“Banda kriminale e dragonjve”, ekstradohet kunati i ‘Tonit’, bosit të organizatës kriminale

Ekstradohet në Itali Eris Belba, i cili u arrestua në Mars nga policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane.

“Të hënën, nga ZQK Interpol Tirana, u ekstradua drejt Italisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar E.B. 35 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se autoritetet italiane, kanë lëshuar urdhër arresti, për ‘Vjedhje në rrethana rënduese’, ‘Zjarrvënie me dashje në rrethana rënduese’, ‘Organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vjedhjeve’ dhe vepra të tjera kundër pasurisë, të parashikuara nga Kodi Penal Italian”, njoftoi Policia shqiptare.

35-vjeçari ishte pjesë e një organizate kriminale që vepronte në Itali, e goditur gjatë operacionit policor të koduar “The Uncle” (Xhaxhai) në fund të Tetorit 2017. Asokohe, 13 persona u vunë në pranga nga policia italiane pas urdhër-arresteve të lëshuara nga organi i akuzës.

Organizata kriminale ka mbjellë terror mes sipërmarrësve në Asizio Arsizio, Varese dhe Alto Milanese. Sipas hetimeve të prokurorisë italiane, anëtaret e organizatës kriminale akuzohen për dhënie parash me fajde, zhvatje, kanosje, dhunë, shkatërrim prone, por edhe posedim të mallrave të vjedhur, shpërndarje kokaine e posedim të dokumenteve false.

Giovanni Parlapiano i quajtura “Xhaxha Giani” dhe Antonino Pinto me pseudonimin “Toni” apo “bruni”, cilësohen si drejtuesit e grupit.Hetimet nisën në vitin 2015, kur një biznesmen italian kallëzoi në polici se i gjendur në vështirësi financiare i kishte marrë borxh “Xhaxhait”, por që është detyruar nga organizata kriminale të kthejë një shumë monetare shumë herë më të madhe sa ajo që kishte marrë borxh, nën kërcënimet e tyre.

Pas këtij denoncimi, nisën edhe hetimet e prokurorisë italiane, që përfshinë edhe ndjekjet e përgjimet ndaj anëtareve të grupit, që e quanin vetën edhe “dragonj”, shkruan Panorama. Shqiptari Eris Belba është kuant i Pinto-s, sipas mediave italiane. Ai ishte bashkëpunëtor i tij besnik si në vjedhjet e kompanive, ashtu edhe në aktet e frikësimit dhe në sulmet me zjarr që synonin bindjen e preve të zhvatjes dhe gjobëvënës. Ai u ka shpëtuar autoriteteve italiane, por rreth 4 muaj më parë u arrestua nga policia e Tiarës, që më 20 Mars, njoftoi vënien e tij në pranga:

Policia e Tiranës në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, gjatë paradites së sotme ka bërë të mundur kapjen e një tjetër personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht shtetasin:Erlis Belba, vjeç 35 lindur dhe banues Pogradec.

Shtetasi shqiptar, Erlis Belba, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Autoritetet Gjyqësore Italiane, me urdhër-arresti me nr. OÇC 9307, datë më 12.12.2017, kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, kryerjen e veprave penale “Anëtar i organizatës kriminale në vjedhjet me dhunë, marrja e sendeve të vjedhura, përdorimi i lëndëve eksplozive”, të parashikuara nga Kodi Penal italian.