Bota19 Qershor 2024, 17:56

Fiksimi i BE-së me “autonominë strategjike” mund ta sakatojë NATO-n

Shkruar nga Liam Fox

Fiksimi i BE-së me “autonominë strategjike” mund ta

Përpjekjet për të krijuar struktura paralele mbrojtëse të BE-së, janë të gabuara dhe rrezikojnë të shndërrohen në projekte tepër të kushtueshme vetëm për hir të vanitetit...

Për dekada me radhë, Bashkimi Evropian është përballur me vizionin dhe ndjenjën e tij të qëllimit: A është një bllok tregtar shtetesh të pavarura, me mendime të njëjta dhe me interesa të mbivendosura, apo një mision për të krijuar një bashkim gjithnjë e më të ngushtë vendesh?

Kjo pyetje është shpesh përgjegjëse për disa nga ngjarjet më të trazuara që ndodhin në politikë. Në vitin 2016, publiku britanik e ndjeu se euro-federalizmi ishte dominues në Bruksel, prandaj edhe zgjodhi të largohej për të mbrojtur sovranitetin dhe zhvillimin e Britanisë së Madhe.

Javën e kaluar, zgjedhjet parlamentare evropiane, sollën një rritje të votave për partitë nacionaliste, duke reflektuar të njëjtin shqetësim. Kufiri tjetër i projektit federalist të BE-së, është marrja e kontrollit mbi atë që i bën shtetet sovrane: çështjen e mbrojtjes.

Në Bruksel janë ndezur sërish debatet se si mund të arrihet kjo. A do t’i vendosin shtetet anëtare të BE-së forcat e tyre të armatosura nën kontrollin e një komande të përbashkët të unionit? Apo Brukseli do të ketë mundësi të diktojë se cilat industri të mbrojtjes duhet të ndodhen brenda unionit, duke i bërë kështu të gjithë anëtarët të varur nga njëri-tjetri dhe nga qendra.

Për fat të mirë, problemet më të rënda nga ky lloji të menduari, sfidohen nga ata në Evropë që dëshirojnë të ruajnë dhe ruajnë sovranitetin e tyre kombëtar. Por si pasojë e kompromiseve në politikë, rrezikon të shfaqet një model konfuz i “bashkimit në fushën e mbrojtjes”, mjaftueshëm sa për të rrezikuar dëmtimin e sigurisë evropiane, por jo mjaftueshëm i fuqishëm për ta mbrojtur atë.

Për shembull, në një kohë kur ka gjithnjë e më shumë kritika ndaj proteksionizmit të SHBA-së në tregti, BE-ja synon të krijojë një industri mbrojtjeje të përbashkët me elementë proteksionistë, e cila mund të dëmtojnë aleatët kryesorë të aleancës së Atlantikut të Veriut siç është Britania e Madhe.

Kontratat e ofruara nga fondi i mbrojtjes i BE-së, mbi bazën e “çuarjes përpara të autonomisë strategjike”, do ta pengojnë aftësinë e shteteve anëtare për të punuar me aleatët në koalicione komplekse dhe në projekte të reja të mbrojtjes, siç ka punuar Italia me Britaninë dhe Japoninë në Programin e Zonës Globale të Luftimit, në funksion të ndërtimit të një avioni të ri luftarak të gjeneratës së gjashtë.

Britania e Madhe është larguar nga Bashkimi Evropian, dhe bashkëpunon me bllokun në një mënyrë ad hoc (rast pas rasti) mbi çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, duke preferuar kryesisht të punojë përmes NATO-s dhe marrëdhënieve tona kryesore dypalëshe.

Kjo pavarësi na ka dhënë mundësinë të ecim vazhdimisht më shpejt dhe më tej në armatosjen e Ukrainës, duke i siguruar asaj tanke në një kohë kur askush tjetër nuk do ta bënte, dhe duke i lejuar aleatët tanë të godasin objektivat brenda Rusisë, ndërsa aleatët e tjerë dridhen nga frika, dhe vetëm më vonë e ndjekin shembullin tonë.

Duke pasur parasysh pavarësinë tonë, do të ketë nga ata, këtu në Londër por edhe në Bruksel që do të thonë se planet e mbrojtjes së BE-së, nuk janë një çështje që i takon Britanisë së Madhe. Por kjo qasje nuk mund të ishte më shumë e gabuar sesa kaq, pasi shfaqja e një bashkimi evropian të mbrojtjes do të ndikonte drejtpërdrejt mbi NATO-n dhe sigurinë e kontinentit.

Vendet janë anëtare të NATO-s, pasi janë shtete sovrane me interes të përbashkët në sigurinë e rajonit euro-atlantik. Ato nuk janë anëtarë sepse besojnë në projektin politik evropian.

Prandaj, një projekt i mbrojtjes së BE-së, rrezikon që ta minojë sigurinë tonë kolektive në 3 mënyra kryesore.

E para ka të bëjë me paratë. Shumë pak anëtarë evropianë të NATO-s, përmbushin aktualisht angazhimin për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për buxhetet e tyre të mbrojtjes. Ndërkaq 80 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s, vijnë nga anëtarët e aleancës që nuk janë pjesë e BE-së.

Për shkak se strukturat e BE-së nuk kërkojnë që anëtarët të angazhojnë më shumë fonde, është thuajse e pashmangshme që paratë të shmangen nga funksionet kryesore të NATO-s.

Rreziku i dytë, është një dublim i organizatës veri-atlantike.

Fiksimet e Brukselit mbi procesin dhe aspektet politike të mbrojtjes, kanë krijuar një labirint iniciativash, programesh dhe akronimesh të mbrojtjes në kuadër të Bashkimit Evropian. Krijimi i organizatave të BE-së është i tepërt, në një kohë kur NATO dhe sistemet kombëtare janë tashmë të konsoliduara.

Rreziku i tretë është dobësia politike e Bashkimit Evropian. Britania e Madhe e di shumë mirë këtë, por aleatët tanë amerikanë duhet ta kuptojnë se nismat e mbrojtjes nga Brukseli nuk do t’i shtohen aftësive aktuale të NATO-s, por do t’i pengojnë këto të fundit përmes përplasjeve të brendshme dhe vetove nga një burokraci e BE-së, e cila do të ishte përgjegjëse për dërgimin e burrave dhe grave në luftime, por në thelb do të ishte e shkëputur nga çdo lloj llogaridhënie.

Një raport i ri nga Instituti Legatum, përshkruan planet e BE-së për një bashkim në fushën e mbrojtjes, dhe përshkruan rreziqet që paraqesin plane të tilla për Britaninë e Madhe. Në mënyrë shqetësuese, edhe manifesti i Partisë Laburistëve, planifikon të bjerë dakord për një pakt sigurie me BE-në.

Ky i fundit, rrezikon të na vendosë në një situatë ku Mbretërisë së Bashkuar mund t’i kërkohet të mbështesë zhvillimin e marrëveshjeve të mbrojtjes së BE-së, mbi të cilat nuk ka kontroll dhe që e dobësojnë sigurinë tonë kolektive.

Përpjekjet për të krijuar struktura paralele mbrojtëse të BE-së, janë të gabuara dhe rrezikojnë të shndërrohen në projekte tepër të kushtueshme vetëm për hir të vanitetit. Rreziqet për sigurinë evropiane janë shumë reale, dhe laburistët nuk duhet të rrezikojnë mbrojtjen tonë kolektive, teksa përpiqen të krijojnë një marrëdhënie më të ngushtë me BE-në për qëllime politike./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

fiksimi i be autonomia strategjike nato