Aktualitet18 Tetor 2018, 13:31

Bixhozi në duart e Olsi Ramës, kryeministri nuk fshihet më: Nga 1 janari do luani me kartë identiteti te ‘Balena blu’

Shkruar nga Pamfleti
Bixhozi në duart e Olsi Ramës, kryeministri nuk fshihet më: Nga 1

Kreu i qeverisë ju dëshmoi të gjithë shqiptarëve se lëvizja e tij mafioze për të mbyllur lojërat e fatit kërkon të monopolizojë biznesin e basteve elektronike, ose të quajtur ndryshe ‘Balena blu’ e Olsi Ramës

Kryeministri Edi Rama ka pranuar sot publikisht se gjithë luftën për mbylljen e lojërave të fatit po e bën për një qëllim të vetëm: t’i kalojë monopolin e fitimeve marramendëse vëllait të tij, Olsit. Nga foltorja e Kuvendit, Rama deklaroi se të gjithë do të mundë të luajnë online me telefon, por duhet të kenë një kartë identiteti bankar, përmes së cilës duhet të paguajnë.

“Online loz dhe në telefon, por duhet të kesh kartë identiteti bankar dhe nuk mund të bëhen dot transaksione as nga krimi, as nga paratë që janë jashtë sistemit bankar dhe as evazion”, tha Rama.

Me këtë deklaratë, kreu i qeverisë ju dëshmoi të gjithë shqiptarëve se lëvizja e tij mafioze për të mbyllur lojërat e fatit kërkon të monopolizojë biznesin e basteve elektronike, ose të quajtur ndryshe ‘Balena blu’ e Olsi Ramës. I pari i qeverisë e pranoi se nga 1 janari i vitit 2019 shqiptarët do të luajnë me kartë identiteti te ‘balena blu’ e Olsit, duke e shndërruar kështu vëllain e tij në një biznesmen të madh, në duart e të cilit do të kalojnë fitimet marramendëse të bixhozit.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri i erdhi rreth e rrotur ekzistencës së një monopoli online, por në asnjë çast nuk tha se do ja heqë këtë monopol kompanisë së Olsit.

Në fakt, propozimi i tij për mbylljen e basteve sportive është pozitiv dhe ne nuk jemi kundër nismës së kryeministrit, por kjo nismë duhet të jetë tërësore dhe gjithëpërfshirëse. Pra, nëse Rama ka vendosur t’iu shpallë luftë lojërave të fatit, duhet me patjetër t’i mbyllë të gjitha bastet, dhe jo të kthehet në një demagog, që vetëm ndërron pronarët e këtyre bizneseve, duke bërë ‘Zot’ të fitimeve galopante vëllanë e tij.

Është e vështirë të besohen deklaratat e kryeministrit për mbylljen e të gjitha basteve sportive, pasi ai po përdor të njëjtin stil siç bëri me mbylljen e universiteteve private. Qytetarët janë të zhgënjyer nga ky kryeministër mashtrues, që pas çdo vendimi kërkon të fuqizojë njerëzit pranë tij.

Të njëjtën gjë, bëri pak vite më parë, kur iu shpalli luftë universiteteve private, duke mbyllur me të drejtë disa prej tyre, por duke monopolizuar dhe shndërruar në një universitet gjigant universitetin e deputetit socialist, Anastas Angjeli, që është një ndër ligjvënësit e ‘mbytur’ në pasuri, ku vetëm për të marrë një diplomë Bachelor-i duhet të paguash 4 mijë euro.

Të njëjtën gjë duket se po bën Rama edhe me lojërat e fatit, ku këtë radhë nën rrogoz qëndron vëllai i tij, Olsi. Për këtë arsye, i kërkojmë kryeministrit të mos bëjë demagogun më kot, por t’i mbyllë të gjitha bastet, ndryshe nisma e tij s’është gjë tjetër, veçse dështimi i radhës i Edi Ramës./Pamfleti

Kryesore bastet sportive Edi Rama lojërat e fatit Olsi Rama