Kosova29 Tetor 2022, 16:41

Bislimi në konferencën e Sigurisë në Beograd: Serbët që nuk i konvertojnë targat në RKS do të gjobiten me nga 150€

Shkruar nga Pamfleti
Bislimi në konferencën e Sigurisë në Beograd: Serbët

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se serbët që nuk do të konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten me 150 euro.

Ai ka njoftuar se gjobitja do të fillojë më 21 nëntor, sipas vendimit të ri të Qeverisë, i cili është marrë të premten.

“Nga e marta deri më 21 nëntor, qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërim, më pas policia do të duhet të shkruajë gjoba, sipas ligjit. Me sa di unë gjobat do të jenë 150 euro dhe qytetarët do të marrin udhëzime si të ndërrohen targat ilegale. Kjo do të zgjasë deri më 21 janar, kur do t’u jepen targat e përkohshme”, tha Bislimi, duke folur përmes videolidhjes, në Konferencën e Sigurisë në Beograd, raporton media serbe “Kurir”.

Në këtë konferencë Bislimi mori pjesë virtualisht, pasi nuk u lejua të ishte prezent fizikisht, pēr çka u detyrua që disa kilometra para se të hyjë në Beograd, të kthehej prapa pasi autoritetet serbe nuk i ofruan siguri.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë për targat, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit. Nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.

Ndërsa, sipas Kurtit, pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, përveç atyre RKS.

Prishtine Besnik Bislimi qeveria e Kosovës Targat ilegale

Kosova