Kosova28 Dhjetor 2022, 15:10

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Me vendosjen e barrikadave nga 10 dhjetori e deri tani, tri pika kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë tashmë janë të mbyllura për qarkullim.

Përveç Jarinjës dhe Bërnjakut që janë mbyllur para gati tri javëve, të martën në mbrëmje është mbyllur për qarkullim edhe pika kufitare në Merdar.

Ky pikëkalim kufitar u mbyll pasi që në Serbi, në rrugën që çon drejt Merdarit, është vendosur një barrikadë.

Sipas raportimeve nga mediat serbe, aty janë duke qëndruar 15-20 persona.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bllokimi i rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare në Merdar. “Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për mbylljen e kësaj pike ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë duke udhëtuar drejt Kosovës përmes Serbisë, që t’i ikin pikës kufitare në Merdar dhe të shfrytëzojnë pikat e tjera, duke thënë se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar këtë pikë kufitare”.

Udhëtarët që ishin rrugës për në Kosovë nga ai drejtim, janë detyruar të kthehen dhe të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.

Të hapura kanë mbetur tri pika kufitare të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë: Dheu i Bardhë, Mutivoda dhe Muçibaba.

Por, a ka rrezik që bllokada të reja të shtohen edhe pranë këtyre pikave kufitare?

Aktualisht gjendja në këto drejtime që dërgojnë për në Kosovë është e qetë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në këto pika nuk ka pritje të gjata.

Sipas përditësimit të fundit të kësaj qendre, te Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova, janë 10-15 minuta. Ndërsa në Mutivodë dhe Muçibabë, pritjet për të hyrë dhe dalë, janë 3-5 minuta.

Prishtine Barrikadat Bërnjak Dheu i Bardhë Jarinjë Merdar

Kosova