Kronike24 Shtator 2018, 15:23

Behar Bajrit i gjendet arma në banesë, pas vrasjes së Tuzit, me të njëjtën pistoletë qëlloi gruan me plumb pas shpine

Shkruar nga Pamfleti
Behar Bajrit i gjendet arma në banesë, pas vrasjes së Tuzit, me

Pas arrestimit të 11 anëtarëve të bandës “Bajri” zbardhen të tjera detaje mbi dosjen e prokurorisë.

Nga hetimet është zbuluar se vrasja e Arben Tuzit në Shkodër dhe vrasja e Fabiola Bajrit është kryer me të njëjtën pistoletë. Arma e krimit që është pëdorur në këto dy vrasje është gjetur në banesën e Behar Bajrit. Ekspertimi teknik dhe balistik ka vërtetuar se pistoleta është pëdorur në dy krime.

Të dhënat tregojnë se Tuzin dhe 15 vjeçaren Fabiola Bajri, dyshohet se i ka vrarë Behar Bajri. Ka të dhëna të sakta se Bajri dhe viktima Tuzi kanë pasur një vit para vrasjes një shkëmbim zjarri mes tyre. Palët janë pajtuar me ndërhyrjen e pleqësisë duke falur njëri-tjetrin, por sërish situata është tensionuar. Vetëm pak muaj pas vrasjes së Tuzit në Shkodër me të njëjtën armë është vrarë Fabiola Bajri 15 vjeçe.

Fabiola është vrarë me një plumb pas shpine gjë që tregon se nuk ka kryer vetëvrasje. Ndërkohë dy plumba të tjerë janë qitur nga pistoleta dhe kanë hyrë në tavan dhe mur. Arma është gjetur në dhomën e gjumit dy metra larg viktimës.

Prokuroria ka dalë në konkluzionin se viktima nuk mund të qëllonte vetveten nga pas, pra në shpinë. Do ishte rast unikal vetëvrasje, thonë prokurorët. Dyshohet se ekzekutori i Fabiolës dhe Tuzit është Behar Bajri. Shumë shpejt do kërkohet ekstradimi i tij nga Hollanda, shkruan Shqiptarja.com. Për llogari të këtij grupi janë dokumentuar dhe disa gjobëvënie.

Fabiola Bajri, 15 vjeç është vrarë më 20 qershor 2002 Në fakt, ka patur një hetim. Ajo ka qenë gruaja e Behar Bajrit, në atë kohë është dalë në përfundim se ka qenë vetëvrasje. 

Grupi ‘Bajri’ po hetohet edhe për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici u qëllua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e datës 10 gusht. Lici dhe Bajri prej disa vitesh janë grupe rivale në Shkodër. Dyshohet se Fatbardh Lici është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë dhe pas tij mund të qëndrojnë anëtarët e familjes Bajri.

Kronike