Aktualitet22 Korrik 2018, 17:39

Biznesit i dhurohen 4.9 miliardë lekë për 6 muaj, do t’u japin “leksione” të papunëve si të gjejnë punë

Shkruar nga Pamfleti

Zyrat e punës, kthehen në kurse mësimor

Ndërkohë që mijëra persona dhe kryefamiljarë jetojnë në varfëri ekstreme dhe trokasin përditë në dyert e zyrave të punës, për të gjetur një “copë punë” e nuk i punëson askush qoftë edhe provizorisht, Shërbimi Kombëtar i Punësimit hap “thesin” për të financuar… punëdhënësit (bizneset), duke u dhuruar miliarda lekë nga taksat publike.

Në datë 2 korrik 2018, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, ka njoftuar gjithë të papunët në Shqipëri, se në vend të punësimeve, do të financohen politika punësimi nga bizneset private, të cilët do këshillojnë si të ndërgjegjësohen dhe të aplikojnë për të gjetur punë!

Fondet e politikave të punësimit janë 4.9 miliardë lekë për 6 muajt e mbetur të vitit 2018 dhe do t’i jepen 36 zyrave të punës në 12 qarqet e vendit, të cilat do t’i shpërndajnë për bizneset e zonave, me qëllim që bizneset, në bashkëveprim me zyrat e punës, të nisin zbatimin e një projekti “leksionesh”, për të këshilluar të papunët, se si duhet të kërkojnë… punë!

JA NJOFTIMI ZYRTAR I SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT

“Në zbatim të Programit të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për aplikimin e programeve aktive në tregun e punës, për vitin 2018 nga Buxheti i Shtetit është akorduar një fond prej 490.000.000 milionë lekë. Këshilli Administrativ Trepalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, shqyrtoi dhe miratoi detajimin e fondit të buxhetit të shtetit të akorduar për këtë vit për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit, sipas tabelës bashkëlidhur. Shërbimi Kombëtar i Punësimit, njofton të gjithë punëdhënësit e interesuar se mund të aplikojnë “Online”, ose të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit, ku ushtrojnë aktivitetin”.

 


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet