Bota16 Qershor 2024, 10:27

Çfarë do të marrë Serbia sipas Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë do të marrë Serbia sipas Planit të Rritjes

Presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi së fundmi se fondi i parë prej 125 milionë eurosh do të mbërrijë së shpejti në Serbi, si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se ky nuk është një dhurim i pakushtëzuar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi, këto janë fonde që do të jepen me kushte të caktuara për përmbushjen e standardeve.

Për të marrë mbështetje financiare si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shtetet e mbuluara nga ky plan, duhet të zbatojnë reforma që do t’u ofrojnë qytetarëve të tyre kushte më të mira jetese.

Serbia ka një detyrë edhe më të madhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit, për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën.

Edhe pse shuma prej 6 miliardë eurosh që planifikon të sigurojë BE-ja për Ballkanin Perëndimor midis viteve 2024 dhe 2027, pritet të “nxisë” rritjen ekonomike të vendeve, qëllimi kryesor këtu është i një natyre politike, konkretisht, për t’i nxitur këto shtete që të respektojnë ligjet, vlerat, politikat dhe praktikat e BE-së, në mënyrë që të bëhen anëtarë në të ardhmen.

Nga ana tjetër, qëllimi ekonomik i këtyre fondeve është integrimi në tregun e përbashkët europian (lëvizja e lirë e mallrave), integrimi dhe dekarbonizimi i tregjeve të energjisë, qasja në Eurozonë, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe punëtorëve, etj.

Nga kjo shumë, 2 miliardë euro do të ndahen në formë grantesh, kurse 4 miliardë euro të tjera, do të shpërndahen përmes kredive, me kamata më të volitshme.

Prandaj, për Serbinë shtrohet pyetja se sa do të arrijnë këto fonde që ta afrojnë vendin ballkanik me BE-në, dhe nëse Serbia do të jetë në gjendje t’i përmbushë kushtet paraprake për të marrë këto para.

Presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se fondi i parë prej 125 milionë eurosh do të mbërrijë së shpejti në Serbi, si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Por ky nuk është një dhurim pa kushte nga Bashkimi Europian, sepse vendi duhet të përmbushë disa standarde.

Për të marrë mbështetje financiare si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shtetet duhet të zbatojnë reforma të caktuara që do t’u ofrojnë qytetarëve kushte më të mira jetese dhe Serbia ka një detyrë më të madhe në raport me rajonin, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ekonomisti Mihailo Gajic shpjegon se ky plan është një mjet financiar i Bashkimit Europian, qëllimi i të cilit është të përshpejtojë rritjen ekonomike në Ballkan dhe ta afrojë atë zonë me Europën, duke lidhur vendet brenda rajonit, por edhe të gjithë rajonin me BE-në.

Sidoqoftë, ai mendon se nuk duhet pasur shumë pritshmëri për efektet e planit, sidomos duke ditur se prej vitesh, janë bërë projekte të ngjashme në Bashkimin Europian, të realizuara përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila gjithashtu investon në projekte infrastrukturore me kamata të ulëta.

Ai shpjegon se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ndryshon nga të mëparshmit, sepse paratë nuk kalojnë përmes mekanizmave të tanishëm si IPA apo BERZH, por ndahen drejtpërdrejt nga buxheti i Bashkimit Europian.

Një risi tjetër është se, nëse nuk plotësohen kushtet paraprake për këtë mbështetje financiare, atëherë BE-ja mund të vendosë të pezullojë dërgimin e fondeve.

“Paratë janë caktuar kryesisht për ndërtimin e infrastrukturës në rajon. Gjithashtu u njoftua se këto fonde mund të bllokohen në rast se vendet kandidate nuk respektojnë disa standarde minimale në lidhje me lirinë e medias, demokracinë, sundimin e ligjit etj.

IPA, e cila deri tani ka qenë mjeti kryesor financiar i BE-së dhe BERZH-it, nuk kishte vendosur kushte të tilla”, thotë Gajic.

Ai thekson gjithashtu se nuk duhet harruar asnjëherë fakti që paratë e dhëna nuk janë falas apo një dhurim, por pjesa më e madhe janë kredi që duhen shlyer.

“Këto nuk janë para që bien nga qielli. Kushtet e huadhënies janë të volitshme, sepse norma e interesit do të jetë më e ulët se ajo me të cilën Serbia merr hua në tregun e lirë financiar dhe është gjithashtu mirë që ato të përputhen me përparësitë e infrastrukturës së tanishme të vendit tonë.

Nuk ka kushtëzim në kuptimin që BE-ja jep para edhe për diçka që mund të mos na nevojitet, por përparësitë e përbashkëta janë të koordinuara dhe të harmonizuara”, shpjegon ekonomisti. / Monitor