Kosova21 Dhjetor 2022, 14:49

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka përmendur për një konflikt të mundshëm të armatosur, të mërkurën në seancën e Konventës Kombëtare në Parlamentin e Serbisë.

Siç raporton media serbe “B92″, Bërnabiç u ka thënë organizatave joqeveritare, që të “flasin për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë”.

“Ne jemi në prag të një konflikti të armatosur falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Organizatat të shoqërisë civile, ju lutem flisni për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë e M. Ne duhet ta ruajmë paqen sëbashku”, është shprehur Bërnabiç.

Ajo ka pyetur se si është e mundur “që në Evropë të mos ketë asnjë informacion për një të arrestuar tash e 12 ditë”, duke aluduar në ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiç, që u arrestua dhe gjendet në paraburgim nën akuzat për sulm terrorist dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës.

Ish-pjesëtari i MUP-it të Serbisë akuzohet se ishte prapa sulmeve me shok-bomba në zyrat e komisionit komunal zgjedhor në veri.

Bërnabiç ka deklaruar se arrestimi i Pantiçit, si dhe ruajtja e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimi i Asociacionit, janë arsyeja pse serbët gjenden në barrikada.

Sot është shënuar dita e 12-të që kur barrikadat janë vendosur në rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Këto pika vazhdojnë të mbesin të mbyllura.

Prishtine #tensionet ne veri Ana Bërnabiq Kosova Serbia veriu i Kosovës

Kosova