Bota 1 Mars 2024, 16:12

Çfarë e motivon shpirtin luftarak të ukrainasve?

Shkruar nga Graham Watts

 

Çfarë e motivon shpirtin luftarak të ukrainasve?
Pamje nga lufta /

Në vitin 1948, Winston Churchill shkroi se të gjitha planet e Gjermanisë naziste u parashtruan hapur në Mein Kampf (manifestin e Hitlerit që u botua në vitin 1925), por bota nuk i kushtoi vëmendjen e duhur, ndaj e pagoi këtë me jetën e miliona njerëzve të pafajshëm. A do t'i kushtojë vëmendje bota tani këtij rreziku, para se të jetë tepër vonë?

Gjykuar nga komentet dhe analizat e shumta në kuadër të përvjetorit të dytë të pushtimit rus të Ukrainës, pikëpamja popullore në Perëndim duket të jetë se lufta nisi më 24 shkurt 2022. Megjithatë, ky agresion - më i madhi nga një vend evropian ndaj një vendi tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore - ishte vetëm një përshkallëzimi i madh i një lufte që kishte filluar 10 vjet më parë.

Gjatë gjithë atyre viteve, në sheshin Mykhailivska në Kiev janë ekspozuar vazhdimisht dhjetëra automjete ushtarake ruse të kapur gjatë luftës në Donbas. Popullsia e Ukrainës është më pak se një e katërta e asaj të Rusisë. Por pavarësisht nga kjo pabarazi, ajo ka arritur ta mbajë larg “ariun” rus për një dekadë.

Sapo jam rikthyer nga Ukraina pas një intervistë të dytë që zhvillova me majorin Bohdan Krotevych, shef i shtabit të Brigadës Azov, dhe oficerin e shërbimit sekret Illya Samoilenko. Ata i pyeta se cilat fenomene i mbajnë forcat ukrainase të luftojnë kundër një ushtrie në dukje të pamposhtshme: “Fryma e lirisë është në gjakun tonë... Ne ukrainasit ose do të fitojnë ose do të vdesim që të gjithë”- më tha Krotevych.

“Kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Ukrainës, ose do të vazhdojë përgjithmonë”- theksoi ai. Forcat ruse kanë pushtuar së fundmi qytetin Avdiivka në qendër të rajonit Donetsk. Ishte suksesi i tyre më i madh që nga marrja nën kontroll e Bakhmut-it në majin e vitit 2023.

Ky zhvillim është një shenjë se fatet e luftës mund të kthehen në favor të Rusisë. Për një kohë të shkurtër u duk sikur Brigada e 3-të Sulmuese e ushtrisë ukrainase mund të rrethohej në fabrikën e koksit, duke na dhënë një përsëritje të frikshme të rrethimit 85-ditor në uzinën e hekurit dhe çelikut Azovstal në Mariupol, pas së cilit Krotevych u dorëzua dhe u mor rob nga rusët (Ai u lirua më pas gjatë një shkëmbimi të burgosurish).

Megjithatë, këtë herë forcat ukrainase shmangën të njëjtin fat, duke u tërhequr me sukses.  Nxitimi për t’i ofruar armë Ukrainës pas pushtimit rus, është zbehur me kalimin e kohës, kryesisht për shkak të ngurrimit në rritje të ligjvënësve në SHBA për të miratuar dhënien e ndihmës së mëtejshme.

Megjithatë, ka disa shenja se vrasja e dyshuar e Alexei Navalny mund ta nxitë Kongresin të zhbllokojë miratimin për paketën e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh. Por ajo është e vonuar. Aktualisht Krotevych është detyruar të nxjerrë në ankand makinën e tij për të siguruar para për municione.

Ndërkohë Samoilenko më konfirmoi se nga ushtarët ukrainas po organizohen shumë fushata për mbledhje fondesh për të vetëfinancuar mbrojtjen e atdheut të tyre. Një tjetër zhvillim i kohëve të fundit është se njerëzit në të 50-at dhe 60-at e tyre po marrin armët për të mbushur boshllëqet në forcat ukrainase.  

Krotevych beson se çështja e ndihmës ndaj Ukrainës, po shihet në Perëndim si një projekt biznesi. “Vendet po peshojnë të mirat dhe të këqijat, përfshirë mundësinë e humbjes, gjë që do të thotë se burimet e tyre janë shpërdoruar. Nuk ka asgjë personale, vetëm biznes.

Unë nuk e kritikoj këtë qasje, por ata që investojnë në Ukrainë duhet të marrin parasysh edhe historinë tonë. Ukraina u ka mbijetuar invazioneve dhe pushtimeve të panumërta gjatë shekujve, madje edhe gjatë të ashtuquajturit Bashkim Sovjetik kur Holodomor (uria e shkaktuar qëllimisht nga Stalini e viteve 1932-1933) vrau miliona ukrainas; shkaërroi gjithçka ukrainase dhe vendi iu nënshtrua një rusifikimi të plotë.

Por ne sërish mbijetuam dhe e ripohuam identitetin tonë kombëtar. Thuhet se “ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”, por për ukrainasit është “ajo që na vret” që e bën kombin më të fortë. Pavarësia dhe liria janë për ne më të rëndësishme se jeta. Ushtarët tanë luftojnë çdo ditë më moton “Më mirë të vdesësh në këmbë se sa të jetosh i gjunjëzuar”- thotë ai.

Siç njoftoi së fundmi edhe presidenti Zelensky, 31.000 kolegë të Krotevych kanë vdekur që nga fillimi i luftës, ndërsa vlerësimet për humbjet e rusëve variojnë nga 120 në 180 mijë.  Samoilenko më tha se ndihma perëndimore është thelbësore për luftën e tyre. “Nëse nuk ia dalim, pasojat do të jenë fatale, sepse nëse dështojmë, radhën do ta ketë Evropa”- thotë ai. Edhe Krotevych, 30 vjeç, është në të njëjtën linjë. “Pengesa e vetme në planet e Putin është Ukraina. Fëmijët tanë e kanë parë tashmë një luftë. Ata po luftojnë. Edhe pse fizikisht në moshë të re, ne jemi tashmë të moshuar nga brenda, po mendojmë për fëmijët e pa lindur, edhe pse jo shumë kohë më parë kemi qenë vetë fëmijë. Ne po luftojmë sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi në fillimin e një Lufte të Tretë Botërore, një luftë për botën e ardhshme, e cila do të ndodhë si pasojë e mos kundërshtimit të ashpër dhe aktiv të Rusisë tani nga Evropa dhe SHBA. Nuk kemi mësuar ende asgjë nga gabimet e gjyshërve tanë”’- thekson ai.

Krotevych e di se për njerëzit është e natyrshme të përsërisin gabimet. “Të gjithë ishin aq të lumtur kur u shemb Bashkimi Sovjetik, saqë nuk arritën të vinin re lindjen e një përbindëshi të ri. Të një vendi hibrid me ambicie perandorake dhe propagandë urrejtjeje për Perëndimin. Televizionet më të rëndësishme të Federatës Ruse, flisnin vazhdimisht për “kalbjen e Perëndimit”.

Gjatë kohës që isha zënë rob, dëgjoja rusët që na thoshin se megjithëse jemi vëllezër të tyre, ne ukrainasit jemi “nën ndikimin e Perëndimit”, dhe se duke na vrarë na çlirojnë nga ky ndikim. Në vitin 1948, Winston Churchill shkroi se të gjitha planet e Gjermanisë naziste u parashtruan hapur në Mein Kampf (manifestin e Hitlerit që u botua në vitin 1925), por bota nuk i kushtoi vëmendjen e duhur, ndaj e pagoi këtë me jetën e miliona njerëzve të pafajshëm. A do t'i kushtojë vëmendje bota tani këtij rreziku, para se të jetë tepër vonë?/Përgatiti Pamfleti nga “The Spectator”

Shënim: Graham Watts, kreu ekzekutiv i Këshillit të Industrisë së Ndërtimit në Britaninë e Madhe.

shpirti luftarak ukrahinasit