Bota22 Prill 2024, 11:20

Raketat e Iranit mbi Koloseum dhe Kullën Eifel, ministri izraelit ndez polemika: Reagoni para se të jetë shumë vonë!

Shkruar nga Pamfleti

Raketat e Iranit mbi Koloseum dhe Kullën Eifel, ministri izraelit ndez

Dy postime në platformën X, të ministrit të Jashtëm izraelit Israel Katz, ku bën thirrje për të ndalur Iranin që të lëshojë raketat e tij edhe mbi Europë, shoqëruar me foto nën sulm të Koloseumit të Romës dhe Kullës Eifel në Paris, ka ndezur polemika.

"Sulmi i fundit i Iranit ndaj Izraelit është vetëm një pamje paraprake e asaj që qytetet në mbarë botën mund të presin nëse regjimi iranian nuk ndalet. Bota duhet të shpallë IRGC-në (Trupat e Gardës Revolucionare Islamike) si një organizatë terroriste dhe të sanksionojë programin e raketave balistike të Iranit para se të jetë tepër vonë”, shkruan Katz, ndërsa një foto e Koloseumit, si objektiv i Iranit shoqërohet me frazën: "Raketat iraniane që mbërrijnë në një qytet afër jush. Le të ndalojmë Iranin para se të jetë tepër vonë".

Më pas, ministri publikon një video ku shfaqet Kulla Eifel në Paris si një tjetër objektiv hipotetik, shoqëruar me fjalinë: “Revolucioni iranian: vjen në një qytet pranë jush. Le ta ndalojmë Iranin sa nuk është shumë vonë.”

Postimet e Katz ishin një thirrje drejtuar Europës për të bërë çdo gjë që është e mundur për t’i qëndruar në krah Izraelit, por nuk mendon njëjtë homologu i tij italian Antonio Tajani.

Ministri i Jashtëm italian komentoi foton e postuar në platformën X nga kolegu i tij, duke thënë: "Unë nuk mendoj se ekziston mundësia e një sulmi ndaj Perëndimit nga Irani, i cili madje bën gabime të rënda.”

“Dhënia e dronëve Rusisë, dhënia e dronëve dhe armëve Hezbollahut nuk është diçka e mirë. Duhet të shmangim krijimin e panikut", shtoi ai.


Duke iu referuar postimit të dytë me Kullën Eifel, Tajani shtoi: "Ka edhe objektiva të tjera evropiane. Më shumë se shqetësuese, duhet të jemi të qetë".

“Angazhimi është për de-përshkallëzimin”, tha Tajani më tej, duke mos përjashtuar një bisedë me ministrin e Jashtëm iranian në ditët në vijim.

israel katz roma koloseu iran paris