Kosova21 Dhjetor 2022, 10:38

Blerja e dronëve turq nga Kosova, Vuçiç hidhet në sulm: Kjo do të ndikojë marrëdhëniet Serbi-Turqi

Shkruar nga Pamfleti
Blerja e dronëve turq nga Kosova, Vuçiç hidhet në sulm:

Qeveria e Kosovës nëpërmjet ministrit për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka ka bërë të ditur se po punon në vazhdimësi që të blejë dronë ushtarak Bayraktar nga Turqia.

Megjithatë një kërkesë të tillë nga Kosova, siç  ndodh rëndom, nuk është pajtuar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Sipas Vuçiç, negocimi i Kosovës me Turqinë për blerjen e dronëve ushtarak Bayraktar të cilët u treguan mjaft efikas në luftën në mes të Ukrainës e Rusisë, nuk është një lajm aspak i mirë.

“Kur turqit thonë se po negociojnë për shitjen e dronëve Kosovës, nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe një gjë e tillë do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan”, ka thënë Vuçiç në një intervistë për televizionin e afërt me pushtetin në Serbi, Tv Pink.

Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, ka thënë se blerja e dronëve është një proces afatgjatë pasi aktualisht “çdo shtet dëshiron të ketë dronë të tillë në arsenalin e vetë ushtarak”.

“Çështja e Bayraktarëve sigurisht që është edhe në agjendën tonë. Shteti ynë çdo herë bën studime për këtë dhe janë bërë edhe vizita. Presidentja jonë dhe Ministri i Mbrojtjes ka parë dronët edhe në terren”, deklaroi Damka.

Mu për këtë arsye, Vuçiç i shqetësuar, ka deklaruar se Serbia pas këtij lajmi duhet të forcojë mbrojtjen kundërajrore.

“Asnjë shtet nuk ka të drejtë të armatosë dikë që nuk ka të drejtë të ketë ushtri”, ka shtuar ai.

Prishtine #Dronët nga Turqia Kosova Vucic