Bota18 Prill 2024, 10:56

Nga e majta në të djathtë, si u shitën politikanët britanikë tek Rusia

Shkruar nga Ray Elwes
Nga e majta në të djathtë, si u shitën politikanët
Foto Ilustruese /

“E kam ndjerë për 30 vjet se ishte çmenduri të lejoje një numër të madh rusësh të sillnin në Britani atë që është në thelb një kulturë e gangsterëve. Por ndërsa laburistët ishin të interesuar të mirëprisnin rusët e pasur, konservatorët kanë qenë më keq”

Harold “Kim” Philby u rekrutua nga shërbimi sekret sovjetik në vitin 1934. Ai iu bashkua shërbimeve sekrete britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në vitin 1949 ishte emëruar sekretari i parë në ambasadën britanike në Uashington.

Kjo do të thoshte se Philby, figura më e rëndësishme në marrëdhëniet e inteligjencës SHBA-Britani, ishte bashkëpunëtori kryesor i KGB-së ne Perëndim. Ai u demaskua në vitin 1963 dhe tronditja ishte e jashtëzakonshme. Jo vetëm brenda agjencive të inteligjencës britanike, të cilat duhej të përballeshin jo vetëm me dështimin e tyre për të dalluar agjentin e armikut, por edhe nga vetëdija se nëse Philby ishte spiun, atëherë të dyshuar ishin të gjithë.

Ishte ajo atmosferë që u shfrytëzua me mjeshtëri nga romancieri i njohur John Le Carré në veprat e tij, i cili ishte edhe vetë pjesë e shërbimin sekret britanik. Ashtu si Le Carré, edhe Charles Beaumont, ish-oficer i MI6 i kthyer në shkrimtar, ka botuar së fundmi një libër mbi garën e fshehtë midis Britanisë dhe Rusisë.

Në fakt Charles Beaumont nuk është emri i tij i vërtetë. Si një ish-oficer i inteligjencës që ka shërbyer në disa zona lufte në mbarë botën, rregullat e institucionit diktojnë që ai duhet të përdorë një pseudonim në publik. Kur bisedova me të përmes aplikacionit Facetime, ai u shfaq në ekranin tim si një mesoburrë me syze.

Gjykuar nga zhurma në sfond, dukej se ishte në dhomën e pritjes së një stacioni hekurudhor.

Spiunët e Luftës së Ftohtë, si Philby, ishin në thelb hetues të fshehtë, që arritën të depërtonin në departamente qeveritare apo organe kërkimore me qëllim që të vidhnin informacionin dhe t'ia dërgonin Moskës.

“Ajo që duket se po ndodh tani, është në një farë mënyre shumë më madhështore, shumë më ambicioze”- thotë Beaumont. Synimi i Rusisë nuk është më thjesht të vendosë agjentë në institucionet e Britanisë. Tani, thotë ai, ata synojnë “të depërtojnë në të gjithë sistemin tonë politik dhe ta kalbin atë nga brenda”.

Beaumont thotë se ky plan ka funksionuar “në një shkallë shumë të madhe”, duke theksuar si shembull se “një nga donatorët më të mëdhenj të Partisë Konservatore ishte gruaja e një ish-ministri rus”. Fjala është për Lubov Chernukhin, e cila dhuroi në total 1.8 milion paund për Partinë Konservatore. Me këtë shumë, ajo bleu një lojë tenisi me Boris Johnson dhe një darkë me Theresa May.

Se çfarë tjetër mund të ketë përfituar mbetet e paqartë. Pasuria e saj vjen nga bashkëshorti i saj, Vladimir, i cili është i lidhur ngushtë me Kremlinin. Origjina e pasurisë së këtij të fundit mbetet po ashtu e paqartë. “Konservatorët do të mbrohen duke thënë: “Oh, por ata nuk janë rusë, janë qytetarë britanikë. Sigurisht që kështu është, sepse ata i kanë blerë pasaportat britanike”- thotë agjenti.

Në romanin e Beaumont, agjentët rusë rekrutojnë një rrjet spiunësh që arrin të korruptojë nivelet më të larta të shtetit britanik. Një grup këshilltarësh politikë të pazgjedhur, shitës të pasaportave dhe ndërmjetës biznesi, e kanë kthyer Britaninë në një bazë të së djathtës populiste në funksion të përfitimeve të tyre financiare, që të gjitha të nxitura nga paratë e pista ruse.

Sigurisht është një thriller, por korrupsioni që përshkruan është jashtëzakonisht i besueshëm. Edhe disa investigime që janë kryer për ndërhyrjen ruse në jetën publike britanike, sado të përcipta, duket se vërtetojnë pretendimet e Beaumont. Për shembull, në raportin e tij të vitit 2020, Komiteti Parlamentar i Inteligjencës dhe Sigurisë arriti në përfundimin: “Mbretëria e Bashkuar është qartazi një objektiv i fushatave të dezinformimit dhe operacioneve ruse të ndikimit politik, ndaj vendi duhet të përgatitet që t'i kundërvihet përpjekjeve të tilla”.

Kur ia thashë këtë Jonathan Evans, ish-drejtorit të përgjithshëm të MI5, ai u shpreh: “Duke pasur parasysh se rusët kanë një histori të gjatë të ndërhyrjes në jetën politike të vendeve që i shohin si objektiva, atëherë është gati e paimagjinueshme që ata të mos jenë përpjekur të përdorin paratë për këtë qëllim”.

Pasi la punën në MI5, Evans drejtoi Komitetin për Standardet në Jetën Publike, që kryen kërkime mbi financimin e zgjedhjeve. “Ne identifikuam disa dobësi themelore në kuadrin rregullator të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë dukurinë e parave të huaja që hyjnë në sistem”- thekson ai.

Dhe kjo na thotë se megjithëse romani i Beaumont mund të jetë një trillim, ai nuk është fantazi. Pra çështja e parave dhe ndikimit rus në jetën publike britanike mbetet një çështje shumë e ndjeshme, dhe e turpshme. Askujt nuk i pëlqen të pranojë se është mashtruar, veçanërisht politikanëve.

Edhe kur e dinë se janë mashtruar, është e vështirë t’i detyrosh njerëzit të bëjnë diçka për këtë. Por problemi i parave të pista ruse nuk është vetëm i sikletshëm në aspektin psikologjik, por është edhe një poshtërim i madh politik që i kalon linjat partiake. Në fillim të viteve 2000, oligarkët rusë, veçanërisht pronari multi-miliarder i kompanisë energjetike Oleg Deripaska, u afruan me anëtarët e qeverisë së re laburiste.

Paratë ruse kanë pasur ndikim të madh edhe brenda Partisë Konservatore dhe në të djathtën ekstreme, veçanërisht gjatë referendumit të Brexit, kur shuma të mëdha parash nisën të vërshojnë në mënyrë të pashpjegueshme për fushatën “Leave”. Pavarësisht mohimeve nga aktivistët e kësaj të fundit, ka arsye të forta të besohet se një pjesë e parave ishin me origjinë ruse.

Rritja e pranisë ruse në jetën publike britanike ishte fillimisht graduale, dhe më pas shumë e fortë. Një lloj i ri pasunari rus post-sovjetik nisi të shfaqej në Londrën e fund viteve 1990. Ata kishin bërë pasuri gjatë krizës financiare që pasoi rënien e BRSS dhe donin t’i shpenzonin diku.

Kështu këta rusë investuan para në tregun e pronave të kryeqytetit britanik, në arkat e shkollave private dhe në xhepat e menaxherëve të instituteve financiare. Nga fillimi i viteve 2000, në Londër kishte shumë rusë. Ata nisën të tërhiqnin vëmendjen, veçanërisht kur Roman Abramovich bleu klubin e futbollit Chelsea vitin në 2003.

“Kjo arriti kulmin kur Rusia priti Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2014 dhe Kupën e Botës në futboll në vitin 2018. Të gjithë e dinin se rusët kishin dhënë ryshfet. Por kjo nuk kishte rëndësi për sa kohë që ata po blinin pronat tona dhe po i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat tona private”- thotë Beaumont.

Por krahas garave sportive, po shfaqej një Rusi shumë më e errët. Në vitin 2006, Alexander Litvinenko, ish-operativ i FSB-së, u vra nga vrasësit e Kremlinit në Londër duke përdorur polonium, një helm shumë radioaktiv. Vladimir Putin pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Në vitin 2018, operativët rusë përdorën një agjent nervor në Salisbury në përpjekje për të vrarë ish-agjentin dyfishtë rus, Sergei Skripal, duke vrarë aksidentalisht britaniken Dawn Sturgess. Megjithatë, asnjë nga këto ngjarje nuk mjaftoi që politikanët britanikë të nisnin të rishqyrtonin marrëdhëniet e tyre me rusët e pasur.

Përkundrazi, gjatë kthimit nga samiti i NATO-s, ku udhëheqësit perëndimorë kishin diskutuar përgjigjen e tyre ndaj sulmit në Salisbury, Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, mori pjesë në një festë në rezidencën italiane të Evgeny Lebedev. Ai është djali i Alexander Lebedev, oligarkut miliarder dhe një ish-agjent i KGB-së.

Madje në vitin 2020 Johnson i dha Lebedev, tanimë pronar i gazetave britaike “Evening Standard” dhe “The Independent”, titullin e baronit. Gazetari dhe historiani Max Hastings është një vëzhgues i vjetër i jetës publike britanike. “E kam ndjerë për 30 vjet se ishte çmenduri të lejoje një numër të madh rusësh të sillnin në Britani atë që është në thelb një kulturë e gangsterëve. Por ndërsa laburistët ishin të interesuar të mirëprisnin rusët e pasur, konservatorët kanë qenë më keq”- thotë ai./Përshtati Pamfleti “The New European”

Marrë me shkurtime

e majta angleza e djathta anglezi politikanë britanikë rusia