Bota22 Qershor 2024, 22:24

Sfidat dhe përballjet, si do ta udhëheqë NATO-n kryeministri holandez Mark Rutte?

Shkruar nga Pamfleti
Sfidat dhe përballjet, si do ta udhëheqë NATO-n kryeministri
Mark Rutte

Rutte do të marrë frenat e NATO-s në një kohë pasigurish politike serioze në të gjithë aleancën.

Pas një fushate 7-mujore, kryeministri holandez në largim Mark Rutte mori miratimin unanim nga 32 vendet anëtare për t’u bërë Sekretari i Përgjithshëm i NATO pas kreut në ikje Jens Stoltenberg. Rutte mori të enjten miratimin e fundit të nevojshëm nga Rumania.

Një avokat i vendosur i ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe me reputacionin e një lideri që di të ndërtojë konsensuse, Rutte do të marrë detyrën në fillim të tetorit pasi Stoltenberg të japë dorëheqjen. Po si do ta drejtojë ai luftën në Ukrainë, përpjekjet për të forcuar sigurinë evropiane, apo edhe sfidat nga zgjedhjet presidenciale në SHBA me pasoja të mëdha për të ardhmen e Aleancës? Ja çfarë mendojnë disa nga ekspertët e institutit.

Rutte duhet ta mbajë aleancën të bashkuar, për të përfunduar punën e paraardhësit të tij

Philippe Dickinson, zëvendësdrejtor i Nismës së Sigurisë Transatlantike në “Atlantic Council”: Historia do të shohë me dashamirësi udhëheqjen e Stoltenberg. Gjatë 10 viteve të tij si Sekretar i Përgjithshëm, ai ka bërë ndryshime të mëdha në gjeopolitikë për t’i dhënë NATO-s një qëllim të ri ekzistencial dhe një udhëheqje të ripërtërirë. Por mënyra se si NATO do t’i kalojë sfidat e dekadës së ardhshme, do të përcaktojë të ardhmen afatgjatë të aleancës më të suksesshme në botë.

Sfidat për të janë shumë të mëdha: përforcimi i mbrojtjes dhe i mekanizmit në të gjithë aleancën përballë një Rusie armiqësore dhe luftarake, ndihma ndaj Ukrainës për ta mposhtur Rusinë dhe pranimi i Kievit në Aleancë, si dhe përcaktimi i rolit të NATO-s përballë sfidës në rritje që po paraqet Kina.

Dhe ai duhet t’i menaxhojë këto prioritete duke e evoluar NATO-n për të vazhduar me ndryshimet teknologjike me ritme të shpejta, dhe pa lënë pas dore përgjegjësitë e NATO-s kundër terrorizmit dhe menaxhimit të krizave. Por sfida kryesore është ajo politike.

Rutte do të marrë frenat e NATO-s në një kohë pasigurish politike serioze në të gjithë aleancën. Sekretari i ri i Përgjithshëm do të duhet të merret vesh me liderët që do të zgjedhë elektorati në Evropë dhe Amerikën e Veriut muajt e ardhshëm.

Prej shumë vitesh të tij në politikën holandeze dhe në skenën ndërkombëtare, Rutte është një balancues i aftë i marrëdhënieve politike. Është folur shumë për rolin e tij si një “pëshpëritës i Trumpit”, dhe është ajo që e ndihmoi të siguronte këtë post. Kjo zgjuarsi politike, do të vihet në provë në një masë të paprecedentë gjatë viteve në vijim.

Rutte mund të jetë thelbësor për “përmirësimin” e NATO-s

Rachel Rizzo, anëtare në Qendrën për Evropën në “Atlantic Council”: Rutte do të sjellë në aleancë një përvojë të pasur të qeverisjes pragmatike. I mbiquajtur edhe si “pëshpëritësi i Trump”, udhëheqja e NATO-s nga Rutte vjen në një moment shumë kritik, pasi ai do të marrë detyrën më pak se një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Nëse Donald Trump, një kritik i famshëm ndaj NATO-s dhe evropianëve që nuk shpenzojnë aq sa duhet për mbrojtjen e tyre, fiton një mandat të dytë si president i SHBA-së, aleatët do të ndihen të sigurt se Rutte është çelësi për ta mbrojtur aleancën nga Trump. Ai shihet si një lider gjakftohtë dhe konkret.

Di si te sillet me liderët me ego të madhe. Ai ka punuar më parë me Trump (madje duke e lavdëruar ndonjëherë), dhe e kupton nevojën që aleatët evropianë të rrisin pjesën e tyre të barrës së sigurisë evropiane. Së fundi, Rutte ka treguar mbështetjen e fortë të Holandës për Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e avionëve luftarakë F-16 për të ndihmuar Kievin të shmangë sulmin brutal të Rusisë.

Atëherë, a do të duket ndryshe Aleanca nën udhëheqjen e Rutte? Paraardhësi i tij, Stoltenberg, njihet si një mjeshtër i diplomacisë, dhe e ka drejtuar me shkathtësi aleancën

32-anëtarëshe, në mënyrë që ajo të flasë me një zë,. Kjo është një veti thelbësore, duke pasur parasysh gjeopolitikën komplekse brenda dhe përtej kufijve të Evropës. Duhet të presim që Rutte të jetë i aftë edhe në këtë aspekt. Tek e fundit, ai e ka udhëhequr vendin e tij si kryeministër për 14 vitet e fundit.

Rutte mban një rekord të jashtëzakonshëm, por ka një mision të vështirë përpara tij

Dominykas Kaminskas, bashkëpunëtor i Nismës së Sigurisë Transatlantike në “Atlantic Council”: Rutte do të marrë detyrën në një moment vendimtar për NATO-n. Teksa ka shumë diskutime mbi unitetin në kuadër të 75-vjetori të aleancës dhe samitin e ardhshëm të Uashingtonit, është e rëndësishme që ai jo vetëm të projektohet, por edhe të sigurohet.

Është e vështirë të mendosh për ndonjë emër tjetër, që do të ishte më i përshtatshëm për këtë detyrë sesa Rutte. Megjithatë, sfidat do të jenë të mëdha edhe për dikë me përvojë si ai. Pavarësisht të gjitha diskutimeve se NATO-ja është aleanca më e fortë, më e madhe dhe më e mira në shumë aspekte, ajo është gjithashtu më e larmishme se kurrë ndonjëherë. Rutte mund të jetë shumë pragmatik, por në një kohë kur rendi global i bazuar tek rregullat gjendet nën një kërcënim serioz, NATO kërkon një udhëheqje e cila duhet të shtrihet përtej asaj për të cilën mund të bien dakord të gjithë.

Ne e dimë që kryeministri holandez mund të gjejë konsensus kur gjendja është e vështirë. Por mbetet të shihet, nëse ai do të jetë në gjendje t’i nxitë aleatët të bëjnë sakrifica dhe të marrin vendime që në rrethana të tjera nuk do t’i merrnin.

Kundërshtarët e NATO-s, duhet të shohin tubimin  e të gjithëve rreth udhëheqësit të ri që në samitin e Uashingtonit

James J.Townsend Jr. këshilltar në Nismën e Sigurisë Transatlantike: Stoltenberg dha një shembull të shkëlqyer se si mbahet aleanca e bashkuar, si gjatë turbullirave politike, ashtu edhe në kohë lufte. Ai do t'ia dorëzojë këtë trashëgimi Mark Rutte, udhëheqësit holandez me përvojë, i cili tani duhet ta çojë përpara dhe ta lërë trashëgiminë e tij.

Për të mbajtur NATO-n të bashkuar në kohë lufte, duhet një forcë karakteri, të cilën Rutte e ka me bollëk, si dhe një përvojë politike që do ta ndihmojë atë të punojë dhe shmangë pengesa të shumta. Këtë vit, Rutte ka nevojë për mbështetjen e plotë jo vetëm të aleatëve, por edhe të Shtabit Ndërkombëtar dhe autoriteteve ushtarake të NATO-s.

Ndryshimi i lidershipit në NATO është i vështirë, sidomos pas një mandati të gjatë sa ai i Stoltenberg. Por samiti i korrikut, është koha e duhur që kundërshtarët e NATO-s ta shohin aleancën duke u tubuar pas njërit prej liderëve më me përvojë të Evropës, teksa i thotë lamtumirën njërit prej Sekretarëve të Përgjithshëm më të mëdhenj të NATO-s. /Përshtati "Pamfleti" nga "Atlantic Council”