Editorial20 Mars 2019, 17:25

Belinda Balluku, rosaku që u bë mjellmë me pika të zeza

Shkruar nga Pamfleti
Belinda Balluku, rosaku që u bë mjellmë me pika të zeza

Belinda Balluku, rosaku që u bë mjellmë me pika të zeza

Dritëhijet e një kryeministri të zënë rob. Pse Edi Rama përfundoi tek kandidatura e Belinda Ballukut për mega Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës? Si është e mundur që personazhi me të shkuarën më të errët të mundshme, pa një diplomë arsimi të lartë dhe sidomos me miliona lekë dëm ekonomik të shkaktuar në institucionet ku ka punuar, është sot një nga njerëzit më të rëndësishëm në pushtet?

Është e vështirë ta gjesh fillin nga t’ia nisësh kur vjen puna tek njerëzit që Edi Rama i ka veshur me para e pushtet. Nëse kryeministri i Shqipërisë ka një dhunti në këtë botë frymorësh, ajo është një dhe e vetme: të mbledhë rreth vetes njerëzit më të errët të mundshëm si nga e shkuara, ashtu edhe nga e tashmja e tyre.

Rasti më tipik i këtyre kohëve është Ministrja (që prej janarit) e Infratsrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Për të ardhmen s’mund të thuhet gjë akoma. Shpresa vdes e fundit dhe çdo shqiptar uron që shpejt të vijë dita e gjykimit për çdo kënd që ka luajtur me fatin e tij.

Por le ti marrim sipas radhës. Për të qenë të drejtë, duhet të pranojmë që Damian Gjiknuri ishte bërë për ta lënë ministrinë që drejtonte prej vitesh. I shfaqur në skenën politike si një nga surprizat e Ramës, Gjiknuri (në fillimet e veta flitej se ishte djalë i zoti e i hajrit në çdo drejtim), është rasti tipik që pushteti i bëri dëm.

I tredhur, si gjithë të tjerët, nga Rama, pra i paaftë për të marrë vetë një vendim a projekt, ish-ministri ra shumë shpejt pre e qejfeve të pushtetit. Ata që e njohin mirë tregojnë për histori të pafundme me pullë të kuqe, alla seks, drogë e rock ‘n’ rroll, që Gjiknuri organizonte në Vlorë. E meqë ishte si bombë me sahat, me sebep të trysnisë dhe situatës së krijuar nga studentët, Rama e largoi me porosinë që “të mbledhë mendjen”.

E ndërsa vëmendja e publikut u tërhoq plotësisht me ministrat lodra që Rama emëroi në vend të të larguarve, pozicionin kyç në Qeveri e zuri dikush që e ka të vështirë të gjejë bashkëpunëtorë që të pranojnë t’i rrinë afër, një emër që duhet të ishte prej kohësh në burg prej abuzimeve të mëparshme, një grua që deri dje tregohej si barcoletë nëpër Tiranë për rrengjet që i bënte ish burrit gazetar pas divorcit, një që tregohet me gisht sepse kur la jetën e refugjates në Greqi erdhi si mantenuta e një greku që gjithashtu e rropi Shqipërinë për vite me radhë e madje bëri edhe emër në qarqe të caktuara të Tiranës.

Si është e mundur atëhere që kjo grua që njihet me emrin Belinda dhe mbiemrin (nga gjyshi), e famshëm Balluku, ia arriti edhe kësaj dite?

Ky mund të jetë vërtet një nga kulmet spektakolare, për të cilat Edi Rama është e sigurt që do paguajë haraç.

E vërteta tjetër gjithashtu është se Belinda spastroi gjithçka që kishte lënë Damiani. Veç emrin e vet, Ministrja e Energjitikës nuk e pastron dot, sado që mban larg vetes çdo njeri që tenton t’i afrohet, qoftë edhe si bashkëpunëtor.

A e dini si është një ditë e zakonshme në zyrën e saj ministrore?

Sekretarja e Ballukut, kur njoftohet se po ngjitet ministrja në zyrë pret se nga cila anë do t’i fluturojë palltoja dhe çana që duhen futur në dollap. Punonjësit e ministrisë janë në ankth nëse do tu duhet të takohen me të sepse Belinda nuk flet, belbëzon, urdhëron ose, në rastin më të mirë, tregon derën se nga duhet të dalin. Me vrap…

Asgjë për tu çuditur për ata që njohin Belindën dhe shefin e saj. Të ngjashëm me punonjësit e vet e ka sjelljen edhe Rama dhe këta të dy, dihet që janë të njohur të vjetër. Të ngjashme kanë gjithashtu edhe të shkuarën dy ortakët e qeverisë aktuale, shef-vartës.

Si Rama edhe Belinda kanë vuajtur shumë një herë e një kohë dhe u është dashur të durojnë jo pak për t’ia arritur kësaj dite. Sepse po të mos kishte qenë për grekun (i famshëm në Tiranë në fillim vitet 2000), Stefanos Oktapodas, Belinda jonë sot e kësaj ditë do të ishte një emigrante e rëndomte në Athinë. Siç thuhet ata u njohën në shtëpinë e një miku të Stefanosit, ku Belinda punonte si punëtore shërbimi. Sytë e bukur të shqiptares e tërhoqën pa masë grekun i cili e solli me vete në Tiranë kur kompania Cosmote bleu të vetmen kompani shqiptare të telefonisë së lëvizshme, AMC. Belinda u kthye duke i premtuar vetes se nuk do të kthehej kurrë mbrapsht.

Nuk ndenji gjatë në AMC sepse për abuzim me fondet u pushua nga puna, por ndërkohë kishte peshkuar një gazetar të famshëm në Tiranë (Sokol Ballën) dhe kishte arritur deri tek kryetari i bashkisë së asaj kohe, Edi Rama, i cili i pëlqente vajzat e llojit të Belindës dhe guximin e tyre për të bërë karrierë.

Të tjerat dihen: Belinda punoi gjatë me Ramën, u kujdes për imazhin e tij dhe të sajin dhe më tej nga këshilltare tek ANTA u bë drejtoreshë e AlbControl. E vetmja gjë për të cilën Belinda është përfolur gjatë drejtimit të saj është abuzimi me fondet (e faktuar edhe nga Kontrolli i Shtetit) dhe dëmi i shkaktuar shtetit në shuma që arrijnë në miliona euro. Siç dihet, një arsye më shumë për të bërë karrierë.

Dhe ja ku është sot Ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, në krye të një fondi të paktën 1 miliardë euro për t’u administruar pa folur për institucione si OSHEE, KESH apo OST. Ajo darovit shefin e vet e siguron paratë që i duhen për të kënaqur edhe nevojat personale për të cilat Shqipëria ka kohë që nuk është një vend i përshtatshëm.

Për rangun e Belindës dhe disa të tjerëve si ajo, ka disa destinacione të preferuara ku qejfi bëhet dhe sekreti ruhet.

Ama askush nuk di të thotë se sa do të zgjasë një çmenduri e tillë. Koha po kalon dhe numërimi mbrapsht ka filluar dhe e vetmja gjë që nuk mund të thuhet me siguri është se cili do të jetë fati i personazheve të tillë shqiptarë./Pamfleti

Editorial Belinda Balluku rosaku që u bë mjellmë me pika të zeza