Bota23 Maj 2024, 12:37

Zelenskyt i mbaroi mandati, Moska fushatë për nxitjen e rebelimit të ukrainasve

Shkruar nga Pamfleti

Zelenskyt i mbaroi mandati, Moska fushatë për nxitjen e rebelimit

Në verën e vitit 2023, Zelensky sugjeroi se mund të ishte ende e mundur mbajtja e zgjedhjeve dhe tha se kjo do të ndodhte, pasi ai do të kandidonte për rizgjedhje. Gjithsesi, ai vuri në dukje se do të ishte shumë e vështirë të garantohej siguria në qendrat e votimit në kushte lufte.

Më 20 maj, u mbushën 5 vite që kur Volodymyr Zelensky mori detyrën e presidentit të Ukrainës. Ligji ukrainas urdhëron që mandatet presidenciale nuk mund t’i kalojnë 5 vite. Megjithatë, ligji kërkon gjithashtu që presidenti të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet një kryetar i ri shteti.

Dhe për shkak të ligjit ushtarak aktualisht në fuqi, presidencialet në Ukrainë janë shtyrë. Siç mund të pritej, propagandistët dhe politikanët rusë po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë moment, duke pretenduar se tani presidenca Zelensky është “jo-legjitime”. Për shembull, më 28 prill zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi:

”Fati i Zelensky është i paracaktuar. Shumë shpejt do të vijë momenti kur shumë njerëz, përfshirë ukrainasit, do ta vënë në dyshim legjitimitetin e tij”.

Viktor Medvedchuk, i cili udhëhiqte partinë pro-Kremlin Platforma Opozitare - Për Jetën (dhe vajza më e vogël e të cilit ka për kumbar Vladimir Putinin), i bëri jehonë kësaj qasje më 2 maj. Medvedchuk u akuzua për tradhti në vitin 2021, por i shpëtoi arrestit shtëpiak që në ditët e para të luftës në shkallë të gjerë.

Ai u kap sërish në prill 2022, dhe u shkëmbye me robër lufte ukrainas në shtator të apo atij viti.

Vetë Putin e komentoi situatën me kujdes, duke thënë se “kjo pyetje duhet të marrë përgjigje, para së gjithash nga sistemi politik dhe ligjor i Ukrainës”. Ndërkohë, propagandistët rusë po u thonë ndjekësve të tyre, se që më 21 maj nisi fundi i legjitimitetit të Zelensky-t.

Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në gatishmërinë e ukrainasve për të luftuar për vendin e tyre. Për shkak të një kontradikte ligjore, mandati i presidentit Zelensky ka përfunduar zyrtarisht. Sipas Kushtetutës së Ukrainës, mandatet presidenciale janë rreptësisht të kufizuara në pesë vjet, dhe Zelensky e mori detyrën më 20 maj 2019.

Në të njëjtën kohë, neni 108 i Kushtetutës së Ukrainës thotë se presidenti duhet të përmbushë detyrat e tij deri sa të zgjidhet një presidenti i ri. Përpara se të fillonte lufta në shkallë të gjerë, zgjedhjet e ardhshme ishin caktuar për më 31 mars 2024. Por tani, ato janë shtyrë për shkak të ligjit ushtarak, i cili do të jetë në fuqi në Ukrainë të paktën deri më 11 gusht.

Në verën e vitit 2023, Zelensky sugjeroi se mund të ishte ende e mundur mbajtja e zgjedhjeve dhe tha se kjo do të ndodhte ai do të kandidonte për rizgjedhje. Gjithsesi, ai vuri në dukje se do të ishte shumë e vështirë të garantohej siguria në qendrat e votimit në kushte lufte.

Vjeshtën e vitit të kaluar, Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Zelensky po analizonte vazhdimisht të mirat dhe të këqijat e mbajtjes së zgjedhjeve, bazuar në situatën në front dhe faktorë të tjerë të lidhur me luftën. Më 6 nëntor 2023, presidenti deklaroi: ”Tani nuk është koha për zgjedhje. Tani është koha për t’u mbrojtur, koha për një betejë që do të vendosë fatin e shtetit dhe popullit të tij, dhe jo koha për llojin e keqinformimit që Rusia do ta mirëpriste me kënaqësi nga Ukraina”.

Një deklaratë u bë në sfondin e konfliktit midis tij dhe gjeneralit Valerii Zaluzhnyi, në atë kohë komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Gjatë luftës, Zaluzhnyi u bë personi i dytë më popullor në Ukrainë, dhe disa analistë ukrainas mendojnë se ai mund të ishte një konkurrent serioz ndaj Zelenskyt, nëse do të vendosë të garojë për postin e lartë.

Pas shumë përplasjeve më 8 shkurt, Zaluzhnyi u shkarkua nga posti i tij, ndërsa më 9 maj, Zelensky e emëroi atë si ambasador të Ukrainës në Britaninë e Madhe. “Vendi është në luftë dhe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale është e pamundur. Shumica e popullsisë ukrainase e kupton shumë mirë këtë gjë. Legjitimiteti i presidentit ukrainas nuk vihet aspak në pikëpyetje”- thotë Yevhen Holovakha, drejtor i Institutit të Sociologjisë në Akademinë e Shkencave të Ukrainës.

Ai thekson se aktualisht ukrainasit po merren me “çështje shumë më të ngutshme sesa fushatat keq-informuese ruse mbi legjitimitetin e qeverisë sonë”. Në të njëjtën linjë është edhe Volodymyr Paniotto, kreu i Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev (KIIS).

Ai vuri në dukje se në vjeshtën e vitit 2023, pas njoftimit të Oleksiy Arestovych se synonte të kandidonte për president, në shoqërinë ukrainase pati një diskutim nëse duheshin mbajtur apo jo zgjedhjet. Arestovych propozoi zhvillimin e zgjedhjeve nëpërmjet aplikacionit qeveritar Diia, duke pretenduar se 90 për qind e ukrainasve janë të regjistruar atje.

Por Paniotto mendon se shifra është e pasaktë. Sociologët vlerësojnë se vetëm 56 për qind e ukrainasve e përdorin aplikacionin Diia. “Për mendimin tim, mbajtja e zgjedhjeve në kushtet aktuale është një fantazi. Pasi nuk mund të votojnë as ata që janë në vijën e frontit, dhe as ata që janë larguar nga vendi”-thekson ai.

Në tetor të vitit të kaluar, KIIS kreu sondazhin e tij të parë, duke pyetur ukrainasit se kur mendonin se duhet të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme. 81 për qind e të anketuarve u përgjigjën se zgjedhjet duhet të bëhet vetëm pas luftës. Më pas instituti anketoi njerëzit me pyetje më të hollësishme dhe formulime të ndryshme.

Por çdo herë “popullsia e shprehu qartë kundërshtimin e mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës”, shpjegoi Paniotto. Edhe Qendra Razumkov anketoi ukrainasit mbi çështjen e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve. Një sondazh i kryer në datat 21-27 mars, tregoi se 59.5 për qind e të anketuarve

ishin kundër mbajtjes së zgjedhjeve para përfundimit të luftës; dhe vetëm 22 për qind e panë pozitivisht atë ide.

“Gjatë javëve të fundit, ne nuk kemi kryer sondazhe mbi këtë temë; pasi nuk e shohim si një problem”- shtoi Paniotto. Të njëjtën pikëpamje ndajnë edhe partnerët perëndimorë të Ukrainës. Për shembull, gjatë vizitës së tij në Kiev në fillim të këtij muaji, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se zgjedhjet në Ukrainë do të zhvillohen kur “ukrainasit të bien

dakord se kushtet e mundësojnë diçka të tillë”.

Edhe në parlamentin e Ukrainës, Verkhovna Rada, nuk ka asnjë fraksion me ndikim, që të jetë seriozisht i interesuar të kundërshtojë legjitimitetin e presidentit, sipas një burimi që foli në kushte anonimiteti për Meduza-n. Ai vuri në dukje se deputetët e kanë ngritur publikisht këtë çështje vetëm disa herë.

I tillë ishte rasti kur ish-kryetari Dmytro Razumkov sugjeroi që këtë çështje ta trajtojë Gjykata Kushtetuese. Burimi beson se çdo bisedë për “jo-legjitimitetin” e Zelensky është një përpjekje e autoriteteve ruse për të destabilizuar situatën në Ukrainë. “Është e vështirë të thuhet nëse Rusia mund të trazojë ujërat në politikës e brendshme të Ukrainës. Njerëzit nuk po protestojnë për këtë çështje. Rusët do të nxitin revoltën e qytetarëve të zakonshëm në kanalet TikTok dhe Telegram”-vazhdon ai.

Kur u pyet nëse zyrtarët ishin përgatitur për 21 maj në ndonjë mënyrë specifike, një burim pranë zyrës së Zelensky dha një përgjigje të paqartë:”Përgatitja është gjithmonë e njëjtë: të bëjmë punën tonë. Kjo përfshin luftën kundër propagandës dhe kundërshtimit që nuk është gjithmonë racionale”.

Ai shtoi se në dijeninë e tij, autoritetet kanë kryer “disa sondazhe të mbyllura” në publik në lidhje me legjitimitetin e Zelensky pas 20 majit, por ai refuzoi të zbulonte rezultatet. “Njerëzit nuk e kuptojnë gjithmonë se përse ne po pyesim për 21 majin. Askush nuk e lexon Kushtetutën gjatë drekës”- tha ai.

Ndërkaq shton se nuk ka plane për të mbajtur së shpejti zgjedhje presidenciale:
”Jemi në kohë shumë të vështira. Në këtë lloj situate, njerëzit nuk po mendojnë aq shumë për politikën. Pyesni një banor të Kharkiv-it për zgjedhjet tani, dhe do të dëgjoni diçka që nuk mund të them këtu”.

Një deputet nga një parti e madhe opozitare në Rada Verkhovna, bie dakord me këtë vlerësim.

Ai nënvizon se askush në parlament nuk po e ngre çështjen e zgjedhjeve sepse “çdo koment nga cilido politikan për këtë çështje, do të shihet si provokim”, dhe “asnjë forcë parlamentare nukflet për këtë, sepse askush nuk dëshiron të duket si një i çmendur”.

“Unë do të isha i pari që do të doja zgjedhje presidenciale, pasi jam në opozitë me Zelensky-n, por tani për tani kjo gjë është e pamundur. Si do të mund të votonin ushtarët? Po refugjatët ukrainas? Kush do të garantojë sigurinë gjatë numërimit të votave, kur mbi kokë fluturojnë raketa dhe bomba? Është e pamundur. Dhe ligji ukrainas thotë se presidenti dhe parlamenti ushtrojnë kompetencat e tyre deri në zgjedhjet e ardhshme”- shprehet ai.

Sociologu Volodymyr Paniotto, nënvizon gjithashtu se opozita ukrainase nuk po përpiqet të shfrytëzojë idenë e “paligjshmërisë së Zelenskyt”. Ai beson se kjo ndodh pjesërisht për shkak të faktit se sipas të gjitha sondazheve, i vetmi person që mund të konkurrojë me presidentin aktual është Valerii Zaluzhnyi, dhe jo ndonjë nga figurat e opozitës (përfshirë ish-presidentin Petro Poroshenko).

“Të gjithë të tjerët janë shumë prapa Zelensky në sondazhe”, thotë Paniotto.

Ai mendon se nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani dhe Zaluzhnyi vendos të kandidojë, ai mund ta mposhtë Zelenskyn. “Por është e paqartë nëse Zaluzhnyi do të kandidojë”- përfundon ai./Marrë nga “Meduza.io”

zelensky moska ukraina