Banorët e tre fshatrave në Mirditë janë ngritur në protestë duke bllokuar për disa minuta “Rrugën e Kombit”. Ata janë shprehur se për të ndërtuar ujësjellësin që u çon ujë 10 familjeve që janë me PS-në, janë bllokuar tre fshatrat, duke u prishur rruga.
Me makina dhe vetë në rrugë, banorët e fshatrave Munuz, Rrajë e Zezë dhe Velë, kanë bllokuar për disa minuta “Rrugën e Kombit”.
Banorët kanë premtuar, se nëse nuk do marrin përgjigjie, protesta do zhvillohet dhe në ditët në vijim.
“Rrugën e kemi blloku për arsye se po bëhet një ujësjellës për fshatin Munaz, na kanë blloku rrugën ekzistuese. Na premtuan asfalt, tani na kanë prishur dhe ekzistuese. Firma që ka ndërtuar ujësjellësin ka dëmtuar rrugën ekzistuese. Ne nuk jemi kundër investimeve por të mos dëmtohemi. Për të çuar ujë 10 familjave të Partisë Socialiste dhe për të dëmtuar 3 fshatra.
I jemi ankuar administratorit të njësisë administrative Rubik më ka thënë është faj i firmës ndërtuese. Firma ndërtuese thotë se e ka në projekt që atë që nxjerrë nga kanali ta hedhë sërish në kanal”, ka thënë një prej banorëve për Ora News.