Aktualitet12 Korrik 2019, 20:20

Basha e Monika marrin pushimet, s’ka datë proteste

Shkruar nga Pamfleti
Basha e Monika marrin pushimet, s’ka datë proteste

Basha e Monika marrin pushimet, s’ka datë proteste

Lidershipi i PD dhe LSI nisin përgatitjet për të qënë gati për përballjen me Edi Ramën në “sesionin” opozitar të vjeshtës. Paralel me këtë aksion, gjatë muajve të verës do bëhet riorganizimi total i partive respektive, për të vendosur në pikat kyçe mbështetësit e tyre, si masë paraprake e Bashës dhe Kryemadhit për t’u mbrojtur nga Berisha që kërkon të vendosë Nishanin në krye të PD dhe Meta që kërkon të rikthehet vetë në krye të LSI, pas shkarkimit si President. Jo pa qëllim Basha ka mënjanuar Dollapin e Kuliçin nga organizimi, duke ia lënë në dorë gjithçka Bardhit dhe grupit të tij, ndërsa Monika ka paralajmëruar Metën se, nëse kërkon të kthehet, duhet të përgatitet për përballje me të për postin e kryetarit të LSI

Protesta e 8 qershorit me sa duket ka shënuar dhe përfundimin e “sesionit” të parë të protestave të opozitës, për të startuar në “sesionin” e ri, atë të vjeshtës.

Duke qënë se Parlamenti dhe qeveria pritet të marrin pushimet e verës, e bashkë me to dhe qytetarët, lidershipi i opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e kanë parë të udhës të pushojnë dhe ata bashkë me militantët e tyre, për të mbledhur forcat për në shtator.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar disa ditë më parë kryetarja e LSI, e cila u ka bërë me dije strukturave se do të merren me organizimin e brendshëm të partisë dhe me denoncimin e keqqeverisjes së Ramës, pa përmendur për asnjë moment ndonjë datë proteste të opozitës.

Në të njejtën linjë ka qënë dhe Lulzim Basha, i cili ka mbledhur ditën e sotme kryesinë dhe ish grupin parlamentar të PD, pjesa më e madhe e të cilëve është anëtare e këtij forumi të lartë.

Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura është diskutuar plani për verën, puna organizative, strukturat, bordet këshillimore që duhet të jenë tërësisht aktive dhe probleme të tjera organizative, pa munguar deklaratat për mosnjohjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Basha është shprehur se do dalë në terren në çdo degë të PD-së, deri fund të muajit, ndërsa një grup pune do jetë gjithashtu çdo ditë në terren, për të finalizuar gjithë përgatitjen e strukturave, sipas udhëzimeve të fundit të dhëna prej tij.

Synimi sipas Bashës është që muaji gusht të përmbyllë çdo punë organizative e përgatitore dhe nisja e shtatorit duhet ta gjejë gati PD-në, për zhvillimet e shpejta politike që priten.

Pra mesazhi i kreut demokrat ka qënë i qartë, dalje në bazë dhe përgatitja e partisë për përballjen politike në vjeshtë, për të larguar sipas tij Edi Ramën nga posti i kryeministrit.

“Është koha të bëhemi gati që përveç protestës, të shpalosim bashkë me njerëzit alternativën, që shumicen Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim ta kthejmë në një mazhorancë politike dhe qeverisëse”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë dhe të ish grupit parlamentar të PD.

Opozita, me sa duket ka vendosur t’ia përkushtojë muajt e verës riorganizimit të strukturave, ku degët e PD në rrethe, në shumicën dërmuese janë pa kryetarë ose me kryetarë të emëruar.

Në asnjë sekondë të mbledhjes së sotme nuk është diskutuar për protestat e opozitës gjatë ditëve të verës, duke treguar qartë se opozita do të jetë dhe ajo me “pushime”.

Ndërkohë që mënyra e funksionimit organizativ dhe e riorganizimit të PD, të deleguarit dhe tërë puna përgatitore e muajve të verës, më shumë se përgatitje për përballjen e vjeshtës me Ramën, është një masë paraprake e Bashës për të garantuar qëndrimin e tij në krye të PD.

Karrigia e Bashës kërcënohet fort nga Berisha, i cili po tenton që të emërojë në vend të tij ish presidentin Bujar Nishani, ndërkohë sikurse ka shkruajtur dhe “Pamfleti.net” lufta e tyre është shtrirë nga kupola në bazë, në përjashtimin respektivë të mbështetësve.

Jo pa qëllim Basha ka mënjanuar Sahit Dollapin dhe Agron Kuliçin, dy kamikazët e Berishës, duke ia lënë në dorë gjithçka Gazment Bardhit dhe grupit të tij për të riorganizuar PD dhe për të vendosur në pikat kyçe njerëzit më të besuar, që të mos i rrezikohet posti.

Me sa duket të njejtën gjë po bën dhe Monika Kryemadhi, e cila, teksa i ka “shijuar” shumë qëndrimi në krye të LSI, dhe në kushtet e një distancimi me bashkëshortin, është gati për t’u përballur me Metën për postin e kryetarit, pas shkarkimit të këtij të fundit nga posti i Presidentit.

Pra muajt e verës do të shërbëjnë për Bashën dhe Monikën si periudhë e konsolidimit dhe e mbrojtjes së posteve respektive, të kryetarit të PD dhe të LSI./Pamfleti

Kryesore Basha e Monika marrin pushimet s’ka datë proteste