Aktualitet16 Gusht 2018, 20:08

Berisha shkel Kushtetutën për Damir Fazlliç. Ish- kryeministri i ‘dhuron’ mikut serb të Shkëlzen dhe Argita Ber

Shkruar nga Pamfleti
Berisha shkel Kushtetutën për Damir Fazlliç. Ish- kryeministri

Berisha shkel Kushtetutën për Damir Fazlliç. Ish- kryeministri i 'dhuron' mikut serb të Shkëlzen dhe Argita Berishës koncesionet në Shqipëri

Ish kryeministri që “përgjërohet” për fatin e Shqipërisë dhe Kosovës, në 8 vitet e tij në qeverisje s’ka lënë koncesion pa i dhënë serbo-boshjakut Damir Fazlliç, me ortakë Argita Berisha Malltezi dhe Shkelzen Berisha. Pas bllokimit, Fazlliç, interkoneksionin Kukës-Prizren e mori nga Rama

Sali Berisha në tetë vitet e qeverisjes së tij, katër vite me aleatët e djathtë dhe katër vite me Ilir Metën, ka dhënë gjithçka me koncesion, duke filluar nga Porto Romano e deri te ‘Pullat Fiskale’.

Dhe gjatë tërë kësaj periudhe ka qënë vetëm një partner i besueshëm me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë, miku i tij serbo-boshnjak Damir Fazlliç.

Kuptohet bashkë me të kanë qënë ndërmjetës dhe përfitues direkt dhe fëmijët e ish kryeministrit, Argita Malltezi Berisha dhe Shkelzen Berisha. Të cilët kanë qënë të përfshirë në të gjitha aferat e mundshme në tetë vitet e qeverisjes së babait të tyre Sali Berisha.

Serbo-boshnjaku  Damir Fazlliç dhe Argita Berisha Malltezi, miku dhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha  kanë përfituar 1,75 milionë euro nga shitblerja e tokave në zonën e Porto Romanos, pasi kishin informacion paraprak se zona do shndërrohej në park energjetik.

Një përfitim me një “dorë”, sepse Berisha me një vendim qeverie pas blerjes së Porto-Romanos nga Fazlliç dhe Argita, e shpalli atë park energjetik, madje miratoi dhe ndërtoi dhe rrugën për tek kjo tokë, e blerë më parë badihava nga dyshja në fjalë.

Por më “spektakolar” ka qënë Sali Berisha në përfitimin nga paratë e shtetit përmes mikut të tij serbo-boshnjak Damir Fazlliç, vetëm disa ditë pas masakrës së 21 janarit 2011 kur u vranë katër demonstrues të opozitës së asaj kohe para kryeministrisë.

Në ditët më dramatike të Shqipërisë pas masakrës së 21 janarit, Kuvendi miratoi një koncesion që shkoi në favor të sekserit të familjes Berisha, Damir Fazlliç për dhënien e monopolit për Pullat Fiskale.

Formalisht koncesioni i jepej një kompanie amerikane, ndërsa kontrata u lidh me filialin e saj në Zvicër. Ekspertë ndërkombëtare e kanë quajtur kontratën të dëmshme për ekonominë shqiptare

Parlamenti shqiptar e votoi në fillim të shkurtit 2011 kontratën koncensionare mes Ministrisë së Financave e kompanisë “Sicpa Security Solution Albania” për dhënien e monopolit të prodhimit të Pullave Fiskale.

Përtej kalimit nga një monopol publik në një monopol privat, kjo kontratë duket se mbart në “background”-in e saj një marrëveshje të fortësh që u kurorëzua në Kuvend në fillim të shkurtit 2011, duke i dhënë fuqi me votat e deputetëve të maxhorancës së djathtë dhe të LSI.

Ministria e Financave zbardhi asokohe dhe lobuesit e kësaj kontrate monopoli mes shtetit shqiptar dhe korporatës amerikane “Sicpa Security”, ndërsa sërish shtytësi dhe ideatori i kësaj kontrate ka qenë Damir Fazlliç, miku serbo-boshnjak i ish kryeministrit Sali Berisha.

Damir Fazlliç kishte propozuar dhënien me koncesion të prodhimit të pullave fiskale, ndërsa në shkurt të 2010 gjithçka ishte gati dhe Ministria e Financave nisi tenderimin për ofertat. Më 5 shkurt 2010 morën pjesë në garë dy kompani për marrjen e këtij koncesioni, “De La Rue International Ltd” si dhe “Sicpa Security Solutions Sa”.

Më 26 qershor 2010 fituese u shpall kompania “Sicpa Security Solutions sa”, ndërsa rivalja e saj në garë kishte konsumuar edhe një ankesë te Avokati i Prokurimeve ku kishte pretenduar një “kurth” të ngritur prej komisionit të ofertave në lidhje me kriteret e dokumentacionit që duhej të përmbushte kjo kompani.

Një muaj më vonë më 7 korrik 2010 Ministria e Financave nisi negocimin e kontratës, që ishte parashikuar të nënshkruhej në mesin e muajit tetor 2010. E gjithë procedura e negocimit u kryen në një mungesë të plotë transparence.

Me këtë çështje janë marrë direkt Ministri i Financave dhe shefi i tij i kabinetit, si dhe dy këshilltarë të kryeministrit Berisha, së bashku me një studio ligjore në Tiranë që ishte dhe përfaqësuese legale e kompanisë “Sicpa Security”. Bëhet fjalë për studion e Argita Berishës.

Asnjë lojtar tjetër nuk ishte i përfshirë në këto negociata, as grupet e interesit, ndërsa ministria e Financave eleminoi çdo lloj tentative edhe nga ana e medias për të marrë informacion lidhur me ecurinë e negociatave.

Duket se negociatat nuk shkuan edhe aq mirë edhe pse palët punonin në fshehtësi totale, pasi ndryshe nga sa ishte parashikuar, kontrata nuk u nënshkrua në mesin e tetorit, por rreth një muaj më vonë.

Pikërisht në momentet e ngecjes së këtyre negociatave, në Tiranë është rishfaqur Fazlliç, kësaj here së bashku me ish- gjeneralin e NATO-s, Uesli Klark, për të lobuar në favor të kompanisë amerikane dhe për të shtendosur mosmarrëveshjet mes palëve.

Klark ka zhvilluar asokohe takim të posaçëm edhe me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, ku i ka kërkuar që nënshkrimi i kontratës të mos vonohej më shumë, ndërsa ka lobuar pranë Saliut edhe në lidhje me disa pretendime të kompanisë për përqindjet e fitimit në prodhimin e Pullave Fiskale për asortimentet e akcizës dhe jo vetëm, siç janë alkooli, duhani, barnat etj.

Dy lobuesit duket se ia kanë dalë të marrin në kohë kontratën me kushtet që preferonte edhe kompania që pritej të merrte monopolin.

Një tjetër aspekt i lidhjes së kësaj kontrate lidhet me kompaninë konsulente të garës, të pajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa garë nga Ministria e Financave. Kjo kompani ishte “Field Fisher Ëaterhouse LLP” dhe ishte ngarkuar prej ministrisë së Financave që të hartonte procedurat për zhvillimin e garës për marrjen e koncesionit.

Dhe pajtimin e kësaj kompanie që do të hartonte “rregullat e lojës” për fitimin e koncesionit e ka sugjeruar i njëjti negociator që sugjeroi dhe fituesin, Damir Fazlliç. Kjo kompani konsulence, e sugjeruar nga Fazlliç, solli në Tiranë dy ekspertë të saj të quajtur Majkëll Krisik dhe Xhon Bridsman, të cilët asistuan Ministrinë e Financave gjatë gjithë kohës.

Ndërkohë kontrata kishte probleme. Zgjidhja SICPA nuk është zgjidhje që lufton kontrabandën e duhanit dhe alkoolit, pasi shërbimi i SICPA-s eliminon produktet me pullë të falsifikuar, ndërsa në Shqipëri problem janë produktet pa pullë dhe jo ato me pullë të falsifikuar.

Ndërsa kredencialet e SICPA nuk janë më të mirat bazuar në raportin e OBSH-së dhe qeverisë amerikane etj, kompania ka pasur një skandal me abuzimin dhe fitimin e kontratës në Filipine çka shkaktoi dhe një skandal qeveritar.

Çmimi i ofruar në Shqipëri është tre herë më i lartë se ekzistuesi. Shteti humbet gati 60 përqind në krahasim me më parë aktualisht shteti merr 1 lek/pullë akcizë ndërsa në bazë të kontratës SICPPA do t’i japë shtetit 2 përqind të 3 lekëve/pullë akcizë ose 0.06 lekë/pullë.

Kompania nuk përfshihet në çmime TVSH-je dhe në taksa të tjera.

Kompania duke operuar në mungesën totale të transparencës mund të godasë dhe dëmtojë grupet e interesit për sa kohë që ka operuar pa bërë asnjë këshillim me askënd por duke operuar e privilegjuar në kontakt të drejtpërdrejtë me rangjet qeveritare. Ndërkohë që skandali konsistonte në faktin se Shqipëria do blejë Pullat Fiskale dy herë më shtrenjtë se vendet e tjera

 

E bllokoi Berisha për Fazlliç, Rama jep miraton Interkonjeksionin Kukës- Prizren

 

Qeveria shqiptare e drejtuar nga Rama, vetëm tre muaj pasi filloi punë, mori vendimin për ndërtimin e linjës së interkoneksionit me Kosovën, duke i dhënë fund makthit të krijuar nga qeveria Berisha, që e anuloi duke e lënë Kosovën në mëshirë të energjisë serbe.

Qeveria e Ramës vendosi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 110 kV Kukës (Shqipëri)-Prizren (Kosovë). Ndërkohë që përfitimet kryesore që do t’i vijnë të dyja vendeve nga ndërtimi i kësaj linje sipas vendimit të qeverisë ishin: Rritja e sigurisë së sistemit shqiptar dhe kosovar. Kjo ndikonte në një fare mase edhe në sigurinë e sistemit rajonal të interkonjeksionit.

Realizimi i një uljeje të kostove të operimit të sistemeve të dy vendeve, si rrjedhojë e operimit e bashkërendimit të përbashkët nëpërmjet kësaj linje. Kjo linjë ndihmon në optimizimin afatshkurtër dhe afatmesëm të burimeve hidrologjike dhe termale, përkatësisht, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Linja e interkoneksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qënë burim debatesh kur qeveria e drejtuar nga Berisha anuloi marrëveshjen me kroatët që kishin dhe financim të bankës gjermane kFË, duke ia dhënë një firme boshnjake, me shumë akuza se kishin interesa serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, miku i Berishës dhe familja e tij.

Kjo solli furtunë debatesh, e akuza ndaj Berishës se po favorizonte biznesin serb të energjisë, pasi mbante të lidhur pas sistemit energjetik serb, Kosovën.

Me këtë vendim, kreu i qeverisë Edi Rama riktheu interkoneksionin me Kosovën që e kishte hequr Berisha nga të gjitha projektet, duke kryer përpos të tjerave dhe një akt kombëtar në funksion të një sistemi energjetik të unifikuar.

Madje media në atë kohë bëri me dije se biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha për ta marrë këtë koncension, pasi të kishin bllokuar kroatët.

“Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”,  thuhej në media në atë kohë.

Megjithatë linja e interkoneksionit 400 KV Tiranë-Prishtinë po realizohet nga firmat Dalekovod dhe Energoinvest.

Pavarësisht se socialistët akuzuan Berishën se bllokoi qëllimisht linjën e interkonjeksionit pasi dëshironte të shpallte fituese firmën Energoinvest, që sipas të majtëve ishte e lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç, pikërisht aty shkoi sërish koncesioni.

Një vit pas ndryshimit të pushteteve, socialistët bënë të njëjtën gjë për të cilën akuzuan Berishën. Energoinvest u shpall nga qeveria Rama fituese e tenderit për pjesën shqiptare të interkonjeksionit. Duke vertetuar postulatin se “paratë nuk kanë ngjyrë”./Pamfleti

Forum