Kosova14 Dhjetor 2022, 14:08

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me Serbinë për faktin se nuk po e rreshton politikën e saj të jashtme me atë të Bllokut.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, në konferencë për media të mërkurën ka thënë se është zhgënjyes trendi i rreshtimit të diplomacisë serbe me atë të Unionit.

Serbia është kritikuar se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

I pyetur për sanksionet e reja që i janë vendosur Iranit nga BE-ja dhe nëse Serbia është rreshtuar në këtë aspekt me bllokun, Stano tha se gjithçka është publike sa i përket përafrimeve të politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së.

“Sa herë që BE-ja vendos masa, partnerët tanë, shtetet aspiruese, kërkohen që të rreshtojnë politikën e tyre të jashtme me këto masa. E kanë një periudhë të caktuar kohe për ta rreshtuar atë. Sanksionet e reja ndaj Iranit janë vendosur të hënën, ende ka kohë. Nuk mund të flasim për këtë rast. Por, kur vjen çështja e sanksioneve, Këshilli në faqen e saj publikon njoftimet. Mund të lexoni aty se me cilat sanksione është rreshtuar Serbia. Trendi i rreshtimit të Serbisë është vërtetë zhgënjyes”, tha ai.

Së fundmi, Dhoma e Përfaqësuesve e Holandës ka miratuar më 8 dhjetor një rezolutë që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Serbinë, nëse ky vend nuk përputhet me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Prishtine bashkimi evropian Peter Stano Rusia sanksione Serbia

Kosova