Anti-Mafia18 Maj 2024, 08:08

“Raiffeisen Bank” rrezikon mbylljen në SHBA, Banka Evropiane ultimatum të shkëputet urgjent nga Rusia

Shkruar nga Pamfleti

“Raiffeisen Bank” rrezikon mbylljen në SHBA, Banka Evropiane

Pas paralajmërimeve të SHBA, vihet në lëvizje Banka Qendrore Evropiane...

Banka Qendrore Evropiane u ka dhë ultimatum të gjitha bankave të Eurozonës me degë në Rusi, që të përshpejtojnë planet e tyre të tërheqjes, për shkak të frikës se mund të goditen nga masat ndëshkuese të SHBA.

BQE u ka shkruar huadhënësve javët e fundit duke kërkuar plane të detajuara mbi strategjitë e tyre të daljes, sipas disa burimeve. Huadhënësit duhet t'i ofrojnë rregullatorit një "plan veprimi" për biznesin e tyre rus që në qershor.

Javën e kaluar, "Raiffeisen Bank" e Austrisë u detyrua të braktisë një marrëveshje për shkëmbimin e aktiveve në Rusi me ato në Evropë pas presionit nga autoritetet amerikane. Ndërhyrja e SHBA-së ka shkaktuar shqetësim tek BQE se RBI dhe huadhënësit e tjerë mund të jenë në shënjestër në ditët në vijim.

"Kjo mund të çojë në dëmtim serioz në sistemin bankar nëse autoritetet amerikane marrin sanksione", tha një person i informuar për qëndrimin e BQE.

Shkresat nënvizojnë presionin në rritje nga Uashingtoni mbi grupet evropiane që mund të mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë më shumë se dy vjet pas pushtimit.

“Përgjigja e BQE-së ndaj ndërhyrjeve të SHBA-së tregon varësinë e madhe të Evropës nga SHBA-ja”, tha një këshilltar i bankave me filialet ruse. "Ne jemi më shumë ndjekës sesa udhëheqës në gjykimet që përfshijnë kompanitë evropiane", vijoi ai.

Thesari i SHBA-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Personi i informuar për pozicionin e BQE-së tha se mbikëqyrësit atje donin të shmangnin që bankat evropiane të përballeshin me një fat të ngjashëm si ABLV, një bankë letoneze që u mbyll pasi departamenti i Thesarit të SHBA-së e akuzoi atë për "pastrim parash të institucionalizuar", si dhe shkelje të sanksioneve të Koresë së Veriut. Më pas ndërpreu aksesin e saj në sistemin financiar të SHBA në 2018. 

Letrat nga BQE janë shkruar me nivele të ndryshme ashpërsie, varësisht nga sa e avancuar është secila bankë në tërheqjen nga Rusia, sipas njerëzve me njohuri për përmbajtjen e tyre. Banka qendrore u ka bërë thirrje bankave të Eurozonës që të kërkojnë një dalje nga Rusia që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Raiffeisen Bank, e cila ka ekspozimin më të madh ndaj Rusisë, i është thënë të zvogëlojë kreditimin e saj në vend me dy të tretat nga niveli aktual deri në vitin 2026. Banka, e cila përballet me gjoba të mundshme nga BQE nëse ajo dështon të përmbushë, tashmë ka tkurrur rezervën e saj të huave ruse me 56 për qind që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, bankave të tjera duke përfshirë UniCredit të Italisë - huadhënësi me ekspozimin e dytë më të madh - u është kërkuar t'i ofrojnë BQE-së një përmbledhje të detajuar të planeve të tyre për operacionet e tyre. UniCredit i është dhënë një afat deri më 1 qershor për t'u përgjigjur. BQE nuk pranoi të komentojë.

UniCredit dhe OTP - banka hungareze që nuk është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të BQE - vitin e kaluar kanë filluar të riatdhesojnë fitimet nga filialet e tyre ruse në formën e pagesave tremujore të dividentëve.

Vitin e kaluar, UniCredit mori 137 milionë euro nga dega e saj ruse, ndërsa OTP mori 135 milionë euro. UniCredit nuk pranoi të komentojë. OTP tha se dividentët e riatdhesuar ishin pjesë e përpjekjeve të saj për të zvogëluar praninë e saj në Rusi.

Fitimet e bllokuara të RBI fillimisht synoheshin të riatdhesoheshin si pjesë e marrëveshjes së planifikuar të shkëmbimit të aseteve prej 1.5 miliardë eurosh. Banka e braktisi marrëveshjen këtë muaj pasi Thesari i SHBA-së paralajmëroi huadhënësin se rrezikonte të shkëputej nga sistemi financiar i SHBA-së nëse do të vazhdonte.

Autoritetet amerikane janë gjithashtu të shqetësuara për raportet e fundit nga Financial Times për zgjerimin e Raiffeisen në Rusi. Banka publikoi 2,400 shpallje pune midis dhjetorit dhe mesit të prillit, shumë prej të cilave deklaruan se banka po kërkonte të rritej në vend. /Përshtati “Pamfleti” nga “Finacial Times