Aktualitet19 Tetor 2018, 13:26

Beteja për pushtet hapet edhe në institucionet e BE-së

Shkruar nga Pamfleti
Beteja për pushtet hapet edhe në institucionet e BE-së

Beteja për pushtet hapet edhe në institucionet e BE-së

Nëse do të ruhet parimi i “Spitzen kandidatit” (kandidatit udhëheqës) edhe pas Jean Claud Junkerit, presidenti i Komisionit Evropian do të vijë nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP), që përfaqëson qendrën e djathtë; por janë së paku 5 poste udhëheqëse në BE që do të duhet plotësuar në vitin që vjen, prandaj edhe beteja ka nisur qysh tash. Shumë do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit Evropian, prandaj edhe zgjedhjet e fundit të majit priten me shumë kureshtje.

Shkruan Agustin Palokaj

Komisioni Evropian ka edhe një vit mandat, por qysh në fillim të verës do të mundë të dimë se kush do të jetë në krye të këtij institucioni ekzekutiv të Bashkimit Evropian. Tashmë kanë nisur të bëhen bilancet e performancës së Komisionit të Jean Claude Junckerit, por edhe të komisarëve përkatës. Juncker gjithsesi mund të mburret me faktin se gjatë mandatit të tij ekonomia e BE-së ka pasur një performancë të mirë, ndoshta edhe më të mirën në histori. Asnjë shtet më nuk është në recesion, papunësia është në nivelin më të ulët, ndërsa është tejkaluar edhe kriza financiare dhe ajo e eurozonës. Edhe plani Juncker për investime ka luajtur një rol të madh në këtë bum ekonomik në BE.

Por ajo që do ta ndjekë këtë komision është edhe procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Jo që kanë pasur faj Juncker dhe Komisioni i tij, por në histori do të mbetet që pikërisht gjatë këtij mandati për herë të parë ndodhi që një shtet të largohet nga BE-ja, përderisa gjatë tërë historisë BE-ja vetëm është zgjeruar. Vetë Juncker kur e nisi mandatin tha se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë zgjerim, pra se asnjë shtet nuk do të bëhet anëtar i BE-së, por as ai nuk ka pasur ide që në vend të kësaj një shtet do të largohet nga BE. Dhe kjo do të jetë një kujtesë e hidhur, gjë që e ka pranuar edhe vetë Juncker.

Vitin që vjen mandati i skadon edhe presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. Do të zgjidhet edhe presidenti i ri i Bankës Qendrore Evropiane dhe ai i Parlamentit Evropian, beteja do të zhvillohet edhe për postet kyç në Komisionin e ri pas Junckerit, sidomos për fushat e rëndësishme si konkurrenca tregtare, financat, zhvillimi rajonal dhe bujqësia, ku shkon pjesa më e madhe e buxhetit, si dhe energjia. Ajo që më së paku do t’iu interesojë forcave politike do të jetë politika e zgjerimit. Por me renome konsiderohet edhe posti i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, pasi ky post automatikisht siguron edhe postin e nënkryetarit të Komisioni dhe ka nën administrim tërë shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së.

Tash kur ka filluar fushata kanë nisur të dalin edhe kandidatët e parë për postin e kryetarit të Komisionit Evropian dhe po licitohet se kush do të mundë të marrë edhe postet e tjera. Por kësaj radhe do të jetë më e vështirë të dihet pasi konstelacioni i forcave politike po ndryshon me shpejtësi të madhe.

Nëse do të ruhet parimi i “Spitzen kandidatit” (kandidatit udhëheqës) edhe pas Jean Claud Junkerit, presidenti i Komisionit Evropian do të vijë nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP), që përfaqëson qendrën e djathtë; por janë së paku 5 poste udhëheqëse në BE që do të duhet plotësuar në vitin që vjen, prandaj edhe beteja ka nisur qysh tash. Shumë do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit Evropian, prandaj edhe zgjedhjet e fundit të majit priten me shumë kureshtje.

Gjasat më të mëdha për të pasur numrin më të madh të deputetëve i kanë konservatorët e EPP-së. Ata qëndrojnë pak a shumë mirë në shtetet kryesore dhe, pasi nuk kanë asnjë anëtar nga Britania e Madhe, nuk do të goditen nga Brexiti. Socialdemokratët pritet të pësojnë dhe të kenë zvogëlim të madh të numrit të deputetëve. Ata në shtetet më të mëdha, si Gjermania dhe Franca, kanë rënë në nivelin më të ulët pothuajse në histori dhe nuk qëndrojnë mirë as në Itali.

Nuk do të mundë të llogarisin as në kolegë nga Britania e Madhe, e cila para këtyre zgjedhjeve do të largohet nga BE-ja. Por gjasat janë që socialistët do të ruajnë, me një diferencë më të vogël, pozitën e dytë në Parlamentin Evropian. Pas tyre, madje edhe me shanse që ta tejkalojnë, do të jenë liberalët, sidomos nëse këtij grupimi i bashkohet lista e presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Liberalët qëndrojnë shumë mirë në disa shtete të zhvilluara të BE-së, por ato nuk janë shumë të mëdha, si Holanda, Belgjika, Luksemburgu dhe Danimarka. Pas tyre mund të radhiten të gjelbrit. Rritje mund të kenë edhe paritë e ekstremit, qoftë të djathtë apo të majtë, por jo për të pasur ndonjë rol vendimtar dhe për të pasur ndikim në ndarjen e posteve udhëheqëse në institucionet e BE-së.

Interesimi më i madh është pikërisht për pasardhësin e Junckerit në postin e Komisionit Evropian. EPP tashmë i ka dy kandidatë për nominimin e tyre. Njëri është ish-kryeministri i Finlandës, Aleksandar Stubb, dhe tjetri shefi i Grupit parlamentarë të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. Në një botë normale Stubb do të ishte favorit i madh, sepse ka një përvojë shumë më të madhe, përfshirë edhe atë të kryeministrit, ndërsa Weber nuk ka pasur asnjëherë ndonjë post të rëndësishëm menaxhues, që është një përvojë e cila nevojitet për dikë që do ta udhëheqtë Komisionin Evropian, organin më të madh të BE-së.

Por Weber është gjerman, nga shteti i tij kjo parti ka edhe numrin më të madh të anëtarëve dhe atë e mbështet edhe kancelarja Angela Merkel. Edhe pse fuqia e zonjës Merkel është në rënie e sipër, prapëseprapë mbështetja e saj për kandidatin në EPP ka rëndësi. Për më pak se një muaj, në Kongresin e EPP-së në Helsinki do të dihet se kush do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Komisionit Evropian.

Edhe socialistët nga qendra e majtë kanë dy kandidatë seriozë. Që të dy janë edhe tash anëtarë të Komisionit Evropian. Njëri është nënkryetari i parë Franca Timmermanss nga Holanda dhe tjetri komisari për Energji, Maros Shefqoviq, nga Sllovakia. Kandidimi i tyre mund t’u shërbejë në pazaret për ndarjen e posteve, por pak ka gjasa që të bëhen kryetar të Komisionit pasi grupimi socialist nuk mund të dalë i pari.

Liberalët nuk e kanë ndarë mendjen ende. Duket se ata nuk do të kenë kandidat fare dhe do ta kundërshtojnë parimin e “Spitzen kandidatit” dhe zgjedhjen ta kthejnë krejtësisht në duart e shteteve anëtare në Këshill. Ata kanë propozuar që në zgjedhjet evropiane të ketë lista transnacionale, pra që të mos ketë lista vetëm të partive nacionale, por në secilin shtet të BE-së të votohet edhe për listën pan-evropiane. Por pasi kjo kërkesë nuk është mbështetur nga partitë e tjera atëherë duket se liberalët nuk do të mbështesin as parimisht që ai grupim që del fitues në zgjedhjet evropiane ta ketë dhe postin e kryetarit të Komisionit Evropian.

Kjo do të thotë se beteja deri në fund do të jetë e hapur, sepse mund të ndodhë që Këshilli të mos e pranojë kandidatin fitues dhe ta zgjedhë një tjetër. Në atë rast Parlamenti Evropian mund ta bllokoj këtë zgjedhje dhe të ketë një krizë institucionale në BE. Në një kohë kur në BE janë hapur ndasitë për shumë çështje, një grindje politike për postet udhëheqëse do të ketë ndikim shumë negative tek qytetarët të cilët edhe ashtu janë gjithnjë e më pak të interesuar për të votuar në zgjedhjet evropiane./Koha.net

Forum Agustin Palokaj institucionet e BE