Banka Botërore: Rritja ekonomike në Ballkan u ulë, pavarësisht shtimit të vendeve të punës

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Ballkan u ulë, pavarësisht shtimit të vendeve të punës

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shtuan 190,000 vende pune vitin e kaluar, por rritja ekonomike ra, thotë raporti i fundit i Bankës Botërore mbi Ballkanin Perëndimor.

Nga: Mladen Lakic 

Rritja mesatare e GDP-së në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi ka rënë nga 3.1 për qind në 2016 në rreth 2.4 për qind në 2017 për shkak të investimeve më të ulëta dhe një dimri të ashpër, sipas raportit më të fundit ekonomik të Bankës Botërore mbi Ballkani Perëndimor, botuar të mërkurën.

Megjithatë, Bosnja dhe Hercegovina u bë vendi kryesor në rajon kur arriti të ulte normën e papunësisë.

“Nga perceptimi i rajonit, ky është një hap shumë pozitiv për Bosnjën dhe gjërat nuk janë aq keq, por vendi duhet të vazhdojë me axhendën e tij të reformave dhe ndryshimi më i madh për momentin janë zgjedhjet e ardhshme,” tha Sandra Hlivnjak, ekonomiste për Bankën Botërore në Bosnje, për Anadolu të mërkurën në Sarajevë gjatë prezantimit të raportit.

Rritja e GDP-së midis 3 për qind dhe 4.4 për qind në Shqipëri, Bosnje, Kosovë dhe Mal të Zi u zbut nga asnjë rritje në Maqedoni dhe një rritje prej vetëm 1.9 për qind në Serbi, tha Banka Botërore.

Por situata e përgjithshme është pozitive, pasi rritja në Serbi dhe Maqedoni po e merr veten, ndërsa Bosnja dhe Kosova po shohin një rritje të investimeve.

Ndërkohë, rritja në Shqipëri dhe Mal të Zi është moderuar, ndërsa projekte të mëdha investimesh po lulëzojnë dhe konsolidimi fiskal shumë i nevojshëm po vazhdon në Malin e Zi.

Punësimi është në rritje në rajon, me të gjitha gjashtë vendet që kanë shtuar vendet e punës në vitin 2017, sidomos në tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Norma mesatare e punësimit për Ballkanin Perëndimor është në rritje të vazhdueshme, duke arritur në 42.6 për qind në shtator 2017, ndërsa papunësia e të rinjve ra nga 37.5 për qind në vitin 2016 në 31.5 për qind në vitin 2017.

Megjithatë, sipas raportit, ritmi i krijimit të vendeve të punës po ngadalësohet, me ritmin vjetor të rritjes së punësimit që ka rënë nga 4.5 për qind në vitin 2016 në 3.2 për qind në shtator të vitit të kaluar.

Përfundimet e Bankës Botërore sipas çdo vendi

Shqipëria: Rritja ekonomike vlerësohet të ketë arritur 3.8 për qind në vitin 2017, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe duke ndihmuar në uljen e varfërisë.

Rritja pritet të arrijë në 3.6 për qind në vitin 2018, pas lulëzimit të dy projekteve të mëdha të huaja për investime në energji.

Edhe pse borxhi publik ra në vitin 2017, ritmi i konsolidimit fiskal u ngadalësua.

Përpjekjet e vazhdueshme për konsolidimin e financave publike, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve, reduktimin e borxheve dhe detyrimeve të kushtëzuara dhe prezantimi i reformave strukturore në sektorin e energjisë, atë financiar dhe atë gjyqësor, janë kritikë për të nxitur besimin dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme.

Bosnja dhe Hercegovina: Me rritjen ekonomike të vlerësuar në 3 për qind në vitin 2017, Bosnja e ka mbajtur rritjen të qëndrueshme në tre vitet e fundit.

Trendi pritet të vazhdojë në vitin 2018 dhe të rritet në periudhën afatmesme, pasi reformat strukturore hyjnë në fuqi dhe ka një rritje të investimeve në infrastrukturë.

Edhe pse ekonomia është zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme, papunësia mbetet e lartë, sidomos tek të rinjtë. Si rezultat i shtyrjes së planifikuar në investimet publike.

Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, reformat mund të ngadalësohen, duke e mjegulluar perspektivën.

Kosova: Ekonomia u rrit me rreth 4.4 për qind në vitin 2017, nga 4.1 për qind që ishte në vitin 2016, e nxitur kryesisht nga investimet dhe eksportet.

Në vitin 2017, deficiti fiskal ishte i ulët në 1.4 për qind të GDP-së për shkak të performancës së mirë të të ardhurave dhe nën-zbatimin e buxhetit kapital.

Rritja e fortë mbështeti krijimin e vendeve të punës në vitin 2017. Norma e pjesëmarrjes së tregut të punës u rrit me 3.3 për qind dhe punësimi me 1.3 për qind.

Rreziqet kryesore janë në dinamikën politike të Kosovës dhe në ekzekutimin jo të plotë të programit të investimeve.

Maqedonia: Rritja e qëndrueshme ekonomike në vitin 2017 pasqyron efektin e qëndrueshëm të një krize të zgjatur politike. Rritja parashikohet të jetë në rreth 2.3 për qind në vitin 2018, nxitur nga konsumi dhe rikuperimi i investimeve.

Performanca e tregut të punës u përmirësua pasi papunësia ra në një minimum historik prej 22.4 për qind.

Edhe pse më e lartë se në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, normat e pjesëmarrjes në punësim dhe në fuqinë punëtore janë të ulëta sipas standardeve të BE-së.

Mali i Zi: Rritja ekonomike u përshpejtua në 4.3 për qind në vitin 2017, e udhëhequr nga investimet në ndërtimin e autostradës dhe një sezon rekord turizmi.

Rritja parashikohet të moderohet në 2.8 për qind në vitin 2018, me përparimin e konsolidimit të nevojshëm fiskal.

Papunësia administrative mbeti e lartë për shkak të informalitetit të konsiderueshëm dhe importeve të larta të punës. Pjesëmarrja e tregut të punës u rrit lehtë, sidomos midis meshkujve.

Rritjet e taksave çoi në procesin e konsolidimit fiskal, por deficiti dhe borxhi publik mbeten të larta.

Serbia: Rritja ekonomike u ngadalësua në 1.9 për qind në vitin 2017, kryesisht për shkak të motit të keq. Sidoqoftë, punësimi u rrit me rreth 3 për qind në vitin 2017, i nxitur nga më shumë punësime formale në shërbime dhe prodhim.

Konsolidimi i vazhdueshëm fiskal dhe investimet publike më të ulëta sesa ishte planifikuar sollën një suficit buxhetor prej 1.2 për qind të GDP-së që reduktoi borxhin publik.

Këtë vit rritja pritet të arrijë në 3 për qind me rritjen e kërkesës së brendshme.

Shqetësimet kryesore tani janë qëndrueshmëria e konsolidimit fiskal, zgjerimi i fundit i deficitit të jashtëm dhe implikimet për borxhin e jashtëm.(reporter.al)