Ekonomi18 Gusht 2019, 22:47

Banka Botërore “kryqëzon” Ramën për pronat: Dhamë miliona euro dhe hartat kadastrale janë në mizerje

Shkruar nga Pamfleti
Banka Botërore “kryqëzon” Ramën për pronat:

Banka Botërore “kryqëzon” Ramën për pronat: Dhamë miliona euro dhe hartat kadastrale janë në mizerje

Hartat ekzistuese kadastrale të mbajtura nga Hipotekat nuk pasqyrojnë situatën aktuale në terren. Gabimet në regjistrimet e pronave reflektojnë kufijtë të gabuar, madhësinë e parcelës si dhe dokumentet e pronësisë. Situata është skandaloze në zonat urbane, në Tiranë e rreth saj, si dhe në disa prej zonave bregdetare më të mëdha. Banka Botërore këmbëngul që qeveria e Ramës të bëjë të gjitha rakordimet e duhura të pronësisë për të precizuar një hartë kadastrale të rregullt, por këtë radhë duhet të bëhet me financimet e vetë qeverisë shqiptare, pasi kjo bankë nuk hedh lekë dy herë për të njejtën punë. Një “rast” i artë që Artan Lame të “fusë” në dorë miliona euro për të vepruar siç di vetë, pa lënë në harresë as “dhuratën” për Ramën

Banka Botërore ka dhënë për të gjitha qeveritë miliona euro që të bëhet regjistrimi i pronave dhe gjithçka të hidhen në rregull në hartat kadastrale.

Por në veçanti, qeveria e Ramës është financuar shumë për këtë projekt të rëndësishëm, por që ka rezultuar një maskarallëk, ku askush nuk e ka të sigurtë kufirin kadastral, duke sjellë një problem më vete për pronarët që kërkojnë të vënë pronën në kolateral për kredi apo dhe që të ndërtojnë.

Sipas një studimi të posaçëm për çështjet e pronave, i publikuar së fundi nga Banka Botërore, që ka financuar shumë projekte për hipotekat dhe kadastrat, rezultoi se hartat ekzistuese kadastrale të mbajtura nga ZRPP (Hipotekat) nuk pasqyrojnë situatën aktuale në terren.

Njësitë e pasurive të paluajtshme, parcelat dhe ndërtesat kadastrale, në shumë raste janë të pozicionuara gabimisht dhe problematika është ndërlikuar me kalimin e kohës, duke ndryshuar specifikimet dhe sistemet e referencës.

Ndërkohë që sipas Bankës Botërore, në shumë raste, ka disa kopje të së njëjtës fletë harte, që përdoret dhe shpesh është e paqartë se cila hartë është më aktuale ose e sakta, duke shkaktuar një kaos të vërtetë në pronësi, por dhe duke shërbyer si një burim konflikti mes pronarëve.

Situata është skandaloze në zonat urbane, sidomos në Tiranë e rreth saj, si dhe në disa prej zonave bregdetare më të mëdha, ku ka shumë ndërtime informale.

Rastet e gjetura ilustrojnë disa lloje të mospërputhjesh kur krahasohen parcelat kadastrale ose blloqe parcelash, me ortofotot e vitit 2007.

Gabimet në regjistrimet e pronave përgjithësisht reflektojnë kufijtë të gabuar, madhësinë e parcelës dhe dokumentet e pronësisë, duke sjellë në këtë mënyrë bllokimin e të gjitha lëvizjeve me pronën dhe përplasjen në dyert e gjykatave, që vetëm e zgjasin agoninë.

Ato zakonisht zbulohen në kohën kur bëhet një transaksion në njësinë përkatëse të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që deri në kohën kur bëhet një transaksion, pronari ose pronarët ngjitur të pronave nuk kanë njohuri për gabimet që lidhen me pasurinë.

Banka Botërore këmbëngul që qeveria e Ramës të bëjë të gjitha rakordimet e duhura të pronësisë për të precizuar një hartë kadastrale të rregullt, por këtë radhë duhet të bëhet me financimet e vetë qeverisë shqiptare, pasi kjo bankë nuk hedh lekë dy herë për të njejtën punë.

Pritet që gjithçka të fillojë nga e para dhe Artan Lame të “fusë” në dorë miliona euro për të vepruar siç di vetë ai në të tilla raste, pa lënë në harresë as “dhuratën” për Ramën./Pamfleti/

Ekonomi Banka Botërore “kryqëzon” Ramën për pronat: Dhamë miliona euro dhe hartat kadastrale janë në mizerje