Bota15 Qershor 2024, 21:22

Luftimet në Rafah, vriten 8 ushtarë izraelitë

Shkruar nga Pamfleti

Luftimet në Rafah, vriten 8 ushtarë izraelitë

Tetë ushtarë izraelitë u vranë në jug të Rripit të Gazës të shtunën, njoftuan autoritetet izraelite, ndërsa forcat ushtarake vazhduan ofensivën brenda dhe rreth qytetit jugor Rafah dhe sulmet ajrore goditën disa zona të Gazës, duke vrarë të paktën 19 palestinezë.

Banorët në periferi të qytetit të Gazës thanë se sulmet ajrore izraelite goditën dy shtëpi duke vrarë të paktën 15 vetë. Katër të tjerë u vranë në sulme të veçanta në jug, thanë autoritetet shëndetësore që kontrollohen nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha të shtunën se forcat e saj në qytetin Rafah, afër kufirit me Egjiptin, kishin kapur sasi të mëdha armësh, një pjesë të fshehura në rrjetin e gjerë të tuneleve të ndërtuara nga Hamasi.

Luftimet vazhdojnë në një kohë që përpjekjet për të arritur përparim drejt një armëpushimi dështuan.

Të premten, në kufirin verior të Izraelit me Libanin u shënuan rritje të tensioneve.

Dëshmitarët në Rafah, në kufirin jugor të Gazës me Egjiptin, njoftuan për sulme me helikopterë, ndërsa krahu i armatosur i Hamasit tha se militantët e tij qëlluan me mortaja ndaj trupave izraelite pranë lagjes Tal al-Sultan.

Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit që shkaktoi 1,194 të vdekur, kryesisht civilë, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Militantët morën gjithashtu 251 pengje. Prej tyre, 116 mbeten në Gazë, megjithëse ushtria thotë se 41 janë të vdekur.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 37,266 njerëz në Gazë, kryesisht civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi. Bilanci përfshin të paktën 34 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, tha ministria të premten.

Shqetësimi për zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme është shtuar përsëri, pasi luftëtarët e Hezbollahut me bazë në Liban, të cilët mbështeten nga Irani dhe janë aleatë të Hamasit, lëshuan një sërë raketash dhe dronësh kundër objektivave ushtarake izraelite.

Hezbollahu tha se sulmet intensive, që filluan të mërkurën, janë kundërpërgjigje për vrasjen e njërit prej komandantëve të tij nga Izraeli. Forcat izraelite u përgjigjën me bombardime, tha ushtria, duke njoftuar gjithashtu edhe për sulme ajrore në "infrastrukturën terroriste të Hezbollahut" përtej kufirit.

Dy gra u vranë në një sulm në Jannata në Libanin jugor, tha zyrtari i njësisë Hassan Shur, viktimat e fundit në luftimet gati të përditshme mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga fillimi i luftës në Gazë. /VOA