Ish-bashkëshorti i Shemsie Kadrisë i dërgoi letër ish-kryeministrit demokrat dhe më pas deklaroi në mediat turke se paratë e boses së firmës mashtruese ishin të arkëtuara në Turqi dhe po përdoreshin në Dubai. Berisha në vend që të negocionte me Erdogan për të rikthyer paratë e vjedhura në arkën e shtetit, kërkoi me insistim ekstradimin e ish-truprojës së tij, që vijonte ta akuzonte si të përzier në vrasjen e Hajdarit. Si i ‘dhanë’ në këmbim Aldo Baren dhe heshtja e socialistëve pas ardhjes në pushtet
Në fillim të mandatit të parë të Sali Berishës në qeverisje shumë vetë besuan se ish-presidenti kishte vënë mend dhe do të “nusëronte” mirë për herë të dytë. Për më tepër që qeverisjen e tij e quante me “duar të pastra” .
Tek Berisha filloi të besonte dhe Gani Kadria, ish-bashkëshorti i “boses” së firmës mashtruese piramidale “Gjallica”, Shemsie Kadria, i cili i dha në “pjatancë” një fakt të jashtëzakonshëm.
Në mesin e mandatit të parë, ish-bashkëshori i Shemsies i dërgoi një letër Sali Berishës ku e informonte me fakte se bosja e “Gjallicës” kishte të arkëtuara në bankat turke 300 milionë dollarë të qytetarëve shqiptarë, me të cilat operonte një firmë në Dubai.
Kjo shumë ishte e konsiderueshme, dhe Gani Kadria e pa të udhës të informonte kreun e qeverisë shqiptare të asaj kohe, që të negocionte me palën turke për të ngrirë dhe rikthyer në arkën e shtetit shqiptar këto para të grabitura.
Duke qënë se ish-kryeministri demokrat heshti ndaj një informacioni të tillë, duke mos ndërmarrë asnjë hap, me gjithë marrëdhëniet e shkëlqyera që kishte me Erdogan, informacionin e tij ish-bashkëshorti i Shemsie Kadrisë e deklaroi publikisht në një televizion turk.
Dhe kur pritej që Berisha të dërgonte drejt Turqisë një grup hetuesish për të negociuar për paratë e Piramidave që për pak çuan vendin në luftë civile, kreu i qeverisë shqiptare nisi kërkesën për ekstradimin e Izet Haxhisë, ish-truprojës së tij dhe të dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit.
“Kompetenti” i firmave piramidale sikurse cilësohej Sali Berisha, nuk ishte i interesuar për të “arkëtuar” këto 300 milionë dollarë, por për të çuar deri në fund hakmarrjen e tij ndaj ish-truprojës, i cili i kishte shpeshtuar akuzat ndaj tij, si i përzier në vrasjen e ish-liderit të Dhjetorit.
Opozita socialiste në atë kohë nuk e la këtë lajm të bujshëm në heshtje duke kërkuar hetimin e Shemsie Kadrisë dhe fillimin e procesit për rikthimin e parave të depozituara nga ajo dhe të gjithë bosët e tjerë të Piramidave, në arkën e shtetit.
Ish-kryeministri Berisha jo vetëm që nuk mori parasysh asnjë kërkesë, por nuk la negiociatë dhe premtim pa bërë në drejtim të qeverisë turke në këmbim të ekstradimit të Izet Haxhisë. Por teksa hasi refuzimin e organeve ligjzbatuese turke, Berisha u mjaftua me ndërrimin “kokë më kokë” të Izet Haxhisë me Aldo Baren, i cili u soll në pranga në Tiranë.
Por nga ana tjetër Berisha tregoi se nuk kishte zënë mend nga vjedhja që u kishte bërë shqiptarëve përmes firmave mashtruese, teksa lejoi nën hundën e organeve ligjzbatuese ish-bosen e “Gjallicës” që të riniste ngritjen e firmave të reja Piramidale.
I gjendur në emergjencë valute për likuiditete, pasi tashmë nuk kishte çfarë të shiste më, sepse dhe hidrocentralet e mëdha nuk po shiteshin me gjithë uljen drastike të vlerës, ish-kryeministri mbylli sytë ndaj qarkullimit jashtë bankave të parave, përmes fajdeve.
Shemsie Kadria në fundin e vitit 2012 dhe fillimin e vitit 2013 kishte marrë nga qytetarë të ndryshëm mbi 2 milionë euro, duke ngritur një piramidë të re mashtruese, e cila u denoncua nga qytetarët në marsin e këtij viti në prokurori.
Organi i akuzës, pasi ka pyetur të mashtruarit, e ka dërguar në gjykatë dosjen më 7 mars 2013, për kryerjen e veprës penale të mashtrimit me pasoja të rënda. Ndërkohë që kishte disa muaj që Shemsie Kadria kishte humbur çdo gjurmë.
Pra Berisha nuk kishte hequr dorë nga “vesi” i vjetër i mbështetjes së sistemit piramidal dhe për më tepër që kishte mbyllur sytë si në vitet 1995-1996, si një nevojë për të përballuar zgjedhjet e vitit 2013, ose për ta lënë “litarin jahstë” për qeverinë e socialistëve.
Ndërkohë që pas 6 viteve në pushtet, PS ka harruar premtimet e bëra në opozitë, duke ecur në gjurmët e qeverisjes së Berishës për mbylljen e aferave finananciare, si dhe përfshirjen në vjedhjen e parave të qytetarëve shqiptarë./Pamfleti