Aktualitet22 Gusht 2018, 07:40

CIA: 4500 shqiptarë u arratisën drejt Jugosllavisë më 1952, situata e përshkruar në Shqipëri nga refugjatët. Apostol Ten

Shkruar nga Pamfleti
CIA: 4500 shqiptarë u arratisën drejt Jugosllavisë më 1952,

CIA: 4500 shqiptarë u arratisën drejt Jugosllavisë më 1952, situata e përshkruar në Shqipëri nga refugjatët. Apostol Tenefi doli krah regjimit të Titos

Në një dokument të CIA-s tregohet se deri në vitin 1952, 4500 shqiptarë u arratisën drejt Jugosllavisë. Sipas gazetës ”SOT” thuhet gjithashtu se në krye të të arratisurve qendronte Apostol Tenefi si dhe fjalimi i tij, ku doli hapur në krah të regjimit të Titos. 

Tetor 1952

Situata në Shqipëri e përshkruar nga refugjatët në Jugosllavi

Në konferencën e dytë vjetore të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi u raportua për kushtet dhe pakënaqësinë ndaj regjimit në Shqipëri, çka shërben për të mësuar mbi problemet dhe mundësinë e përmbysjes së regjimit Hoxha. Për më tepër, pozita e minoritetit shqiptar në Jugosllavi u përshkrua si shumë e favorshme. Në kontrast me këtë pikëpamje kemi dy artikuj nga mediat e vendeve satelite ku minoriteti shqiptar në Jugosllavi përshkruhet si i persekutuar. Konferenca e dytë e përvitshme e emigrantëve politikë shqiptarë në Jugosllavi më 1 qershor 1952, kishte rreth 300 delegatë sipas edicionit të revistës Politika.

Ajo u zhvillua në Prizren për të diskutuar aktivitetet politike të shoqatës, si dhe punë dhe jetën e emigrantëve politikë në përgjithësi. Në të morën pjesë gjithashtu përfaqësues të emigrantëve politikë nga Bullgaria, Rumania e Çekosllovakia, një numër i madh autoritetesh politike jugosllave si dhe punonjës civilë e kulturorë nga Prizreni. Apostol Tenefi, kreu i shoqatës shqiptare në Jugosllavi hapi konferencën duke falënderuar qeverinë jugosllave për kujdesin dhe shqetësimin për emigrantët shqiptarë. Ai raportoi mbi punën dhe detyrat e emigrantëve shqiptarë, situatën ndërkombëtare në përgjithësi, kërcënimin e paqes botërore nga sovjetikët, dhe theksoi se Shqipëria po kthehet prej tyre në një bazë organizimi të provokimeve kundër popullit mik jugosllav, i cii e ka ndihmuar shumë Shqipërinë gjatë dhe pas Luftës.

Fjalimi

Tenefi tha se Jugosllavia është kombi i vetëm që është përpjekur të mbrojë interesat e Shqipërisënë konferenca të ndryshme ndërkombëtare. “Kur klika në pushtet e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ndërpreu marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë, BRSS përdori strategjinë e vjetër imperialiste duke i ofruar Kosovën Hoxhës, ashtu siç kishte bërë dhe Musolini ndaj Mustafa Krujës 11 vjet më parë. Hegjemonia sovjetike në Shqipëri ka marrë disa aspekte të ndryshme. Përveç agjentë-instruktorët ushtarakë, instruktorët bullgarë janë dërguar gjithashtu në vend për të shfrytëzuar burimet për llogari të BRSS. Nën maskën e “ndihmës vëllazërore” këta instruktorë bullgarë e sovjetikë kanë zënë postet kryesore në komitetin qendror të partisë, në ndërmarrjet ekonomike dhe organizatat sociale e kulturore. Kur një punëtor shqiptar merr 2500 deri në 3000 lekë në muaj, instruktorët ushtarakë sovjetikë e bullgarë paguhen 25 000 deri në 35 000 lekë në muaj. Këto para paguhen nga populli shqiptar me anë të taksave të larta dhe dërgesave të detyrueshme të prodhimit bujqësor.

Dyqane të veçanta ka për specialistët e huaj ku shqiptarët nuk mund të blejnë. Me xhepat plot me para instruktorët mund të blejnë gjithçka me çmime të ulëta si flori, bizhuteri e vepra antike, dhe t’i dërgojnë në vendet e tyre si BRSS dhe Bullgari. Nafta shqiptare po mbush depozitat e vendeve që tregtojnë me BRSS, në një kohë kur shqiptarët duhet të paguajnë 2 kg grurë për një litër naftë (1 kg grurë kushton 140 lekë). E njëjta gjë vlen për produkte të tjera që dorëzohen me detyrim si mineralet, leshi, vezët dhe lakra. Meqenëse Shqipëria nuk ka as liri politike e as ekonomike, pakënaqësia po rritet dita-ditës mes popullit shqiptar. Për ta ndaluar këtë, grupe të veçanta dënimi dhe persekutimi po dërgohen nëpër fshatra duke vrarë patriotë e duke internuar familje të tëra, si dhe duke denoncuar si tradhtarë qytetarë të pafajshëm.

Shqipëria po kthehet në një kamp gjigant përqendrimi për të gjithë ata që dëshirojnë lirinë ose një Shqipëri të pavarur. Arrestimet, largimet e dhunshme dhe vrasjet e qytetarëve shqiptarë janë bërë diçka e përditshme, siç është dhe uria që i kërcënon ata çdo ditë. Kongresi i dytë i partisë shqiptare ilustroi edhe një herë pakënaqësinë në rritje të popullit. Që prej kongresit të parë të partisë disa mijëra anëtarë janë përjashtuar nga partia ndërsa dy anëtarë të komitetit qendror janë ekzekutuar dhe dhjetë janë përjashtuar. Për këtë arsye një numër i madh patriotësh janë larguar nga Shqipëria për të kërkuar lirinë në Jugosllavi, e cila i ka pranuar ata si i vetmi vend miqësor.

Fëmijët e refugjatëve shqiptarë po arsimohen në shkollat e gjuhës deri në fakultet. Shqiptarët kanë libraritë e tyre dhe vendet ku të zhvillojnë jetën kulturore e politike (“Politika” raporton se shoqata shqiptare boton revistën e saj ‘Zastava Slobode’ \Flamuri i Lirisë\ e përmuajshme e botuar në Prishtinë)” Tenefi vazhdoi më tej: “Disa shqiptarëve iu është dhënë tokë dhe në Malin e Zi shqiptarët kanë krijuar kooperativat e tyre bujqësore, ndërsa më shumë se 1000 të tjerrë punojnë në miniera ose në ndërmarrjet e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë.”

4500 shqiptarë janë larguar drejt Jugosllavisë

Në konferencë u përmend se që prej përçarjes në bllok rreth 4500 fshatarë, punëtorë e intelektualë kanë kaluar kufirin drejt Jugosllavisë, duke përfshirë dhe familje të tëra. 24 fshatarë u arratisën së bashku nga fshati Braje në Shkodër, ndërsa gjatë dimrit 1951 disa familje u larguan mes maleve të Peshtanit nga Srezi i Kukësit. Shpeshherë gjatë arratisjes së tyre këto familje duhet të përballeshin me armë me rojet shqiptare të kufirit. Prej largimeve masive komunistët kanë dyfishuar numrin e rojeve në kufi me Jugosllavinë por kjo nuk e ka ndaluar fenomenin, ashtu si dhe rojet e kufirit që nuk kanë ndaluar së foluri me popullin e zonave kufitare, megjithëse janë ndaluar ta bëjnë. Një numër i madh shqiptarësh folën në konferencë, të cilët të gjithë falënderuan popullin dhe qeverinë jugosllave për pritjen dhe ndihmën e tyre.

Duke diskutuar miqësinë mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, Ajdin Zeneli iu referua gjakut që të dy popujt kishin derdhur në luftën kundër fashistëve. Reis Shehu, i cili ka qenë i internuar, përshkroi jetën e tmerrshme në kampet shqiptare të përqendrimit, ku burrat gratë e fëmijët ishin të gjithë objekt i torturave, urisë dhe punës së rëndë. Të tjerë folës shqiptarë theksuan se populli po proteston kundër bllokut sovjetik duke dalë në mal me armë në duar, në një kohë që qeveria e Hoxhës po merr çdo masë shtypëse të mundshme për të eliminuar këto forca protestuese. Folësi Preng Ndue Lisi listoi emrat e 27 patriotëve që ishin ekzekutuar nga regjimi i Hoxhës në zonën e tij, pasi kishin guxuar të protestonin. Caf Smaili tha se shqiptarët nuk do të dorëzohen kurrë ndaj terrorit, gjakmarrjes dhe birucave.

Folësit e huaj

Presidentja e shoqatës së emigrantëve çekosllovakë foli për fushatën e rusifikimit të Çekosllovakisë duke thënë se që prej kohës së luftës 21 milionë përkthime të librave rusë ishin publikuar në vend, në krahasim me botimet e vetëm 1.5 milionë librave nga autorë çekosllovakë. Olina Krecjova tha se megjithëse sovjetikët po plaçkitin ekonominë çekosllovake dhe po imponojnë vlerat e tyre politike dhe kulturore, klasa punëtore dhe patriotët në Çekosllovaki po gjejnë metoda të reja për të paralizuar influenca të tilla. Si provë ajo iu referua faktit se një e pesta e komitetit qendror në Çekosllovaki është arrestuar dhe se numri i të dyshuarve politikë po rritet dita ditës, aq sa autoritetet nuk guxojnë më të marrin të tjera masa ndaj anëtarëve të arrestuar të partisë. Delegati bullgar deklaroi se edhe populli bullgar e dëshiron lirinë dhe nuk do të dorëzohet para despotizmit të Moskës, si dhe shtoi se rezistenca po rritet dita-ditës.

Delegati hungarez diskutoi për nënshtrimin ekonomik të vendit të tij ndaj BRSS, duke thënë se të gjitha fabrikat, minierat apo anijet dhe çdo gjë tjetër që prodhohen nga punëtorët hungarezë, dërgohen në Bashkimin Sovjetik. Pas protestave të fermerëve dhe punëtorëve kundër politikave të Rakosit, 1070 familje u shpërngulën me forcë nga Budapesti brenda një nate, ndërsa burgjet dhe kampet e përqendrimit ishin të mbushur me patriotë. Stanoi Eremia, presidenti shoqatës së refugjatëve rumunë, dha urimet e tij për konferencën dhe vlerësoi qëllimet e saj. Nga autoritetet jugosllave spikati fjalimi i anëtarit të komitetit qendror jugosllav Dushan Mugosha, i cili bashkë me Miladin Popoviç ka ndihmuar në krijimin e partisë komuniste shqiptare dhe organizmin e luftës çlirimtare atje. Ai paralajmëroi se fashizmi italian po kërkon të rikthehet në Shqipëri pro Jugosllavia mike nuk do të lejojë që Roma të kompromentojë qëllimet e respektueshme të Beogradit.

Konkluzione

Në përfundim të saj konferenca zgjodhi në mënyrë unanime një komitet të ri drejtues dhe pranoi vendime në lidhje me punën e tij të ardhshme. Si detyrë e tij më e rëndësishme shoqata u zotua të luftojë me të gjithë fuqinë për paqen botërore, si dhe u zotua që të punojë me emigrantët edukimin e tyre kulturor dhe politik mbi socializmin e vërtetë. Shoqata do të punojë gjithashtu për refuzimin e çdo ofendimi ose provokim ndaj Jugosllavisë nga blloku sovjetik apo perëndimi, dhe për afrimin e lidhjeve mes Shqipërisë e Jugosllavisë.

Gazetat sovjetike diskutojnë për minoritetin shqiptar në Jugosllavi

Dy gazeta të vendeve satelite prezantuan një panoramë krejt ndryshe të komunitetit shqiptar në Jugosllavi. Sipas “Viata Sindicala” të Bukureshtit rreth 800 000 shqiptarët në Jugosllavi jetojnë të persekutuar. Mes tyre rreth gjysma e shqiptarëve në Kosovë janë arrestuar shpërngulur ose janë zhdukur në mënyrë misterioze prej aktiviteteve të UDB. Gazeta anti-Tito “Nova Borba” organ i refugjatëve politikë jugosllavë në Çekosllovaki, raporton sa më poshtë për shqiptarët në Jugosllavi: Pozita e minoriteteve kombëtare në Jugosllavi është shumë e vështirë, ku vendin më të keq mes tyre e mban minoriteti kombëtar shqiptar. Titistët po kryejnë sot vrasje masive mes minoritetit shqiptar, shumica e të cilëve janë terrorizuar, nuk kanë të drejta politike dhe ekonomike dhe janë objekt persekutimi fizik e kombëtar. Titistët mbështeten te bejlerët, agallarët dhe borgjezët shqiptarë për të kontrolluar masat shqiptare në Kosovë, të cilët edhe nuk i kanë më titujt e tyre kanë ruajtur statusin e tyre të mëparshëm ekonomik dhe i përdorin fshatarët si skllevër pa të drejta, për të punuar tokat e tyre.

Fshatarët e varfër detyrohen nga UDB të punojnë në kushtet më të vështira në minierat e Trepçës, në pyje ose në instilacionet strategjike, ku ata shpeshherë ezaurhen dhe vdesin. Për të kryer punën e saj të përgjakshme në Kosovë, UDB përdor elementët më të degjeneruar Xhavit Nimani, Fadil Hoxhi, Ismet Sahiri, Mehmet Hoxhi dhe kriminelë e tradhtarë të tjerë që kanë qenë agjentë të Himmler gjatë kohës së pushtimit gjerman. Titistët kanë vrarë shumë njerëz të pafajshëm por jo këta kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët në 1944 kanë vrarë 300 shqiptarë të brigadës së 4-rt të Maqedonisë, në rrugën nga Prizreni drejt Ulqinit. Rreth dymijë të rinj shqiptarë në ushtrinë jugosllave janë detyruar të bëjnë punë të rëndë në Gorica e Trieste. Bandat e Titos kanë ekzekutuar të gjithë shqiptarët që u zotuan për vëllazëri me shqiptarët, siç ishte zyrtari jugosllav Miladin Popoviç, mik i njohur i minoritetit shqiptar dhe funksionar i lartë i partisë. Që prej zbulimit të tradhtisë së bandës fashiste të Titos në 1948, regjimi i Beogradit e ka kthyer urrejtjen e ti kundër shqiptarëve që banojnë në Kosovë.

Arrestimet, vrasjet dhe abuzimet me shqiptarët janë ndodhi të përditshme. Mes viktimave të panumërta të terrorit fashist të Titos është Mirtez Kacatori, anëtar i komitetit të të rinjve maqedonas, Isuf Terezi anëtar i komitetit të partisë në Dibër, Saligasi, anëtar i komitetit të partisë në Strugë, kapiten Shefqet Fetahu i ushtrisë jugosllave, Asim Cazini anëtar i Këshilti Populor në Bar, Sabri Daci, prokuror në Prishtinë, Beqir Sahalin, ish-partizan, dhe ISmail Cena anëtar i Komisionit të Kontrollit në Junik. Shkatërrime masive të fshatrave të tëra në Kosovë janë kryer nga UDB, të cilët nuk kanë kursyer as gratë e fëmijët. Ata kanë masakruar 2000 shqiptarë në Mitrovicë dhe 1000 në Gjilan.

Kohët e fundit fshati Konor pranë Dibrës është djegur nga forcat e UDB ku u vranë burra gra fëmijë e ç’do gjë e gjallë. Regjimi i Titos po bën një fushatë të ashpër për ndarjen e shqiptarëve në Jugosllavi nga atdheu i tyre. As shkollat elementare shqiptare nuk janë lejuar të hapen dhe shqiptarëve u ndalohet të flasin në gjuhën e tyre. Fisnikët agallarë dhe priftërinjtë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë veten më shumë turq sesa shqiptarë dhe janë të orientuar nga Stambolli, mbrojnë politikat e Titos dhe marrim pension prej qeverisë për të shtypur ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve, për turqizimin dhe përçarjen e tyre me Shqipërinë.

30 qershor 1953

Plani i veprimeve agresive të operacionit

Në rrethana ideale objektivi i operacionit është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke parashtruar veprimet për t’u ndjekur para grushtit të shtetit, ne supozojmë se Greqia, Jugosllavia e Italia do të mbajnë një qasje bashkëpunuese dhe do të pranojnë të mos ndërhyjnë në Shqipëri, përveç rasteve kur u kërkohet asistencë. Në këto kushte rekomandimet tona do të ishin: Zgjerimi i menjëhershëm i Komitetit Shqipëria e Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike të emigrantëve shqiptarë, veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës. Printimi i kartëmonedhave lek për furnizimin e agjentëve. Prokurimi i menjëhershëm i 5 nëndetëseve për të vendosur bllokadë të plotë të transporteve detare nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të kenë shenja dalluese si amerikane, por si mjete pirate pa flamur, dhe me ekuipazh vullnetarësh pa dokumente. Ato do të veprojnë nga Italia e Greqia, vende të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e bllokadës duke ndaluar tregtinë me Shqipërinë.

Rekrutimi dhe stërvitja e 1000 deri në 1500 shqiptarëve si forcë goditëse në kohën e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë në Shqipëri nga Greqia e Italia, si dhe me mjete amfibe nga deti. Më tej në 1954 do të zhvillohen rekrutimet dhe infiltrimet sapo ta lejojë moti. Ekspertët tanë parashikojnë nisjen e aktiviteteve të rezistencës dhe të krijimit të një bërthame të stërvitur e cila të organizojë popullatën. Këta ekspertë do të veprojnë kryesisht në zonën e veriut ku tashmë ekziston një fillesë strukture rezistence. Ata do të furnizohen nga ajri me armë, municione e ushqime për revoltën. Ushqimi duhet të kihet parasysh në mënyrë që forcat e rezistencës të mos vuajnë nga bllokada ekonomike që pritet të vendoset mbi vendin. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë dhe Paris, dhe të njoftohet me mjetet e propagandës klandestine se ata kanë dezertuar. Programi i fletushkave dhe transmetimeve radio të intensifikohet me komente gjithnjë e më të ndezura dhe referenca ndaj ditës së revoltës. Për të paktën dy muaj para grushtit të shtetit fletushkat të lëshohen çdo javë.

Të infiltrohet në Shqipëri me mjetet më të sigurta, një agjent i nivelit të lartë amerikan me autorizim për të kontaktuar me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilëve do t’i ofrojë deri në 500 000 dollarë dhe siguri për të ardhmen, në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshijë urdhrat për ushtrinë dhe sigurimit për të ulur armët në momentin e duhur. Transmetimet radio nga udhëheqësit e emigracionit të nxisin ndjekësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për të drejtuar kryengritjen në ditën e caktuar. Deri në gusht 1954, veprimet e koordinuara të forcave të rezistencës dhe të forcës goditëse duhet të rezultojnë në përmbysjen e suksesshme të pushtetit komunist dhe vendosjen në fuqi të një qeverie të përkohshme të pranueshme sipas kujdesit të OKB. Gjatë këtij revolucioni forcat e stërvitura të rreth 4000 shqiptarëve që pretendohet se ekzistojnë në Greqi dhe Jugosllavi, së bashku me njësi të ushtrive greke e jugosllave, të qëndrojnë në gatishmëri në rast nevoje.

Pas suksesit të operacionit ushtritë e huaja duhet të tërhiqen menjëherë jashtë kufijve të Shqipërisë. Flota e Gjashtë amerikane do të angazhohet në manovra në detin Jon dhe Adriatik duke asistuar në zbarkimet e mjeteve amfibe dhe duke ndihmuar revolucionarët nëse është nevoja. Flota nuk duhet të marrë një rol aktiv, përveç rastit kur thirret për ta bërë. Ajo do të mbetet në zonë për disa javë për të dekurajuar veprime hakmarrëse nga Bashkimi Sovjetik ose satelitët e tij. Më tej Shqipëria do të procedojë me zgjedhjen e qeverisë demokratike. Megjithëse disa nga rekomandimet e paragrafëve të mësipërm nuk janë thelbësorë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, dashamirësia e qeverive jugosllave, italiane e greke janë të domosdoshme.

Dossier Apostol Tenefi CIA