Kryeministri, pas Arben Ahmetajt, shmang dhe ministrin e Brendshëm Lleshaj, të Financave Denaj dhe të Mbrojtjes Xhaçka, duke lënë menaxhimin e parave në dorë të Çuçit, brenda “familjes”. Eshtë para e madhe dhe Rama nuk ia beson askujt. I jep Majkos kompetencat e Ministrit të Jashtëm, ndërsa Cakajt i kalon kompetencat e ministrit të Diasporës, duke paralajmëruar një “rrokadë” mes dy ministrave respektivë të kabinetit të tij qeveritar
Tani që “vala” e parë e situatës tragjike të tërmetit të 26 nëntorit përfundoi, dhe aksioni i shpëtimit dhe nxjerrjes së trupave pa jetë është në përfundim, Edi Rama po mendon fort për menaxhimin e parave që do të përdoren për eleminimin e pasojave.
Bëhet fjalë për miliona euro që po vijnë nga vendet mike, donatorët, si dhe nga radhët e biznesit, kulturës, artit, të cilat do të futen në punë menjëherë dhe që kërkojnë një njeri të besueshëm që të vihet në krye të këtij menaxhimi.
Rama ka vendosur pa mëdyshje që “komisar” të menaxhimit të pasojave të tërmetit dhe parave që do të përdoren për “Projektin e Rindërtimit” të deklaruar një ditë më parë, të jetë as më pak dhe as më shumë por ministri i Bujqësisë Bled Çuçi.
Duke shmangur hapur ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministren e Financave Anila Denaj, si dhe më kryesorin, ish ministrin e Financave dhe kreun e Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të cilin e përfoli si administrator financiar të situatës, Rama po tregon se paratë nuk i lë në dorë të askujt, vetëm brenda “familjes”. Dhe Çuçi është pjesë e “familjes” për shumë arsye.
Ahmetaj ka qënë i emëruar më parë në krye të menaxhimit të pasojave të tërmetit, por me sa duket Rama është penduar dhe pas 2 muajsh e ka rrëzuar nga “froni” i përdorimit të fondeve që do të hidhen për “Projektin e Rindërtimit”, duke ia besuar këtë detyrë Blendi Çuçit.
E themi këtë pasi janë miliona euro dhe dollarë që kanë vërshuar dhe do të vërshojnë në drejtim të Shqipërisë, dhe duhet një njeri më se i besuar që këto para të shkojnë pa asnjë pengesë në destinacionin e përcaktuar tashmë, oligarkët klientë të Ramës.
“Produket ushqimore duhet të kenë kontroll të përforcuar se mund të jenë shumë të rrezikshme. Angazhimi i shërbimit veterinar për të larguar urgjent kafshë të ngordhura e për të dezifektuar zonën.
Ministri i Bujqësisë do të jetë personi me fuqi të plota për drejtimin e operacionit, për të dhënë urdhëra e për të marrë përgjigje nga gjithë institucionet në kohë reale. Nuk jeni te lutur ta bëni, jeni të detyruar ta bëni”, ka qënë porosia e prerë e Ramës për ministrat e tij, teksa ka ndarë detyrat sipas dikastereve përkatëse, për përballimin e situatës.
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme Rama kërkoi prej ministrit për Diasporën, Pandeli Majko dhe ministrit të Jashtëm Gent Cakaj që të mbajnë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë dhe me të gjithë shqiptarët.,
Ministres së Infrastruktures Belinda Balluku, dhe kryebashkiakut te Tiranës i kërkoi me urgjence të bëjnë listën me apartamentet bosh në Tiranë dhe Durrës.
“Ngarkoj sot ministrin e Bujqësisë, si njeriu që do bëjë me fuqi të plota drejtimin e operacionit. Është një barrë plus për ministrin, ndaj i kërkoj një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbushin përkohësisht boshllëqet që do lërë ministri.
Sfida e ministrit të Diasporës Pandeli Majko, është të mbajë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë, ndërsa ministri i Jashtëm, Genti, të mbajë ndezur kanalet e komunikimit me të gjithë shqiptarët. Edhe unë vetë kam kërkuar vëmendje për Shqipërinë nga jashtë, por kjo nuk bëhet me një letër’- tha Rama.
Një deklaratë e befasishme kjo, pasi i jep Majkos kompetencat e Ministrit të Jashtëm ndërkohë që Cakajt i kalon kompetencat e ministrit të Diasporës, ndoshta duke paralajmëruar një “rrokadë” mes dy ministrave respektivë të kabinetit të tij qeveritar.
Ndërsa ministrja e Infrastrukturës Balluku, së bashku me zv.ministren e Brendshme Voda, dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë specifikisht detyrën që duhet të mbarojnë inventarin e apartamenteve të stokut në Durrës dhe Tiranë, pra që do thotë apartamente bosh, duke shmangur ndoshta në mënyrën më të drejtëpërdrejtë kryebashkiaken e qytetit bregdetar, Valbona Sako.
Ndërsa ka lënë një punë dhe për Zv.ministren e Kulturës për përgatitjen e dosjes së parë të fotove dhe të fakteve nga terreni për të kërkuar mbështetje./Pamfleti