Bota22 Qershor 2024, 18:18

Si ndalet aksi anti-evropian që drejtohet nga Rusia!?

Shkruar nga George Meneshian

Si ndalet aksi anti-evropian që drejtohet nga Rusia!?

Për ta prapësuar këtë prirje të rrezikshme, Evropa duhet të ndërmarrë reforma të guximshme dhe gjithëpërfshirëse  të institucioneve të saj për të përshpejtuar formimin e një bashkimi demokratik më të gjerë e koheziv që të frenojë rritjen e euroskepticizmit, në vend se ta frymëzojë atë.

Një bosht i ri po shfaqet në horizont. Rusia, Kina dhe Irani, po bashkohen në një koalicion tiranësh, që është i vendosur të ndërtojë një rend botëror rival, bazuar tek autokracia dhe shtypja e të drejtave të njeriut. Manovrat strategjike të presidentit rus Vladimir Putin në Kaukazin e Jugut po përshkallëzohen.

Atje po shfaqet një aleancë e frikshme, që synon të rivalizojë aleancën e përçarë të Evropës. Gjeorgjia, nën sundimin e kryeministrit të saj miliarder dhe pro-rus, ka miratuar së fundmi një ligj shumë të rreptë për median, i quajtur edhe si “ligji rus”, që kriminalizon mediat e huaja.

Ky hap hidhet në një kohë kur Armenia fqinje, po orientohet drejt Perëndimit për partneritete ekonomike dhe të sigurisë, duke hedhur poshtë lidhjet e saj tradicionale me Rusinë, pasi u braktis në konfliktin e saj me Azerbajxhanin mbi rajonin e Nagorno-Karabakh.

Protestat kundër ligjit të ri të medias në Gjeorgji, janë pritur me një kundër-përgjigje brutale  nga regjimi pro-rus. Ndërkohë në Armeni, protestuesit kundër rreshtimit perëndimor të qeverisë së tyre, gëzojnë një mbështetje të gjerë nga Rusia. Forca e strategjisë shumëplanëshe të Rusisë, qëndron pikërisht tek fleksibiliteti i saj.

Në Gjeorgji, ajo po përballet me sukses me pushtetin e qeverisë, ndërsa në Armeni, po e përmbys atë.  Evropa duhet të jetë po aq fleksibël në kundërpërgjigjen e saj. Sepse nëse makinacionet e Moskës lihen të pakontrolluara, atëherë pasojat ekonomike të këtyre ndryshimeve do të jetë të mëdha.

Gjeorgjia është gati të bëhet një strehë e sigurt për oligarkët rusë të sanksionuar nga Perëndimi, falë një ligji tjetër të ri, që i dëmton rëndë sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje mund të përmirësohet, dhe të shkëmbehet me ri-integrimin e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë të mbështetur nga Rusia.

Kjo e fundit, e ka mbajtur në pushtet për më shumë se një dekadë partinë aktuale qeverisëse në Gjeorgji. Dhe sondazhet e fundit  brenda vendit, tregojnë se ajo është një çështje më urgjente sesa anëtarësimi në BE. Për me tepër, ky ligj ka një synim të dyfishtë:Gjeorgjia është pozicionuar hapur për shfuqizimin e këtij ligji në të ardhmen, si një mjet në pazarin me Brukselin për anëtarësimin në BE.

Kina është një tjetër përfituese e ri-rreshtimit të Gjeorgjisë dhe skemave të Rusisë. Gjeorgjia e transferoi kontrollin e një porti strategjik të sajin në Detit të Zi, nga një kompani amerikane tek një kompani kineze, duke përmbushur vizionin e Kinës për të kontrolluar kabllot nënujore që bartin gjithë trafikun e internetit në botë.

Kjo lëvizje përkon me luftën e vazhdueshme të Kinës në Detin e Kinës Jugore, ku ajo  pretendon haptazi ujërat territoriale të disa shteteve, përfshirë Malajzinë tradicionalisht neutrale, dhe rajonin e saj Sabah shumë të pasur me naftë.

Konteksti më i gjerë gjeopolitik në Sabah të Malajzisë, pasqyron kryesisht grindjet për rajonet e shkëputura të Gjeorgjisë, me avokatët e vetë Kinës që janë vendosur të vjedhin  sekretet e teknologjisë perëndimore. Nëse vazhdojmë të sillemi me vetëkënaqësi, ligjshmëri dhe në mungesë të një alternative bindëse, ne do t’i humbim këto luftëra të fshehta përballë boshtit në zhvillim të Rusisë, Kinës dhe Iranit.

Situata në Armeni nënvizon rrezikun për Evropën. Kryeministri Nikol Pashinyan, shumë i zhgënjyer nga kriza e Nagorno-Karabakut, i është drejtuar Evropës për mbështetje, por deri tani nuk ka përfituar asgjë. Pavarësisht thirrjeve të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, që Evropa të shtojë mbështetjen e saj për Armeninë, Azerbajxhani po ndjek ende lirshëm pretendimet për territorin sovran armen kundër qeverisë së izoluar të Pashinyan. Reagimi i Evropës ka qenë gati jo ekzistent. Nëse gjërat mbeten kështu, vetëm sa do të forcohet ndikimi i Rusisë në Kaukazin e Jugut.

Për ta prapësuar këtë prirje të rrezikshme, Evropa duhet të ndërmarrë reforma të guximshme dhe gjithëpërfshirëse  të institucioneve të saj për të përshpejtuar formimin e një bashkimi demokratik më të gjerë e koheziv që të frenojë rritjen e euroskepticizmit, në vend se ta frymëzojë atë.

Forcimi dhe zgjerimi i sanksioneve kundër  klasës në rritje të ndërmjetësve të Rusisë, duhet të jetë pjesë e kësaj reforme. Pa veprime të vendosura në këtë aspekt, shtetet e BE-së si Hungaria, Serbia dhe Sllovakia, do të rrëshqasin edhe më tej në orbitën e Rusisë.

Së dyti, Evropa duhet t’i japë fund varësisë së saj energjetike në rritje nga Azerbajxhani. Një politikë energjetike e bazuar tek slogani “jo Rusisë” nuk mjafton, veçanërisht duke pasur parasysh zgjerimin e tregtisë së Aliyev me Putinin, dhe që përfundimisht do t’i kundërvihet angazhimit të Evropës për  t’u distancuar nga karburantet fosile, siç është rënë dakord në samitin e fundit mbi klimën COP28.

Në Dubai, presidenti i COP Sulltan Al-Jaber, arriti një konsensus me gati 200 shtete për “tranzicionin”  nga karburantet fosile drejt energjisë së gjelbër. Si blloku më i madh nënshkrues i marrëveshjes, Evropa duhet ta interpretojë si një dobësi strategjike mbështetjen e saj ndaj regjimeve si ai i Aliyevit, të cilës duhet t'i japë fund për të krijuar një strategji të fortë sigurie.

Për t’u mbrojtur ndaj këtyre kërcënimeve me shumë nivele, është thelbësore që shtetet evropiane të shpenzojnë shumë më tepër se 2 për qind për mbrojtjen, jo vetëm për të adresuar sfidën e një klime gjeopolitike globale gjithnjë e më të brishtë, por edhe për të treguar kapacitet për ta përdorur si fuqinë e butë, ashtu edhe forcën shkatërruese.

Nëse Kaukazi i Jugut rreshtohet pas aleancës së Putinit, dhe loja e Kinës ka sukses në Detin e Kinës Jugore, atëherë Perëndimi do të përballet me një bashkim të gjerë të ndërtuar mbi autokracinë, forcën dhe gërryerjen e të drejtave të njeriut, dhe kjo jo në pragun por në mesin tonë. /Përshtati "Pamfleti" nga “The Hill”

Shënim: George Meneshian, studiues në Institutin e Uashingtonit për Mbrojtjen dhe Sigurinë.