Bota 1 Mars 2024, 18:14

Përshkallëzimi i luftës midis Izraelit me Hezbollahun: Ja cilët janë skenarët e mundshëm

Shkruar nga Mohamed Eldoh

 Përshkallëzimi i luftës midis Izraelit me Hezbollahun: Ja

Një përplasje ushtarake në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut, do të rrezikonte të shkaktonte një efekt domino në mbarë rajonin, duke ndikuar potencialisht në sigurinë ndërkombëtare, tregjet e energjisë, sigurinë detare dhe misionet humanitare...

Tensionet kufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe me bazë në Liban, janë rritur ndjeshëm gjatë 2 muajve të fundit. Pas kundërofensivës së Izraelit ndaj Hamasit në Gaza, pas sulmeve masive të kësaj të fundit në Izraelin Jugor më 7 tetor 2023, Hezbollahu është zotuar se do ta mbështesë Hamasin në luftën kundër Izraelit.

Por pavarësisht këtyre deklaratave, gjatë 2 muajve të fundit, Hamasi nuk ka marrë asnjë mbështetje reale nga Hezbollahu. Në fakt, gjatë njërës prej operacioneve të saj, ushtria izraelite thuhet se gjeti dokumente që konfirmonin se udhëheqësi Sinwar i Hamasit ishte i pakënaqur me Hezbollahun.

Ai mendonte në fillim se Hezbollahu dhe Irani do të përfshiheshin më shumë në luftë, gjë që nuk ka ndodhur. Tre janë arsye kryesore se përse Hezbollahu dhe Irani nuk janë përfshirë më drejtpërdrejtë në ofrimin e mbështetjes për Hamasin.

Së pari, prania e forcave amerikane në Detin Mesdhe, ka krijuar një frenim të mjaftueshëm për të mos lejuar zgjerimin e zonës së konfliktit, gjë që është në përputhje me raportet që tregojnë se Irani e paralajmëroi Hezbollahun që të mos shkaktonte një luftë në shkallë të plotë.

Së dyti, raportet kanë treguar se Hezbollahu nuk ishte plotësisht i informuar mbi kohën e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Kjo ka bërë që Hezbollahu të rivlerësojë përfshirjen e tij të mundshme në një aksion të përbashkët me Hamasin.

Së treti, besohet se Irani nuk i ndërtoi kapacitetet e armatosura të Hezbollahut me një kosto të konsiderueshme gjatë dekadave për të shërbyer si një shumëfishues forcash për Hamasin, por përkundrazi për të vepruar si vija e parë e mbrojtjes dhe fronti i veçantë kundër Izraelit nëse ai përfshihej në ndonjë sulm të drejtpërdrejtë mbi Iranin ose objektet e tij bërthamore.

Dhe kjo e thekson më tej faktin se një përballje në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut do të ishte e rrezikshme. Ndërsa tensionet kufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut u rritën pas ngjarjeve të 7 tetorit, të dyja palët deri më tani janë përfshirë kryesisht në sulme të vogla me një shtrirje të kufizuar.

Shumica e sulmeve të raportuara me raketa dhe dron të Hezbollahut ndodhën në zona të hapura, pa viktima të raportuara nga pala izraelite. Gjithsesi, sulme të tilla përgjatë vijës kufitare kanë shkaktuar vdekjen e 10 ushtarëve izraelitë dhe të 6 civilëve që nga fillimi i luftimeve.

Nga ana tjetër, kundërpërgjigjet e Izraelit gjatë muajit të kaluar, kanë synuar bazat e fillimit të sulmeve të Hezbollahut, depot e armatimit dhe anëtarët e milicive të mbështetur nga Irani në jug të Libanit, me një numër total viktimash që arrin në 270. Sekuenca e incidenteve gjatë 2 javëve të fundit, tregon për një mundësi në rritje të një përplasje të drejtpërdrejtë të armatosur midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Nëse ndodh kjo e fundit, Lindja e Mesme do të rrezikonte të përjetojnë një luftë të gjerë rajonale, pasi në dallim nga milicitë tjera përfaqësuese të Iranit në rajon, në përgjithësi pranohet se Hezbollahu është i stërvitur dhe i pajisur shumë më mirë, dhe kapacitetet e tij mund të krahasohen me ushtritë konvencionale.

Për më tepër, lufta midis Hezbollahut me Izraelin ka të ngjarë të ketë mbështetjen e plotë të milicive shiite në Siri, Irak por edhe të Gardës Revolucionare të Iranit. Në këto kushte gjendemi përballë 3 skenarëve të mundshëm.

Në të parin, pas sulmeve të fundit ajrore të Izraelit ndaj Hezbollahut, Hezbollahu mund të zgjedhë të tregojë vetëpërmbajtje për shkak të presionit nga brenda vendit, duke e kufizuar kështu reagimin e tij. Duke pasur parasysh situatën aktuale ekonomike, Libani nuk do të ishte në gjendje të përballonte një konflikt me Izraelin.

Për më tepër, në këtë vend janë të strehuar 1.5 milionë refugjatë sirianë që i shpëtuan konfliktit në Siri, duke e rritur rrezikun e një krizë humanitare serioze, nëse shpërthen konflikti i armatosur brenda kufijve libanezë. Dhe duke marrë parasysh fuqinë e avancuar ushtarake të Izraelit dhe rrezikun e një konflikti shkatërrues, Hezbollahu pritet të fokusohet në shmangien e një përplasjeje të drejtpërdrejtë

Skenari i dytë, do të ishte një përplasje në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut, e cila do të sillte pasoja të gjera për rajonin dhe më gjerë. Ky skenar mund të shkaktohet lehtësisht nga një provokim i madh apo nga një llogaritje e gabuar nga të dyja palët.

Një luftë në shkallë të plotë në Liban, ka të ngjarë të shkaktojë shumë viktima në radhët e civilëve, zhvendosje të shumë njerëzve dhe shkatërrime të madhe në Izrael dhe Liban, duke e përkeqësuar më tej një situatë tashmë të paqëndrueshme. Ekziston rreziku i konflikteve në Siri, Irak dhe Jemen, së bashku me mundësinë e mbështetjes së plotë të armatosur të Iranit.

Nuk mund të përjashtohet as përdorimi i mundshëm i armëve kimike dhe biologjike, dhe kjo bazuar edhe tek raportet se Hezbollahu tashmë ka transportuar armë kimike nga Siria. Ndikimi i Rusisë në një konflikt të tillë, mbetet një pikëpyetje e madhe, duke pasur parasysh mbështetjen që i ka dhënë Moska regjimit të Asadit në Siri.

Dhe kjo krijon terrenin për një skenar të tretë të mundshëm, ku aktorët e jashtëm dhe fuqitë e huaja mund të luajnë një rol më të drejtpërdrejtë në konflikt, duke e ndërlikuar dinamikën e ngjarjeve dhe duke e rritur rrezikun e përshkallëzimit aksidental të situatës. Ky skenar mund ta thellojë më tej konfliktin, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Kësisoj, një përplasje ushtarake në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut, do të rrezikonte të shkaktonte një efekt domino në mbarë rajonin, duke ndikuar potencialisht në sigurinë ndërkombëtare, tregjet e energjisë, sigurinë detare dhe misionet humanitare.

Po ashtu do të nënvizonte më tej nevojën për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës dhe angazhimin diplomatik, që tashmë po përballet me sfidat e veta në konfliktin e vazhdueshëm në Gaza. Ndërsa Izraeli zotëron aftësitë ushtarake për të rrafshuar qytetet në Liban, ka shumë të ngjarë që Hezbollahu të ketë gjithashtu aftësinë për të goditur kryeqytetin e Izraelit, Tel Aviv, por edhe zona të tjera shumë të rëndësishme, si qyteti-port i Haifës, çka mund ta nxisë Izraelin të nisë një kundërsulm akoma më të madh në Liban.

Në mesin e tensioneve në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet në një diplomaci të nivelit të lartë me të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë Libanin dhe Hezbollahun. Lidhjet e ngushta të Francës me Libanin, bëjnë që Parisi të ketë një ndikim të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet midis Tel Avivit dhe Bejrutit.

Megjithatë, palët e interesuara duhet të kenë gjithashtu parasysh ndikimin dhe përpjekjen e Iranit për të ruajtur mekanizmat që frenojnë sulmet ndaj tij. Prania e forcave amerikane në rajon, e kombinuar me operacionin aktual të udhëhequr nga SHBA-ja në Detin e Kuq, është e dobishme për arritjen e këtij qëllimi./ Përshtati Pamfleti nga “Geopolitical Monitor”

izrael hezbollah skenarët e mundshëm përshkallëzimi i luftës