Bota23 Maj 2024, 12:16

Tre vende njohin Palestinën, SHBA e shqetësuar: Izraeli po izolohet ndërkombëtarisht!

Shkruar nga Pamfleti

Tre vende njohin Palestinën, SHBA e shqetësuar: Izraeli po izolohet

Kjo është shqetësuese për ne, sepse ne nuk besojmë se kjo kontribuon në sigurinë ose vitalitetin afatgjatë të Izraelit. Pra, kjo është diçka që kemi diskutuar me qeverinë izraelite”, tha Sullivan.

“Izraeli po izolohet ndërkombëtarisht”. Ky është shqetësimi i shprehur nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Deklarata e Sullivan vjen si reagim i njoftimit të tri shteteve europiane, Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë për njohjen e shtetit të Palestinës.

“Si një vend që qëndron fuqishëm në mbrojtje të Izraelit në forumet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, ne sigurisht kemi parë një kor në rritje zërash, duke përfshirë zëra që më parë kanë qenë në mbështetje të Izraelit, të lëvizin në një drejtim tjetër.

Kjo është shqetësuese për ne, sepse ne nuk besojmë se kjo kontribuon në sigurinë ose vitalitetin afatgjatë të Izraelit. Pra, kjo është diçka që kemi diskutuar me qeverinë izraelite”, tha Sullivan.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë shpeshherë thirrje Izraelit për një zgjidhje me dy shtete, diçka të cilën Benjamin Netanyahu e kundërshton ashpër. Mirëpo, në të njëjtën kohë SHBA-ja kërkon nga Tel-Avivi që të mposhtë Hamasin.

“Hamasi mposhtet me strategji. Jetët e civilëve duhen mbrojtur. Ndihmat humanitare duhet të lejohen”, shtoi ai.

Sakaq, tanket izraelite kanë avancuar në zemër të Rafah. Sulmet e fundit të Tel-Avivit janë më intensive në qytetin jugor të Gazës që kur Izraeli filloi ofensivën në Rafah.

Izraeli thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sulmojë qytetin e Rafah për të çrrënjosur batalionet e fundit të luftëtarëve të Hamasit që beson se janë strehuar atje.

Zyrtarët shëndetësorë dhe banorët thonë se zona të tëra banimi janë shkatërruar dhe dhjetëra njerëz janë vrarë në operacion, në një zonë ku Izraeli tërhoqi forcat e tij pasi pretendoi se kishte “çmontuar” Hamasin në janar. Izraeli thotë se është dashur të kthehet për të parandaluar Hamasin që të rithemelohet atje.