Bota18 Prill 2024, 13:35

S’ka paqe në Evropë pa mposhtjen e imperializmit rus në Ukrainë; rrezikohet Kosova dhe Bosnja

Shkruar nga Karl Pfefferkorn
S’ka paqe në Evropë pa mposhtjen e imperializmit rus në
Putini dhe ministri i tij i Mbrojtjes /

Botëkuptimi i Serbisë së Madhe, vazhdon ende sot 25 vjet pas shkatërrimit të Beogradit nga bombarduesit e NATO-s. Bosnja mbetet shembulli i një shteti të dështuar falë irredentizmit kokëfortë të minoritetit serb atje. Kosova mbetet subjekt i kërcënimeve të vazhdueshme dhe agresionit të fshehtë nga Beogradi...

Katër vjet përpara se të bëhej president në vitin 1981, Ronald Reagan shpalli politikën e tij të Luftës së Ftohtë: “Ne fitojmë, ata humbin!”. Ai nuk mund të kishte ofruar dot një përshkrim më të mirë të një rezultati me shumën zero të atij konfliktit, në të cilin suksesi i Perëndimit kërkonte humbjen e Bashkimit Sovjetik.

Vlen të kujtojmë se sa radikale ishte deklarata e Reagan në atë kohë. Fryma e detantës (uljes së tensioneve) sundonte ende në vitin 1977, dy vjet pas misionit të përbashkët hapësinor Apollo-Soyuz, dhe 2 vjet përpara se pushtimi sovjetik i Afganistanit t'i jepte fund procesit të përmirësimit të marrëdhënieve midis 2 superfuqive.

Arkitektët e kësaj qasjeje iu shmangën skemave të ngurta me shumën zero në, favor të rezultateve reciprokisht të dobishme me sovjetikët, si stabiliteti strategjik, marrëveshjet mbi kontrollin e armëve dhe një njohje reciproke e sferave legjitime të ndikimit të secilës nga superfuqitë.

Sakrifikimi i lirisë së Evropës Lindore, dukej si një lëshim i arsyeshëm nëse përmirësonte sjelljen e sovjetikëve diku tjetër. Alternativa e drejtpërdrejtë e Reagan u tregua të ishte shumë parashikuese. Bashkimi Sovjetik jo vetëm që e humbi Luftën e Ftohtë.

Ai u shemb pak vite më vonë, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbetën superfuqia e vetme në botë. Atëherë ashtu si tani kishte një paragjykim midis hartuesve të politikës së jashtme perëndimore në favor të kompromiseve “fitues-fitues”. Në fakt një qasje për të krijuar enkas kompromise është shumë më shpërblyese sesa kokëfortësia që kërkohet për të triumfuar në një përballje “fitues-humbës”.

Njerëzit e qytetëruar preferojnë që t'i zgjidhin problemet përmes kompromisit të pëlqyeshëm sesa përmes vendosjes së kushteve ndaj atyre që nuk i dëshirojnë. Ndërsa kjo prirje është e admirueshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis aleatëve, ajo është e rrezikshme kur përballesh me kërkesat e një kundërshtari të huaj që është i vendosur të fitojë në kurrizin tonë.

Marrëveshja bërthamore e vitit 1994 me Korenë e Veriut, përbën një shembull negativ. Kim Jong Il ishte i vendosur që të pajisej me armë bërthamore. Administrata Clinton pretendoi se një marrëveshje e negociuar e kishte ndalur këtë problem.

Gjë që sigurisht na çon tek lufta në Ukrainë, një konflikt klasik me shumën zero që nuk i nënshtrohet negociatave empatike. Ose Rusia e nënshtron Ukrainën, ose Kievi ruan sovranitetin e tij të pakufizuar. Që të dyja nuk mund të realizojnë dot qëllimet e tyre në këtë luftë.

Taktika e çuditshme perëndimore e dhënies së ndihmës dhe armatimit të mjaftueshëm për të parandaluar vetëm humbjen por jo fitoren e Ukrainës, është e shpjegueshme vetëm si pjesë e një strategjie të heshtur të prirur për të ruajtur mundësinë për një kompromis të negociuar me Putinin.

Kievi, polakët dhe shtetet baltike e denoncojnë këtë qasje. Sipas tyre, asgjë tjetër përveç disfatës nuk do ta shpërdorojë Rusinë nga fantazitë e saj neo-perandorake. Çdo kompromis që ofron lëshime për të qetësuar Putinin, ka të ngjarë të nxisë ambicien e tij për të provuar sërish pasi të hiqen sanksionet dhe kur Rusia të ketë mundësi të rindërtojë forcat e saj të dërmuara.

Ndjekja e një kompromisit të negociuar është një objektiv iluzor, sepse njëra palë duhet të humbasë për të ngopur orekset e kundërshtarit. Përpjekja e fundit për ta ndalur konfliktin në Ukrainë vjen nga presidenti turk Erdogan.

Ai propozon ngrirjen e vijës aktuale të frontit, angazhimin e Rusisë dhe Ukrainës për “mosndërhyrje” reciproke, referendume në territoret e pushtuara deri në vitin 2040, mosangazhim të Ukrainës deri në vitin 2040, dhe angazhim të Rusisë për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Erdogan shpreson që përjashtimi i Ukrainës nga NATO për 15 vjet është mjaftueshëm tërheqës që Putin të pranojë anëtarësimin në BE për Kievin. Anasjelltas, anëtarësimi në BE është shumë tërheqës për Kievin, që mund të pranojë të heqë dorë nga NATO dhe të pranojë që territoret e pushtuara të mbeten të tilla të paktën deri në vitin 2040.

Erdogan ka të ngjarë të hamendësojë se perspektiva e një ofensive të madhe ruse këtë verë, mund ta shtyjë Zelenskyin të negociojë tani përpara se të humbasë ndonjë territor tjetër. Por kompromisi i propozuar nga presidenti turk nuk ka gjasa që t’i bindë palët luftarake.

Putin beson se mund të shkatërrojë ushtrinë ukrainase gjatë muajve apo edhe viteve të ardhshme nëse është e nevojshme. Zelenskyy nuk mund ta lërë mbijetesën e vendit të tij në fatin e premtimit të Putinit për “mosndërhyrjeje” të Putinit. Po ashtu, ai nuk mund të heqë dorë nga premtimi i tij i deklaruar shpesh për të rimarrë territorin e pushtuar dhe për t’iu bashkuar NATO-s.

A mund të gjendet ndonjë kompromis kur objektivat konkurruese të luftës janë me shumën zero? Në rastin më të mirë, propozimi i Erdoganit do ta ngrinte konfliktin, derisa Putin të jetë gati ta ripërtërijë atë. Konfliktet ushtarake me shumën zero, gjejnë zakonisht zgjidhje përmes luftës.

Kështu Perandoria e Japonisë nuk i mbijetoi dot sulmeve atomike në Hiroshima dhe Nagasakit. Ushtria e Kuqe sovjetike i dha fund dominimit nazist mbi Evropën Lindore. Sot askush në Perëndim nuk synon një luftë totale me një shtet me armë bërthamore, lideri i të cilit ka kërcënuar disa herë me përdorimin e tyre.

Por Perëndimi duhet të pranojë se Ukraina po lufton më shumë se ushtria ruse. Ajo po ndeshet me një mentalitet perandorak të njëjtë që e shtyu dikur Gjermaninë dhe Japoninë të nënshtronin fqinjët e tyre. Dhe kjo e bën konfliktin shumë më pak të përshtatshëm për kompromis.

Paqja nuk do të vijë nga rregullimi i kufijve në hartë apo nga nënshkrimi i marrëveshjeve për mosndërhyrje. Kujtojmë rastin e Serbisë, që nisi dikur luftërat për të ribashkuar “Serbinë e Madhe” dhe njerëzit e së cilës ushqejnë një kompleks të viktimizimit kombëtare ndoshta të barabartë me atë të Rusisë.

Botëkuptimi i Serbisë së Madhe, vazhdon ende sot 25 vjet pas shkatërrimit të Beogradit nga bombarduesit e NATO-s. Bosnja mbetet shembulli i një shteti të dështuar falë irredentizmit kokëfortë të minoritetit serb atje. Kosova mbetet subjekt i kërcënimeve të vazhdueshme dhe agresionit të fshehtë nga Beogradi.

Serbia nuk do të lejojë as Bosnjen dhe as Kosovën të shndërrohen në vende normale evropiane edhe pas disfatave ushtarake të njëpasnjëshme përballë Perëndimit. Serbia sillet në mënyrë të moderuar vetëm sepse i frikësohet NATO-s dhe dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Duke pasur parasysh se NATO nuk do të dërgojë asnjëherë avionët e saj bombardues për të nënshtruar Kremlinin, dhe BE-ja nuk do ta pranojë kurrë Rusinë në union, si mund të presim në mënyrë të arsyeshme që Moska të heqë dorë nga planet e saj perandorake ndaj Ukrainës?

Me pak fjalë, nuk e bëjmë dot këtë. Perandoria është një përbërës i lindur i shpirtit ortodoks rus, i konfirmuar tashmë zyrtarisht nga Patriarku Kirill. Meqë Rusia ka të ngjarë të mbetet e dehur nga arroganca perandorake, vetëm anëtarësimi në NATO mund të krijojë frenimin e nevojshëm për një paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.

Anëtarësimi i shpejtë në BE, do të gjenerojë një nivel më të lartë zhvillimi në Ukrainë se ai që gëzojnë aktualisht rusët. Suksesi ekonomik i Ukrainës, do ta kërcënojë njëlloj Putinin si zhvillimi i Polonisë e delegjitimon sundimin e Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusinë fqinje.

Përveç shfaqjes së pamundur të një partneri të vërtetë për paqen në Kremlin, përfshirja e Ukrainës në këto dy organizata është mjeti më i mirë për të siguruar fitoren. Refuzimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO në vitin 2008, nuk bëri asgjë për të qetësuar Putinin apo planet e tij perandorake ndaj vendit.

Duke nisur pushtimin e tij, ai humbi çdo pretendim legjitim mbi statusin e paangazhuar të Ukrainës. Një Ukrainë e begatë e ankoruar në Perëndim nënkupton fitoren tonë dhe humbjen e Putinit. A mund t’i mësojmë sërish këto leksione të vështira? Dekadat e para të Luftës së Ftohtë, kërkonin një përkushtim transatlantik për të penguar ambiciet sovjetike.

Tani kërkohet udhëheqje e fortë e një aleance të paqëndrueshme, së bashku me një kokëfortësi politike e cila bie ndesh me instinktet menaxheriale të shumicës së diplomatëve të karrierës. Si Kina po ashtu edhe Irani, ushqejnë ambicie të cilat mund t’i realizojnë vetëm me shpenzimet tona.

Ata po vëzhgojnë nga afër për të parë nëse Rusia mund ta përçajë aleancën më të madhe ushtarake në botë dhe të mposhtë partnerin e saj ukrainas. Nëse Putin ia del mbanë në Ukrainë, lufta agresive do të konfirmohet si një model për despotët ambicioz kudo. Imagjinoni një përsëritje të viteve 1930, por këtë herë me armë bërthamore./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”

evropa imperializmi rus ukraina