Çfarë po ndodh me Elseid Hysajn? Nga i paprekshëm bëhet lojtari më i kritikuar i momentit

Çfarë po ndodh me Elseid Hysajn? Nga i paprekshëm bëhet lojtari më i kritikuar i momentit

Elseid Hysaj është lojtari më i shtrenjtë i Kombëtares Shqiptare dhe njëherësh dhe lojtari kryesor i ekipit kuqezi. Por dy ndeshjet e fundit me përfaqësuesen mbrojtësi shkodran ka zhgënjyer. Në ndeshjen kundër Izraelit ishte me dy fytyra.



Bëri ndërhyrje të mira, por pati dhe mjaft gabime që për pak i kushtuan skuadrës. Thuajse gjithë forca sulmuese e Izraelit ishte përqendruar në krahun e djathtë të mbrojtjes tonë, pasi aty ishte pika më e dobët. Është e vështirë të kuptohet cfarë ka ndodhur me Hysajn në këtë periudhë.

Ajo që i vuri kapak performancës së tij skandaloze ishte paraqitja në Gllasgou, ku Shqipëria humbi 2-0. Hysaj nuk ishte aspak në lartësinë e duhur. Në fakt e gjithë skuadra ishte e dobët, por për një sulmues që luan në Serie A titullar dher me një skuadër elitare si Napoli, duhet të ketë më shumë cilësi.

Specialistët kanë shprehur zhgënjimin e tyre me Hysajn. Shkodrani po paraqitet dobët në Kombëtare dhe kështu po vërtetohen fjalët e Igli Tares, që kohë më parë është shprehur se Hysaj duhet të japë në Kombëtare atë performancë që bën dhe me Napolin.

Edhe Sokol Kushta, në një intervistë për mediat fundjavën e kaluar, pas ndeshjes me Izraelin, nuk i kurseu kritikat, duke thënë se një lojtar i këtyre përmasave duhet të marrë rol lideri në fushë, sepse e ka staturën të tillë. Për të Hysaj duhej të ishte lideri i vërtetë i mbrojtjes, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Si të mos mjaftojnë dy performancat e dobëta me Kombëtaren, Hysaj po shfaq ngërc edhe te Napoli. Edhe pse ka mundur të jetë titullar në fushë, kjo ka ndodhur më shumë për mungesë alternativash. Trajneri Karlo Anceloti, në disfatën kundër Sampdorias në javën e tretë të kampionatit italian tha pas takimit se fajtor për humbjen ishte krahu i djathtë i mbrojtjes dhe në krahun e djathtë luan Hysaj.

Çfarë po ndodh kështu me Elseid Hysajn? Çfarë ka ndodhur me mbrojtësin kuqezi, i cili prej disa javësh ka një paraqitje jo bindëse? Mediat italiane janë përpjekur të hedhin dritë mbi kontratën e tij dhe fakti që Napoli po përgatit një kontratë të re për Hysajn, duke projektuar një rritje page m 1 mln euro në sezon, dëshmon se lojtari ka nevojë për motivim dhe Napoli po bën përpjekjen e fundit që Hysaj të rikthehet në qendërvtë vëmendjes, duke përmirësuar performancën e tij.

Gjithsesi, një lojtar i këtij kalibri duhet të bëjë më shumë për Kombëtaren kuqezi, gjë që Hysaj nuk e ka bërë deri më sot. Nuk ka treguar se bën diferencë dhe kjo është dëmtuese për imazhin e tij në skuadrën përfaqësuese. Të gjithë janë të shqetësuar për këtë pozicion të tij “as mish e as peshk”. Ndoshta Hysaj ka nevojë përfundimisht për shiritin e kapitenit, atëherë le t’ia japin, vetëm të rrisë cilësinë në mbrojtjen kuqezi, në të kundërt i ka hak kritikat. /Pamfleti Sport