Editorial17 Prill 2018, 17:11

Brukseli tha “po”, por nuk ka vend për festë

Shkruar nga Pamfleti
Brukseli tha “po”, por nuk ka vend për festë

Brukseli tha “po”, por nuk ka vend për festë

Shqiptarëve po u hapet sot një dritë jeshile që duhet të ishte ndezur që në periudhën e fundit të qeverisjes Berisha dhe që Rilindja premtoi se do ta arrinte në muajt e parë të qeverisjes së saj.

Shkruan Andi Bushati

Rekomandimi pozitiv që Komisioni Europian ka bërë për të hapur negociatat me Shqipërinë është padyshim një lajm i mirë.

Ai përbën një hap më tutje në përparimin prej breshke që vendi ynë po tenton drejt anëtarësimit përfundimtar në BE.

Por, pavarësisht raportit që u paraqit dhe rekomandimit që iu mbivu atij si qershia mbi tortë, duhet thënë me gojën plot se nuk ka vend as për eufori dhe as për triumfalizëm.

Dhe kjo për disa arsye.

Së pari sepse sot nuk është vendosur në asnjë mënyrë për fillimin e negociatave mes Shqipërisë dhe Brukselit.

Sot zyrtarët tanë kanë marrë në duar vetëm një “letër të bardhë”, e cila, që të ketë vlerë, duhet të kapërcejë edhe një fazë tjetër. Miratimin nga të 27 vendet anëtare, një e nga një.

Qoftë edhe njëri prej këtyre shteteve po të mos i thotë po këtij rekomandimi të Komisionit Europian, apo të mos gjejë kohë ta shqyrtojë atë, vendimi do të shtyhet nga qershori për në fundin e këtij viti.

Së dyti, edhe në qoftëse gjithçka shkon mbroth, procesi është sërish pafundësisht i gjatë. Për këtë vlen vetëm një shembull.

Vende aspirante për të aderuar në BE njësoj si ne, Serbia dhe Mali i Zi që tashmë e kanë kapërcyer hapjen e negociatave, kanë përparuar fare pak drejt qëllimit final.

Kështu Mali i Zi që i ka filluar negocimet që në qershor 2012 ka mbyllur vetëm 3 nga 38 kapitujt që ka të shtruar për bisedime.

Po ashtu edhe Serbia, që e cila i startoi në janar 2014 negociatat, nuk ka arritur të mbyllë përkohësisht më shumë sesa 2 kapituj.

Pra me një llogari të thjeshtë, vendeve që janë nga gjashtë deri në katër vite para nesh, do t’i duhet edhe një dekadë të shohin dritën e tunelit nëse përparojnë me këto ritme.

Me të njëjtin krahasim Shqipëria do të kishte mundësi të mbërrinte në finish shumë më vonë se viti 2025, që është vendosur si kufiri i paramenduar i pranimit të gjashtë vendeve të Ballkanit perendimor në BE (Serbia, Mali i ZI, Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnje Hercegovina).

Por, edhe po të besojmë më optimistët që predikojnë një pranim në grup të gjashtëshes në BE, apo të duam të ëndërrojmë bastin që ka vënë Edi Rama, se gjatë procesit ai do ta kalojë vëllain e tij armik, Aleksandar Vuçiç, përsëri perspektiva mbetet tejet flu. Sepse në politikat e BE ndaj Ballkanit Perëndimor asgjë nuk ështe ende e sigurtë.

Vërtet që pas shkurtit të vitit të kaluar, kur Brukseli shpalli dokumentin strategjik të titulluar: “Një perspektivë zgjerimi e besueshme dhe një impenjim i BE për Ballkanin perendimor”, u duk sikur gjërat do të vijonin për mirë.

Vërtet bashkë me këtë dokument u instalua edhe filozofia e presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker se “Të investosh në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, do të thotë të investosh në sigurinë dhe të ardhmen e bashkimit tontë”.

Vërtet pas shkurtit të vitit të shkuar, ne kemi dëgjuar deklarata të shpeshta të Federika Mogherinit, të cilësuar nga mediat si avokatja e gjashtë vendeve tona, e cila këmbëngulte se “garancia më e mirë për Ballkanin Perëndimor është një perspektivë europiane”, por të gjitha këto bien fort ndesh edhe me një filozofi tjetër të kalcifikuar në shumë nga vendet anëtare.

Sipas saj, një BE me 33 anëtarë do të ishte shumë më jo unike dhe më e pakontrollueshme. Jo më larg se sot, presidenti francez Makron, nënvizoi me forcë se nuk mund të ketë “zgjerim” pa “thellim”, duke mbrojtur idenë se nuk mund të ketë pranime të vendeve të reja, pa reformuar më parë mënyrën aktuale të vendimarrjes së BE-së.

Pikërisht për këto arsye, pavarësisht se lajmi i sotëm është një lajm pozitiv, ai nuk është asgjë më shumë sesa një pikë uji në oqean.

Shqiptarëve po u hapet sot një dritë jeshile që duhet të ishte ndezur që në periudhën e fundit të qeverisjes Berisha dhe që Rilindja premtoi se do ta arrinte në muajt e parë të qeverisjes së saj.

Pikërisht për këtë arsye dhe për shkak të luftës së brendëshme politike, ajo duket si një arritje e madhe.

Por e vendosur në dinamikën e ngadaltë të përparimit të vendeve që janë para nesh dhe në perspektivën e largët të mbërritjes së objektivit final, 17 prilli i sotëm nuk përbën një datë të shënuar.

Ndaj sot nuk ka vend për festë. Se ende kemi përpara, në rastin më të mirë, një dekadë plot të papritura.

Editorial Brukseli tha “po” por nuk ka vend për festë

Editorial