Aktualitet11 Prill 2018, 16:32

DOSSIER/ Si u godit “Grupi i agjentëve polakë” në 1975 (Fotot e rralla të xhelatëve e viktimave)

Shkruar nga Pamfleti

DOSSIER/ Si u godit “Grupi i agjentëve polakë” në 1975 (Fotot e rralla të xhelatëve e viktimave)

Publikohen dëshmitë e rralla të disa prej pjestarëve të “grupit të agjentëve polakë”, që ishin diplomuar në Poloni dhe mbanin funksione e poste të larta deri në vitin 1975 kur u arrestuan.

Nga: Dritan XHEMALAJ

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e nëntë, me titull “Armiqtë e popullit” (Kushtuar të ashtuquajturit “Grupi i agjentëve polak”, që u dënuan në vitin 1975 në Tiranë).

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të.

Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, sjellin këtë herë një dokumentar që i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1975, kur në Tiranë, u arrestua një grup i madh prej 13 personash, emra të njohur dhe të panjohur, intelektualë që ishin diplomuar në Poloni dhe që mbanin poste dhe funksione jo të parëndësishme në shtetin e asaj kohe. Të cilat propaganda zyrtare dhe organet e Drejtësisë së asaj kohe, i etiketuan si: “Grupi i agjentëve polak”.

Zanafilla e këtij “grupi” daton vitin e largët 1961, kur Tirana zyrtare prishi marrëdhëniet miqësore me Bashkimin

Sovjetik dhe të gjitha vëndet e tjera komuniste të Europës Lindore, apo siç njiheshin ndryshe në atë kohë, si vëndet e “Demokracive Popullore” dhe si rezultat, të gjithë studentët dhe specializantët shqiptarë që studionin në këto vënde, u detyruan dhe u kthyen në Shqipëri. Në këtë kuadër, asokohe u kthyen në Shqipëri edhe studentët që ishin me studime në universitete të ndryshme të Polonisë, si p.sh. Spiro Nikolla, Leonard Zisi, Adem Nurja, Shuap Nurja, Ylli Alibali, Vedat Buzi, Sofokli Lulo, Faik Gojani, Dhimitër Stramarko, etj. Një pjesë e grupit prej afro 70 studentësh, u kthyen në Shqipëri ende pa marrë diplomën dhe i përfunduan studimet në Universitetin e Tiranës, por kjo ishte e keqja më e vogël, pasi një numër jo i pakët studentësh, kishin krijuar familje që gjatë kohës së studimeve në Poloni, madje dhe më fëmijë, por ata nuk u lejuan nga shteti shqiptar që t’i merrnin me vete familjet në Shqipëri.

Gjithsesi jeta e tyre vazhdoi me normalitetin që ofronte Shqipëria e asaj kohe dhe një pjesë e ketyre ish-studentëve të Polonisë, nisur dhe nga rezultatet e larta që kishin pasur, u emëruan në detyra, funksione dhe poste të larta, kryesisht në Tiranë, si p.sh.: Vedat Buzi (Kryeinxhinier dhe Drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, Spiro Nikolla (Kryeinxhiner në Parkun e Tregtisë me Jashtë në Tiranë), Ylli Alibali (në Ministrinë e Bujqësisë), Sofokli Lulo (pedagog në Institutin Bujqësor në Kamëz), etj etj. Dhe shoqërinë që kishin pasur që nga periudha e studimeve në Poloni, ata e vazhduan edhe në Tiranë, ku herë pas here në ditë të caktuara mblidheshin në lokalet e tyre të preferuara, (kryesisht “Vollga” dhe “Flora”), ku kthenin ndonjë gotë dhe kujtonin……ditët e bukura të Polonisë, bashkëshoret dhe fëmijët që kishin lënë atje, apo dhe të dashurat e tyre…?!

Këto takime të tyre dhe gjithashtu bisedat për Poloninë, do të vazhdonin deri nga viti 1974, kur Sigurimi i Shtetit që i përgjonte prej kohësh, arrestoi 13 prej tyre dhe pas një hetuesie të gjatë, i nxorri në “bankon e të akuzuarve” duke i akuzuar si “Grupi i agjentëve polak” dhe i dënoi më burgime nga 25 deri në 10 vjet. Arrestimi i këtij “grupi” bëri jo pak bujë në Tiranë, jo vetëm se ata akuzoheshin si “agjentë polakë”, por edhe për faktin se i gjithë grupi, pa asnjë përjashtim, vinin nga familje të lidhura ngushte me pushtetin, madje disa syresh me mjaft kontribute që nga periudha e Luftës e në vazhdim, si p.sh. Vedat Buzi, që kishte vëllanë “Hero të popullit” dhe babanë dëshmor, apo vëllezërit Shuaip dhe Adem Nurja, familja e njohur shkodrane, ku nga nëntë vëllezër, tetë ishin anëtar
partie, apo vëllezërit, Xhevat dhe Ylli Alibali, familje tjetër e njohur shkodrane, ku katër vëllezër ishin ushtarakë, etj etj.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Po cili ishte shkaku i vërretë i arrestimit të këtij grupi, çfarë bisedonin ata me njëri tjetrin gjatë takimeve të tyre që nga periudha e kthimit nga Polonia, çfarë u kërkohej atyre të pohonin nga hetuesit e famshëm Koço Josifi e Nustret Dauti, (të njohur për dhunën ndaj të arrestuarëve), a kishte lidhje në arrestimin e këtij grupi armiqësia e madhe e Enver Hoxhës me kreun e Polonisë, Gomulkën, i cili në vitin 1960 në Mbledhjen e 81 partive në Moskë, e kishte etiketuar qëndrimin e Enverit aty si “sjellje prej rrugaçi”, armiqësi që ishte thelluar më tej që nga viti 1966, kur Enveri pranoi në Shqipëri, anëtarin e Komitetit Qëndror të Partisë Punëtore të Polonisë, Kazimiersh Mijal, opozitarin e Gomulkës, të cilin e mbajti plot 13 në Shqipëri me kushte komode në tre vila luksoze?!

Përse Hysni Kapo nuk mundi që ta ndalonte dot arrestimin e Vedat Buzit, te nëna e të cilit në Vlorë, çdo 5 maj, “zbarkonte” e gjithë Byroja Politike me përjashtim të Enver Hoxhës?! Cila është e vërteta e vdekjes së Vedat Buzit në Burgun e Ballshit dhe përse halla e tij, vdiq vetëm pak ditë pasi e takoi atë në spitalin e Burgut të Tiranës ku Vedatin e kishin shtruar?! Çfarë i tha Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, kunatit të Vedat Buzit, kryeprokurorit të Tripojës, Kristaq Ngjela dhe përse ai insistonte që “me porosi të Partisë” duhet ta ndante bashkëshorten e tij, Luftare Buzi, motrën e Vedait?! Përse Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia iu atashuan “grupit të agjentëve polak” edhe dy ushtarakët e njohur, Xhevat Alibali dhe Shuaip Nurja?!

Të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga “Grupi i agjentëve polak”, kanë tentuar t’i zbardhin dhe të hedhin dritë mbi to, dy bashkëautorët realizues të dokumentarit “Armiqtë e popullit”, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa, së bashku me stafin e tyre. Kjo gjë vjen si nëpërmjet dokumenteve arkivore të vëna në dispozicion nga Autoriteti i Hapjes së Dosjve, ashtu dhe nga dëshmitë para kamerave të disa prej personazheve kryesor të këtij “grupi”, apo familjarëve të tyre, si p.sh. Luftare Buzi, Kristaq Ngjela, Genci Rama, Ylli Alibali, Liri Alibali, Neritan Alibali, Shuaip Nurja, Burhan Nurja, ish-ambasadori i Shqipërisë në Poloni, Leonard Zisi. Po kështu një dëshmi mjaft interesante vjen para kamerave në këtë dokumentar, edhe nga Sybi Koçi, njëri nga pjestarët e trupit gjykues që dënoi “Grupin e agjentëve polak”

Ky dokumentar që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, dt.11 prill, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 13 prill, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar./TEMA

Dossier DOSSIER/ Si u godit “Grupi i agjentëve polakë” në 1975 (Fotot e rralla të xhelatëve e viktimave)