Politike30 Maj 2018, 21:18

Baza e opozitës në Gjirokastër drejt shkatërrimit, reagon deputeti i PD

Shkruar nga Pamfleti
Baza e opozitës në Gjirokastër drejt shkatërrimit, reagon

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka reaguar, pas lajmeve që qarkullonin se këshilltarët demokratë kanë braktisur mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Shehu tha se kjo gjë nuk ka ndodhur edhe pse realiteti është krejt ndryshe.

 

Madje, largimin e këshilltarëve të PD në Gjirokastër Shehu e justifikon me faktin se zyrtarët e djathtë “treguan integritet moral dhe politik,  në mbrojtje të interesave të qytetarëve”.

 

“Duke lexuar në disa media një lajm për një “mbledhje okulte” të një pjese të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të PD dhe Kryetares së Këshillit, pra jo në përputhje me ligjitimitetin, dëshëroj të theksoj sa më poshte: Keshilltarët e PD në Gjirokastër e në të gjitha Bashkitë e atij Qarku, pa asnjë përjashtim, që prej zgjedhjes së tyre kanë treguar një integritet të lartë politik e moral, në mbrojtje të programit tonë e të interesave të qytetarëve.

 

Asnje nga ata nuk është “joshur nga premtimet” apo lëkundur sado pak nga presionet e një pushteti të lidhur me shumë fije me krimin e korrupsionin.
Ky është një shembull tjetër i qartë, që demostron vlerat tona si forcë politike e të individëve që na perfaqesojnë nëpërmjet votës së elektoratit, një garanci që pa dyshim vecse na forcon e na shton mbështetjen në të gjithë Qarkun.

 

Me këtë rast dëshëroj të falënderoj të gjithë këshilltarët e PD në Qark për konseguencen e treguar, duke qenë koshient për betejat e tjera politike decisive që na presin. Në këtë rrugë pa dyshim ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë ato forca politike apo individë, që janë të vendosur t’i kundervihen këtij pushteti, që vecse demokratik e per qytetarët nuk është”, shkruan Shehu.

 

 Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, dy këshilltare të LSI-së, Vjollca Koko dhe Monda Kllapi, bashkuan votat me këshilltarët e PS-së, duke shkarkuar kreun e këshillit, Mimoza Como. Kjo ishte zgjedhur në këtë funksion disa javë më parë si përfaqësuese e PD-së. Më pas u emërua në krye të këshillit Vjollca Koko, këshilltare e LSI-së. Ikjet e këshilltarëve të LSI-së drejt PS-së u përhapën pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit.

Politike Gjirokastër PD Tritan shehu