Aktualitet14 Prill 2019, 21:19

Bashkia Tiranë reagon pas akuzave për përmbytjet: Nuk japin dot mend ata që mbjellin dhunë

Shkruar nga Pamfleti
Bashkia Tiranë reagon pas akuzave për përmbytjet: Nuk japin dot

Përballë akuzave të opozitarëve Berisha e Vasili për situatën e krijuar në zonën e “Misto Mames” gjatë kësaj të diele, si rrjedhojë e shirave me intensitet të lartë në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka reaguar duke drejtuar gishtin e fajit tek ish-zyrtarët e opozitës së sotme, që bllokuan – sipas saj, – projektin japonez që do të përmirësonte rrjetin e kanalizimeve të Tiranës.

“Dy zyrtarë të PD-së dhe LSI-së, alternativa e vetme e të cilëve për qytetarët është të mbjellin dhunë dhe shkatërrim në qytet, na u shfaqën sot gjoja ‘të shqetësuar’ pse reshjet e dendura të shiut që ranë në pak minuta në Tiranë vështirësuan qarkullimin në një nga rrugët e Kombinatit. Sali Berisha dhe Petrit Vasili e dinë më mirë se kushdo tjetër, arsyen përse në zonën e ‘Misto Mames’ pati probleme me kanalizimet. E dinë mirë, sepse janë ata bllokuesit kryesorë të projektit japonez, që do të përmirësonte rrjetin e kanalizimeve të Tiranës, duke përfshirë edhe zonën e Kombinatit”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

Sipas pretendimeve të Bashkisë, Berisha dhe Vasili e dinë më mirë se kushdo tjetër këtë, sepse “të paktën 3 ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve në kohën kur qeverisnin bashkë, janë kallëzuar dhe janë në ndjekje penale për shpërdorimin e fondeve të projektit japonez, i cili duhej të kishte përfunduar në vitin 2014”.

“I kujtojmë Sali Berishës dhe Petrit Vasilit se, me vjedhjen e fondeve të projektit që do ta bënte Tiranën me kanalizime, ish-zyrtarët e tyre i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 21 milionë eurosh”, thuhet më tej në reagim.

Aktualitet