Burrë e grua u plagosën rëndë me granatë, policia hedh dyshimet e para

Burrë e grua u plagosën rëndë me granatë, policia hedh dyshimet e para

Burrë e grua u plagosën rëndë mëngjesin e djeshëm nga shpërthimi i një granate, që ishte vendosur në derën e shtëpisë së tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 06:22, në fshatin Mëzez të Tiranës, kur dy bashkëshortët po dilnin nga shtëpia për të ikur në punë. Në momentin që kanë hapur portën ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm, duke u shkaktuar plagë të rënda çiftit Lulzim e Lirije Selfo.

Policia tha se në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.6 dhe një autoambulancë që ka transportuar të plagosurit në Spitalin e Traumës. Mjekët thanë se të plagosurit ishin në gjendje të rëndë në momentin e mbërritjes, por aktualisht gjendja e tyre është e stabilizuar dhe e kanë kaluar rrezikun për jetën.

Megjithatë, po mbahen në terapi intensive për çdo komplikacion të mundshëm që mund të ndodhë. Një grup oficerësh të Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e arrestimin e autorëve. Ndërsa në vendngjarje kanë kryer veprimet hetimore edhe ekspertët kriminalistë dhe antieksplozivë.

HETIMI
Policia e Tiranës tha dje se në orën 06:22, në zonën e Mëzezit, dy shtetasit Lulzim dhe Lirije Selfo, 48 dhe 47 vjeç, kanë qenë duke dalë për në oborrin e shtëpisë dhe në momentin që kanë hapur derën ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të dëmtuar të dy bashkëshortët.

“Shtetasit e dëmtuar janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, tha dje Policia. Burimet thanë se nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se ka shpërthyer një granatë.

Aktivizimi i saj ka ardhur menjëherë sapo është hapur porta, pasi unaza ishte lidhur me dorezën e derës. Nga veprimet e para hetimore, Policia ka dyshime se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti pronësie. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që familja Selfo mund të ketë pasur, të cilat po verifikohen./Panorama/

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti