Politike10 Qershor 2018, 08:38

Bashkëshortët dhe të afërmit e ministrave ”bëjnë ligjin” në administratën shtetërore. Fëmijët e deputetë

Shkruar nga Pamfleti
Bashkëshortët dhe të afërmit e ministrave

Bashkëshortët dhe të afërmit e ministrave ''bëjnë ligjin'' në administratën shtetërore. Fëmijët e deputetëve të PD-PS poste në ministri e drejtori

Bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e ministrave, deputetëve dhe të politikanëve vijojnë të “bëjnë ligjin” në administratën shtetërore. Edhe pse ka një ligj ku emërimet duhet të bëhen në bazë të meritës, rezulton se familjarët e politikanëve shqiptarë vijojnë të mbajnë poste të larta drejtuese në institucionet shtetërore.

Gazeta “SOT” ka bërë një kërkim se ku punojnë familjarët e 140 deputetëve shqiptarë dhe ka rezultuar se 29 prej tyre, fëmijët, bashkëshortët, por dhe të afërm të tjerë i kanë punësuar në ministri dhe drejtori të ndryshme rajonale apo qendrore.

Studimi është bazuar mbi deklarimet e pasurisë nga deputetët pranë ILDKP gjatë vitit 2017. Në listën e mëposhtme përfshihen të dhënat që ata kanë bërë publike deri në dhjetor 2017, ndërsa sa i takon periudhës janar-qershor, mund të ketë pasur ndryshime në postet e të afërmve të tyre, por një gjë e tillë është e padeklaruar.

Megjithatë ajo që vihet re është se administrata sot dominohet nga 3 partitë kryesore politike, PD, PS dhe LSI. Interesant është faksi se pavarësisht se demokratët kanë 5 vite që kanë ikur nga pushtetit, 10 deputetë të PD familjarët e tyre i kanë me poste të ndryshme në institucione të njohura shtetërore.

Emërimet e deputetëve të PD

Lidhur me funksionet që ushtrojnë familjarët e deputetëve të PD rezulton se bashkëshortja e deputetit Bardh Spahia të jetë punonjëse në Arkivin Qendror të Shtetit. Ndërsa bashkëshorti i deputetes së Dibrës, Dhurata Çupi është pjesë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Enkelejd Alibeaj ka deklaruar pranë ILDKP se bashkëshortja e tij ka qenë këshilltare e zv/kryeministres gjatë kohës së qeverisë teknike, pas paktit Rama-Basha.

Ndërkohë Grida Duma ka deklaruar se bashkëshorti i saj është këshilltar në Ministrinë e Jashtme. Lidhur me emrat e tjerë, Hekuran Haxholli është shprehur se bashkëshortja e tij ka qenë specialiste në Presidencë, ndërsa gruaja e Nard Ndokës është këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk mbetet jashtë as ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, sot deputet i PD, Xhemal Gjunkshi, pasi bashkëshortja e tij është në Bashkinë e Tiranës.

Emërimet e PS

Deputetët e PS janë ata që mbajnë dhe rekordin e emërimeve nepotike, kjo dhe për faktin se PS është në pushtet. Djali i Gramoz Ruçit është pjesë e Albkontroll, ndërsa bashkëshortja e Ditmir Bushatit është te Shkolla e Administratës Publike. Ismet Beqiraj ka deklaruar pranë ILDKP se bashkëshortja është punonjëse e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, ndërsa vajza specialiste pranë Postës Shqiptare.

Luan Duzha e ka bashkëshorten punonjëse te dega e Doganës Elbasan, ndërsa bashkëshortja e Musa Ulqinit është pjesë e Bankës së Shqipërisë. Bashkëshortja e Nuri Belbës është punonjëse në Postën Shqiptare Librazhd, ndërsa Pjerin Ndreu e ka pasur këshilltare pranë Ministrisë së Integrimit. Rakip Suli ka deklaruar po ashtu se djali është specialist në KESH, bashkëshortja e djalit specialiste te ALIUZNI dhe djali tjetër specialist në Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Ndërsa vajza e Sadri Abazit është punonjëse në Drejtorinë e Koordinimit të Investimeve të Huaja në Bashkinë e Tiranës.

Emërimet e LSI

LSI ka numrin më të ulët. I pari është Shezai Rrokaj. Ai ka deklaruar se bashkëshortja është shefe finance te Drejtoria e Markave dhe Patentave, djali anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në UKT Tiranë dhe vajza punonjëse në AKEP. Ndërsa Klajda Gjosha ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka punuar si Këshilltar Ekzekutiv pranë Autoritetit Portual, por është larguar në shtator 2017. Ajo që bie në sy është se emrat e politikanëve dominojnë administratën. Ndërkohë që elementi tjetër është se PD dhe LSI sulmojnë dhe shajnë socialistë, por të afërmit e tyre punojnë krah ministrave të Ramës.

Politike familjarët e ministrave fëmijët e deputetëve të PD-PS