Kosova22 Dhjetor 2022, 14:39

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Policia e Kosovës / Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar të enjten raportimet se “i ka bllokuar autobusët me protestuesit serbë që të shkonin në veri për të protestuar”.

Protesta e mbajtur sot në fshatin Rudar përfundoi e qetë dhe pa ndonjë incident, ka konfirmuar Policia.

Ndërkaq bëri të ditur se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1.500.

Sipas Policisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimi të dokumenteve, disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente dhe nuk kanë vazhduar tutje në mënyrë vullnetare.

“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”, thuhet në reagimin e Policisë.

Policia ka theksuar edhe një herë se e njeh të drejtën ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetar i vendit.

Pas tubimit të serbëve lokalë më veri, nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, në Twitter ka postuar “se si serbëve nga jugu i Kosovës u është ndaluar të shkonin për të marrë pjesë në tubim”.

Ai ka postuar një foto të një gjobe, ku thuhet se shoferi i autobusit është ndaluar dhe gjobitur pasi donte të dërgonte personat në tubim.

Prishtine Lista Serbe Policia e Kosovës Protesta në veri veriu i Kosovës

Kosova