Aktualitet15 Shtator 2019, 21:05

Balluku mohoi koncesionin e matësave inteligjentë, OSHEE nis instalimin nën “mbikqyerjen” e Ministres

Shkruar nga Pamfleti
Balluku mohoi koncesionin e matësave inteligjentë, OSHEE nis

Balluku mohoi koncesionin e matësave inteligjentë, OSHEE nis instalimin nën “mbikqyerjen” e Ministres

“Pamfleti.net” publikoi disa ditë më parë faktin se qeveria po i jep një oligarku klient të Ramës koncesionin përmes PPP-ve të matësave inteligjentë të energjisë. Ministrja reagoi, duke njoftuar se bëhej fjalë për koncesion për marrje konsulence, pavarësisht se Gjiknuri e kishte pohuar blerjen. Pak ditë nga ky mohim, Balluku merr pjesë në aksionin e OSHEE për instalimin e këtyre matësave në Tiranë, duke deklaruar se do të pajisen konsumatorët në të gjithë territorin e vendit

Pavarësisht deklaratave të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës se nuk ka koncesion për blerjen e matësave inteligjentë të energjisë, OSHEE vijon me një intensitet të lartë instalimin e tyre në disa zona “pilot” në vend.

Pas përfundimit të fazës së parë në zonën e Durrësit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nisi aplikimin e projektit pilot për instalimin e matësave inteligjentë në zonën Kashar-Vorë.

Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjentë, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore, çka prezanton në mënyrë të qartë efikasitetin e uljes së humbjeve të energjisë në rrjet dhe eleminon vjedhjen nga konsumatorët.

Njëherësh instalimi i këtyre matësave bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor e mujor të energjisë elektrike duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.

Procesi i instalimit të këtyre matësave u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij.

Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, i cili në zonën e Durrësit, Vorës dhe Kasharit po aplikohet është cilësuar nga ministrja Balluku si një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.

“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësave inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.

Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi OSHEE për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.

“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për t’a aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”, theksoi më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër, ky projekt i mundëson OSHEE përmirësimin e procesit të matjes e grumbullimit të arkëtimeve duke reduktuar kostot në terren si dhe duke rritur saktësinë e faturave.

Pra Balluku pranon më në fund se ka një projekt për mbulimin me matësa inteligjentë të të gjithë territorit të Shqipërisë, duke dalë kundër deklaratës së disa ditëve më parë ku mohonte të ketë një projekt për koncesion për matësa inteligjentë, por vetëm për marrje konsulence.

“Pamfleti.net” para disa ditësh ballafaqoi deklaratat e Ministres Balluku me ato të paraardhësit të saj Damian Gjiknuri, duke dhënë dhe shifrën e saktë të matësave inteligjentë të prodhuar nga kompania gjermane “Deutche Telekom”, plot 9300 të tillë.

Është e sigurtë që financimi për matësat inteligjentë do të bëhet përmes koncesionit me PPP-të e famshme, pasi kanë përfitime prej miliona eurosh apo dollarëshe prej tyre Rama dhe qeveria.

Balluku deklaroi zyrtarisht se dikasteri që ajo drejton ka kërkuar konsulencë ndërkombëtare për vendosjen e matësave inteligjentë të energjisë dhe jo koncesion për matësa.

Ministria e Energjisë nënvizoi se BERZH së fundmi ka publikuar një kërkesë për shpallje interesi për Asistencë Teknike për Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë, OSHEE dhe OST për përgatitjen e një strategjie të re për Matjen e Politikat Standarde për matjen e energjisë elektrike.

Çka nënkupton që, matësit aktual do zëvendësohen me matësat e rinj inteligjentë të energjisë më të avancuar, të cilët do të identifikonin edhe humbjet në rrjet.

Fjala ishte për koncension blerjeje të këtyre matësave përmes koncesionit me PPP, pavarësisht se më pas u përgënjeshtrua nga Balluku, duke e cilësuar një prokurim për marrje konsulence, që do të përcaktojë edhe standardet e matjes së energjisë që do të ndiqen në të ardhmen.

“Pamfleti.net” solli në vëmendje një deklaratë më parë të ish-ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri që e ka nxjerrë zbuluar përpjekjen e Ballukut për të mbuluar faktin se po përgatitet një koncesion miliona eurosh për t’iu dhënë përmes PPP të famshme, një oligarku, klient të Ramës.

“Jemi duke studiuar disa opsione sesi OSHEE të mund të hyjë në një PPP, p.sh përsa i përket sistemeve inteligjente të matjes, por duke bërë një fizibilitet shumë të mirë ekonomik. Atë jemi duke bërë, në mënyrë që të dihet qartë se çfarë avantazhesh do të sjellë ky projekt.

Nisur nga ky fizibilitet ekonomik, ne po ndjekim të gjitha shkallët bazuar në legjislacionin e koncesioneve, për të bërë të mundur këtë partneritetit.

Patjetër, sektori energjitik në të gjithë botën zhvillohet nëpërmjet pjesëmarrjes së kapitalit privat dhe e thashë se një pjesë e mirë e kontratave tona janë të partnerit publik-privat”,  ka thënë asokohe Gjiknuri, deklaratë e sjellë nga gazeta jonë ditë më parë.

Pavarësisht se përmendim shifra, fakte dhe zona ku do të instaloheshin këto matësa inteligjentë, ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës vijonte të mohonte këtë fakt me kokëfortësi.

Por me sa duket, u deshën vetëm disa ditë që Balluku të harronte çfarë ka thënë ditë më parë, dhe të deklarojë se me matësa inteligjentë të energjisë do mbulohet gjithë territori i Shqipërisë, duke u pajisur çdo konsumator.

Me sa duket qeveria e Ramës është e vendosur për ta dhënë këtë koncesion përmes PPP-ve për blerjen e matësave inteligjente dhe i ka plasur “cipa” dhe s’pyet për akuza më./Pamfleti/

Kryesore Balluku mohoi koncesionin e matësave inteligjentë OSHEE nis instalimin nën “mbikqyerjen” e Ministres