

Flet për gjendjen e rënduar social-politike, me pasojë shoqërinë e traumatizuar, shtetin e kapur nga mafia, inteligjencën e frikësuar, korrupsionin, presionin dhe represionin shtetëror kundër medias e fjalës së lirë në Turqi, deri tjetërsimin e administratës publike, në “armatë” paradash robotike, duartrokitje verbale për kultin e Erdoganit dhe pushtetit të tij.

Edhe Shqipëria, ka sundim të llojit “erdoganist”, por ka edhe “Orhan Pamuk”, me qëndrim brenda e jashtë territorit zyrtar, që kanë mendësi moderne e kontakt aktiv me shoqëritë dhe politikat e demokracisë perëndimore, por ende askush prej tyre, nuk po reagon për gjendjen rënduar shqiptare, tipike si në Turqi, që ka shkaktuar “erdoganisti” Edi Rama.

Manifesti me përmbajte demagogjike, arrogancë e poza prej “Monarku” të para 500 viteve, që lexoi i gjithë-pushtetshmi Rama, në manifestimin e cilësuar “kongres partie”, por edhe armata duar-trokitëse e admnistratës, mbledhur me urdhër në atë shesh publik të rrethuar me polici, është pamja reale e sundimit të instaluar në këtë vend.

Përse nuk po flet asnjë, nga “zërat” prej të cilëve, kanë frikë regjime të tilla faraonike e butaforike si “rilindja” dhe, sundimtarë prepotentë e aventurierë anti-shtet e anti popull, si Edi Rama, Sali Berisha e Ilir Metaj?

Duke ditur, se regjimet kanë frikë nga fjala e lirë dhe mendjet e ndritura me mbështetje publike, pyesim: Ku janë ata emra, figura, mendje e fjalë ndikuese, që duhet të parlajmërojnë dhe mund të ndalin e përmbysin, të keqen e pushtetit autokrat në Shqipëri, të instaluar e përdorur si sundim mesjetar, nga një individ egoist e me precedentë psikologjikë?

Përse, edhe përballë kësaj rrëshqitjeje totale politike, sociale, ekonomike e shtetërore, me prag humnerën kombëtare, nuk po flasin Ismail Kadare e Rexhep Qosja, dy personalite të cilëve u zë vend edhe një “rrokje”?

Është moment emergjent, që për interesin kombëtar, Kadare e Qosja, ta braktisin heshtjen e konvertuar me kolltuk diplomatik të fëmijëve, apo me “qese” ekonomike, të “dhuruara” nga oligarkët e pushtetit, qoftë edhe për botime librash demokracie, apo pushime krijuese, restaurime vilash, bibliotekash e studiosh private!

Sepse, këta janë zëra publikë që japin mesazhe, me efekte ndikuese në shoqëri e qarqet intelektuale, ndaj dëgjohen, besohen, frymëzojnë, zgjojnë nga letargjia dhe bashkojnë, veprimin popullor kundër të keqes, përballë pushtetit që nuk përfill lirinë, respektin dhe përfaqësimin e votës, që bllokon, kërcënon e ndëshkon mediat dhe fjalën e lirë, që harton ligje për klikat e pushtetit, që mohon drejtësinë e interesin publik.

Për një post të djalit, si drejtor i fondeve të PPP-ve, ka “qepur” gojën Fatos Nano, figura politike e të majtës së civilizuar, që realisht i ka ndikim të plotë dominues, fjala brenda partisë së dekompozuar në pushtet, ku ekziston dhe është zgjuar reagimi anti-rilindje, por që mbytet me shpërfillje, presion, përçarje e joshje, nga sekti mafioz “mavi”.

Për një mandat deputeti të djalit, që është biznesmen milioner, po hesht profesori i nderuar Servet Pëllumbi, një nga perosnalitetet e njohur të politikës e shoqërisë shqiptare, madje po i bënë “fresk” të keqes “Rama”, përballë të cilës, duhet të jetë këshillues, paralajmërues, mos-pranues e kundërshtues i fortë, në emër të interesit kombëtar.

Nuk ka asnjë reagim, nga intelektuali i nderuar e dinjitoz Rexhep Meidani, ish-luftëtari i papajtueshëm me revanshin anti-PS dhe korrupsionin e Edi Ramës e Arben Ahmetajt, pasi i larguan djalin nga Dogana, ndërsa qysh pas emërimit të tij në AKEP, profesori “nuk po zbulon” asgjë te keqe në sundimin e Ramës!

Është koha për t’u zgjuar, jo për të shijuar rehatinë, duke vegjetuar e vëzhguar katrahurën autoritariste që e ka emrin shkatërrim kombëtar./Pamfleti

Editorial Aventura “erdoganiste” e Edi Ramës heshtja e “Orhan Pamuk”-ëve shqiptarë