Bota19 Prill 2024, 16:44

Çfarë e pengon zgjerimin e ri të BE-së?

Shkruar nga Cesáreo Rodríguez-Aguilera de Prat
Çfarë e pengon zgjerimin e ri të BE-së?
BE /

 Të “zgjerohet” më tej apo të “thellojë” integrimin aktual. Kjo ka qenë një nga dilemat e kahershme gjatë gjithë historisë së Bashkimit Evropian, dhe një pengese e vazhdueshme në procesin e pafund të integrimit evropian. Në kohën që ishte pjesë e unionit, Britania e Madhe mbrojti një BE më të zgjeruar, ndërsa Franca lobonte për një integrim më të thellë brenda anëtarëve ekzistues.

Britanikët u investuan shumë në tregun e përbashkët, ndaj preferenca e tyre për zgjerimin e pacaktuar të numrit të shteteve anëtare i shërbente 2 synimeve: maksimizimit të shkëmbimeve ekonomik dhe vështirësimin sa më shumë që të ishte e mundur e mundësisë së federalizimit politik të BE-së. Pasi pasja e sa më shumë anëtarëve ta bënte çdo proces vendimmarrës më të vështirë.  Edhe pse gjithashtu e interesuar për një treg të zgjeruar, Franca i dha më shumë përparësi fokusit në integrimin politik mbi-kombëtar si një mënyrë për të forcuar themelet e BE-së.

Por zgjerimi i BE dhe thellimi i integrimit të brendshëm nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në fakt, që të dyja ato janë thelbësore për integrimin evropian, dhe në praktikë të dyja politikat bashkëjetojnë, pasi të gjitha zgjerimet që kanë ndodhur deri më sot kanë sjellë ndryshime. Prandaj, debati nuk ka dhe aq të bëjë me zgjedhjen e njërës apo tjetrës, por më tepër në të dhënit më tepër impakt njërës apo tjetrës në balancën e pushtetit midis shteteve anëtare të BE-së.

Të gjitha zgjerimet e BE-së përfshijnë ri-negocimin e rregullave të votimit, si dhe një ndryshim të ndikimit që kanë vende të ndryshme në institucionet e BE-së. Që nga fillimet e saj, BE-ja është zgjeruar drejt lindjes. Dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës 2 vite më parë nënkupton se kjo tendencë pritet të vazhdojë.

Megjithatë, është e paqartë se ku mbaron “Evropa”. Duke parë kandidatët aktualë për anëtarësim,  ia vlen së pari të shqyrtohet zgjerimi i saj i pestë i viteve 2004 në 2007. Pavarësisht mangësive të ndryshme, ai zgjerim ishte shumë i suksesshëm në bërjen më “evropianë” të anëtarëve të rinj sipas standardeve perëndimore.

Megjithatë, është fakt që zgjerimi ishte disi i nxituar. Sepse përfshiu shumë vende, të cilat BE-ja nuk ishte gati t'i pranonte pa pasur pasoja. Ndërkohë këto vende nuk ishin ndoshta plotësisht të vetëdijshme për pasojat e hapit që po ndërmerrnin. Në këtë zgjerim - më i madhi dhe më kompleksi në historinë e BE-së - u zhvilluan negociata me jo më pak se 12 shtete.

Ato ndodhën në 2 faza:10 në vitin 2004 (Qipro, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia) dhe dy në vitin 2007 (Bullgaria dhe Rumania).

Këto vende ishin më pak të zhvilluara se fqinjët e tyre perëndimorë, me demokraci që shfaqnin të meta administrative dhe në sistemin gjyqësor, një shkallë të lartë të korrupsionit dhe mbrojtje të pakët për të drejtat e pakicave etnike.

Nga ana tjetër, zgjerimi nxori në pah disa mangësi të kuadrit institucional të BE-së, siç është nevoja për unanimitet në fusha delikate si mbrojtja, siguria dhe emigracioni. Pranimi i njëkohshëm i kaq shumë shteteve të reja anëtare pengoi ndërkaq edhe shfaqjen e ngadaltë të një identiteti pan-evropian .

Tranzicioni ekonomik dhe social në këto vende ka qenë i vështirë, ndërsa ndryshimet politike nuk i kanë rezistuar gjithmonë reagimeve kritike apo hapave pas. Megjithatë, BE-ja i ka ndihmuar ata të integrohen gradualisht në kuadrin e vendosur nga fqinjët e tyre perëndimorë.

Aktualisht janë 10 vendet aspirante për të hyrë në BE: 6 në Ballkanin Perëndimor (Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) dhe 4 në rajone të tjera (Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia).

Qëndrimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka qenë ngurues, duke shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi. Prandaj, opsioni më realist do të ishte trajtimi i secilit kandidat të mundshëm veç e veç për të krijuar “pako” të veçanta për negociatat. Kur flitet për kërkesat e BE-së, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjenden në pozicionin më të mirë për anëtarësim.

Ndërkohë 3 shtetet e tjera në rajon paraqesin një sërë problemesh. Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e kandidatit, kryesisht për shkak të rrethanave kritike të luftës së vazhdueshme me Rusinë. Bosnje Hercegovina konsiderohet një shtet i brishtë. Dy entitetet që e qeverisin atë - Federata e Bosnje Hercegovinës dhe Republika Srprska - qeverisin duke mos bashkëpunuar siç duhet me njëri-tjetrin. Institucionet e përbashkëta nuk funksionojnë siç duhet dhe serbët etnikë të vendit kanë kërcënuar se do të kërkojnë pavarësi.

Ndërkohë Kosova nuk njihet diplomatikisht nga shumë vende, përfshirë shtetet e BE-së si Spanja dhe Greqia. Serbia ka ruajtur raportet e ngushta me Rusinë që nga shpërbërja e Jugosllavisë. Gjeorgjia nuk ka gjasa të pranohet së shpejti, duke pasur parasysh se ka dy territore nën pushtimin rus (Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë).

Po ashtu mbetet prapa në të gjitha frontet e zhvillimit, dhe është e distancuar gjeografikisht nga pjesa tjetër e BE-së. Ndërkohë në lidhje me Turqinë, është e qartë se BE-ja nuk ka ndonjë interes real për ta pranuar në gjirin e saj. Pas 25 vitesh negociata, është mbyllur vetëm 1 nga 35 kapitujt në total.

Në një periudhë afat (shumë) afatgjatë, ka të ngjarë të shohim zgjerimin e BE-së nga 27 shtetet e saj aktuale deri në 35. Por afati kohor i përfolur shpesh, viti 2030, është jorealist. Përveç dallimeve të mëdha ekonomike me Evropën Perëndimore, përmbushja e kushteve paraqet një sfidë të madhe për kandidatët aktualë.

Kësaj mund t'i shtojmë një sërë mosmarrëveshjesh të pazgjidhura territoriale dhe diplomatike.

BE-ja nuk duhet të përsërisë gabimin e viteve 2004-2007, kur futi njëkohësisht 10 shtete. Është shumë më praktike të kihet një qasje e shkallëzuar, progresive, duke i grupuar vendet në grupe më të vogla, të cilat më pas mund të integrohen gradualisht.

Po ashtu është i nevojshëm planifikimi. Përpara hyrjes së anëtarëve të rinj, do të ishte një lëvizje e mençur të kryhet një reformë e mekanizmave vendimmarrës të Komunitetit Evropian, si dhe mekanizmave të tjerë të kontrollit demokratik që do të përdoren pasi të integrohen anëtarët e rinj.

Përvoja ka treguar se BE-ja ka shumë ndikim në negociata përpara se të anëtarësohet një anëtar i ri, por shumë më pak ndikim më pas. Neni 7 i Traktatit të Lisbonës lejon pezullimin e të drejtave të një shteti anëtar të BE-së nëse ai “shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat është themeluar BE-ja”.

Por diçka e tillë është e pamundur të zbatohet në praktikë. Kërkohet një votim unanim dhe sanksionet ekonomike nuk mjaftojnë për të ndryshuar kursin e qeverive joliberale, siç e ka treguar së fundmi Hungaria e Viktor Orban dhe deri në tetorin e vitit 2023 Polonia e Jaroslav Kaczyński-t.

Çështjet si pandemia dhe lufta e vazhdueshme në Ukrainë janë forca shtytëse pas integrimit evropian. Por me humbjen e fuqisë nga boshti qendror franko-gjerman, opinioni publik nuk është më aq entuziast për integrimin. Rritja e së djathtës ekstreme populiste euroskeptike në të gjithë kontinentin - përfshirë edhe vendet themeluese të BE-së - është një simptomë e kësaj panorame të ngjeshur dhe të fragmentuar.

Sot, BE-ja ka një listë të gjatë sfidash kryesore me të cilat duhet të përballet: mbrojtja e përbashkët (sidomos nëse rizgjidhet president një izolacionist si Trump), tranzicioni energjitik, sfidat mjedisore, prapambetja relative teknologjike dhe dixhitale e Evropës ose politika e përbashkët e pakënaqshme e migracionit etj.

Nëse BE-ja do të zgjerohet nga 27 në 35 vende anëtare, do t’i duhet të kryejë reforma të thella institucionale dhe fiskale. Duhet të ndryshojë norma prej 1 për qind e PBB që jepet aktualisht për BE. Po ashtu duhet zvogëluar përbërja a Komisionit Evropian dhe rishpërndarë kuotat në Parlamentin Evropian.

Hapa të tjerë të rëndësishëm do të jenë dhënia fund e së drejtës së vetos në Këshillin Evropian dhe forcimi i garancive të shtetit të së drejtës. Kjo do të kërkojë një konsensus të gjerë midis forcave kryesore politike pro-evropiane pas zgjedhjeve të qershorit. Pa këtë konsensus, zgjerimet e mëtejshme nuk do të jenë të mundshme./Përshtati Pamfleti nga “The Conversation”

Shënim: Cesáreo Rodríguez-Aguilera de Prat, lektor i shkencave politike në Universitetin e Barcelonës, Spanjë.

Çfarë e pengon zgjerimin e be