Sali Berisha, lideri historik i PD nuk ka aspak besim tek Lulzim Basha për rikthimin në pushtet të së djathtës.
Nëse deri më tani këtë fakt e ka deklaruar nën zë, apo ka dhënë përmes simbolikave politike pakënaqësinë ndaj liderit demokrat të zgjedhur prej vetë atij, tani e tutje Berisha ka vendosur të dalë hapur.
Deklarimin hapur për mospajtim me politikën e Bashës në opozitë dhe për më tepër bërjen “dalje” të Bashës, ish kryetari dhe ish kryeministri demokrat e ka bërë në mënyrën më sfiduese të mundshme.
Përmes një postimi në rrjetin social të një aktiviteti të rinisë së partisë që pretendon të bëhet aleate e PD në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LSI së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, Berisha ka dhënë dhe sinjalin e madh të mosbesimit ndaj liderit të PD.
Në formën më të lartë të sfidës për Lulzim Bashën, Berisha publikon “ushtrinë” e LSI-së që do rrëzojë Ramën përmes titullimit: Do e përmbysin narkoshtetin, një shtator i tmerrshëm për Noriegen.
Një përmbysje që nuk i referohet rinisë së PD apo vetë partisë që themeloi dhe udhëhoqi përmbi 20 vite, por i atribuohet një partie të majtë, me të cilën ka qeverisur vetëm 4 vite në koalicion.
Kështu Sali Berisha ka postuar një video ka kampi i të rinjve të LSI-së që po pushojnë në Jalë, ku shpreh besimin se ata do të përmbysin qeverinë “Rama” dhe se shtatori do të jetë i tmerrshëm.
Në video shfaqen edhe mjaft fëmijë të cilët sipas Berishës do t’i bashkohen revoltës popullore.
“Rinia e Tiranes do permbyse narkoshtetin! Nje shtator i tmerrshem per Noriegen dhe narkoqeverinë e tij. Nderim të rejave dhe të rinjve të Tiranës! Fitore! sb”, shkruan Berisha.
Një tregues i qartë se Sali Berisha jo vetëm që nuk beson tek Basha, por teksa e ka bërë “dalje” atë, ka mbështetur tërë shpresën për rrëzimin e Ramës tek Monika dhe Meta./Pamfleti