CIA kontribut të paçmueshëm në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, si dështuan 5 tentativat e operacionit britaniko-amerikan

CIA kontribut të paçmueshëm në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, si dështuan 5 tentativat e operacionit britaniko-amerikan

Në vitet ’50 CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Agjencia Qendrore e Zbulimit Amerikan në atë kohë e zgjeroi rolin e saj me disa operacione, ku ishte edhe ai i bashkëpunimit me Britaninë, i cili u quajt BGFriend-Valuable. 



Shqipëria po ashtu ishte nën varësi të Bashkimit Sovjetik, por nga ana fizike ishte e izoluar. Arsyet pse SHBA-Britani nuk dëshironin një Shqipëri komuniste si ajo e Enver Hoxhës, renditen më poshtë, në materialet e deklasifikuara të CIA.

6 dhjetor 1949

Memorandum

Është rënë dakord mes shërbimeve britanike dhe amerikane për një riekzaminim të statusit, objektivave dhe zbatimit të operacionit të përbashkët shqiptar BGFiend-Valuable. Siç ishte konceptuar paraprakisht, operacioni i ka arritur objektivat e tij minimale të krijimit të konfliktit të brendshëm në Shqipëri aq sa për të reduktuar aftësinë materiale dhe politike të mbështetjes shqiptare për guerrilasit komunistë grekë. Objektivi i tij maksimal është përmbysja e regjimit Hoxha, i cili konsiderohet i dëshirueshëm për arsye se do të eliminonte tërësisht Shqipërinë si një bazë për guerilasit grekë. Kjo gjithashtu do të mohonte Bashkimin Sovjetik, baza ajrore, detare dhe tokësore në zonën e Mesdheut, dhe do të shërbente si një stimul i rëndësishëm psikologjik për vende të tjera evropiano-lindore, për të çrrënjosur diktaturat komuniste.

Që prej nisjes së operacioneve dhe formulimit origjinal të objektivave, kanë ndodhur dy ndryshime të rëndësishme me ndikim në operacionet. I pari, për momentin, është ndalimi i luftës guerile në Greqi, dhe i dyti është intensifikimi i presionit të vendeve sovjetike mbi regjimin e Titos, të shoqëruara këto me ndryshimin e politikave anglo-amerikane në lidhje me Jugosllavinë, me qëllim ruajtjen e saj si një pengesë të ekspansionit sovjetik në Evropë. Gjithashtu ekzistenca e operacionit dhe interesi anglo-amerikan janë bërë të njohura gjerësisht.

Sigurisht që ndryshimet prekin objektivat e mësipërme dhe e sjellin Shqipërinë në një fokus të ri, pasi e ardhmja e saj është e lidhur në mënyrë të pandashme me atë të Jugosllavisë e Greqisë. Faktorët e rinj krijojnë rreziqe të reja, veçanërisht mundësinë e zgjerimit të njohurive mbi operacionin dhe konceptet e tij origjinale, të cilat do të sillnin konflikte me Greqinë e Jugosllavinë, e mundësisht dhe me Francën, për natyrën e regjimit që do të vendoset më tej në Shqipëri, në rast të arritjes së objektivit maksimal të operacionit. Sipas ”SOT” në varësi të zhvillimit të politikave dhe regjimit që do të zëvendësojë atë të Hoxhës, SHBA dhe Britania nuk kanë ende një program për të prezantuar vendeve të tjera të interesuara, që të minimizojë konflikte të tilla.

Aktualisht ne kemi Komitetin e Shqipërisë së Lirë, i cili deri tani nuk është përfshirë në veprime në dobi të operacioneve klandestine. Njoftimi i formimit të tij u bë në gusht 1949 dhe ekzistenca e tij vazhdon të jetë faktor me rëndësi në publikun shqiptar.

Gjashtë muajt e fundit britanikët kanë stërvitur dhe infiltruar në jug të Shqipërisë gjashtë grupe agjentësh, refugjatë shqiptarë me objektiva mbledhjen e informacioneve për kushtet në Shqipëri, me synim orientimin e veprimeve të ardhshme. Rezultatet e këtyre operacioneve të zbulimit sugjerojnë se vazhdimi i infiltrimit të agjentëve veçanërisht në zonat qendrore e jugore, do të ketë sukses sa i përket mbijetesës së tyre, informacioneve të zbulimit dhe veprimit politik.

Në lidhje me sa më sipër, rekomandohet që objektivat dhe veprimet e mëtejshme të marrin në konsideratë zhvillimet e reja. Deri tani ne kemi kryer një sërë operacionesh të kufizuara zbulimi me qëllim zbulimin e mundësive për të prishur dominimin e regjimit sovjetik. Aktivitetet tona duhet të kryhen në mënyrë të tillë që të aftësojnë shfrytëzimin në avantazhin tonë të situatës së re të krijuar mes Titos dhe vendeve sovjetike të Cominform.

Qëllimi ynë kryesor në lidhje me Shqipërinë duhet të jetë krijimi dhe ruajtja, si brenda dhe jashtë Shqipërisë e kapaciteteve të manovrimit për situatat në ndryshim. Veprimi në Shqipëri duhet të ketë si objektiv dobësimin dhe eliminimin e dobisë së Shqipërisë për bllokun e Cominform, veçanërisht përdorin e saj si një bazë për veprim kundër Jugosllavisë. Operacionet e ardhshme duhet të kryhen në mënyrë të tillë që të japin përshtypjen se po kryhen për qëllime inteligjence ose të mbledhjes së informacionit mbi shkeljet e të drejtave të njeriut nga qeveria shqiptare.

Ne duhet të vazhdojmë të shtyjmë në skenën politike shqiptare Komitetin Shqipëria e Lirë, si një pikë bashkimi e opozicionit ndaj qeverisë Hoxha, dhe si një front propagande për aktivitetet operacionale. Ne duhet menjëherë të fillojmë aktivitetet e propagandës në të gjitha kanalet, duke përfshirë agjentët tanë në Shqipëri, transmetimet klandestine radio në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, lëshimet e fletushkave, përhapjen e lajmeve të rreme.

Duhet të nisë gjithashtu veprimi në fushën ekonomike për të përkeqësuar akoma më shumë kushtet dhe situatën ekonomike në vend, dhe rrjedhimisht të dobësojmë kapjen e popullit shqiptar nga qeveria e gjithashtu aftësinë e tyre për të kryer operacione në vendet fqinje. Operacione të tilla përfshijnë kufizimin e ardhjes së furnizimeve në Shqipëri nga jashtë, i mbështetur nga lufta psikologjike me objektiv përkeqësimin e gjendjes së brendshme ekonomike. Në kushtet e përshtatshme të sigurisë, ne duhet të rekrutojmë një forcë të vogël rezervistësh shqiptarë nga masa e refugjatëve, për përdorim të vazhdueshëm nëse bëhet e nevojshme.

Gjithashtu duhet të heqim dorë nga koncepti i “forcës me impakt të shpejtë” për krijimin e rezistencës e përmbysjen e regjimit. Infiltrimet e agjentëve në Shqipëri duhet të vazhdojnë, veçanërisht në rajonet qendrore e veriore, me qëllim kryesor mbledhjen e informacioneve dhe vendosjen e kontakteve në vend, me qëllim shfrytëzimin e situatës në Shqipëri në rast zhvillimesh të ardhshme.

Personeli për këtë aktivitet të merret nga forca rezerviste e përmendur më sipër. Nga eksperienca e deritanishme, veçanërisht në lidhje me vendndodhjen e bazave sigurinë operacionale, rekomandohet të kemi parasysh kujdesin mbi pjesëmarrjen e qeverive të tjera. Në këto operacione mund të kemi nevojë për bashkëpunimin teknik të shërbimeve italiane, franceze e greke.

Qershor 1951

Gjatë tremujorit të dytë të 1951 në operacionin BGfriend është bërë progresi i mëposhtëm se secilën kategori të programit: Operacione subversive paramilitare. Nga letrat e fundit të të mbijetuarve të tre grupeve të infiltruara në Shqipëri në nëntor 1950, mësohet se ata janë ende aktivë në kufirin Shqipëri-Jugosllavi. Më 18/19 maj, pas një serish tentativash të pasuksesshme prej kushteve të këqija të motit, një grup furnizues me dy persona u arrit të lëshohej në zonën e Kukësit, dhe shpresojmë se këto përforcime të mund të kontaktojnë me grupin origjinal.

Një nga anëtarët e grupit të Dibrës gjithashtu mbetet në kontakt me letra nga Jugosllavia, por ai raporton se grupi është shpërndarë dhe nuk më aktiv, ndërsa vetë ai mbetet operativi i vetëm. Letrat e marra deri tani tregojnë një reagim pozitiv nga ana e popullit shqiptar drejt Komitetit Shqipëria e Lirë, duke konfirmuar raportimet se propaganda jonë po reflektohet në moralin e popullit shqiptar. Agjentët raportojnë dashamirësi nga popullatat lokale si dhe gatishmëri për të dhënë rekrutë të rinj.

Në lidhje me këtë, Komiteti Shqipëria e Lirë ka marrë në maj një ofertë nga një kapiten i ushtrisë shqiptare, i cili propozonte të dezertonte së bashku me 60 njerëz për t’u bashkuar me Komitetin Shqipëria e Lirë, por ne e kemi inkurajuar kapitenin të qëndrojë në Shqipëri ku shërbimet e tij për Komitetin mund të jenë më shumë të vlefshme. Agjentët raportues kanë marrë pjesë në trazirat e pranverës, të cilat sollën kundërpërgjigjen e Brigadave të Ndjekjes së Mehmet Shehut.

Tentativa e pestë dhe e fundit u bë në natën e 6/7 qershorit për të kontaktuar me radio me grupin furnizues prej dy vetësh, të infiltruar në 18 maj, por dështoi. Nuk janë programuar tentativa të tjera, pasi edhe më parë radiot Motorola edhe më parë kishte pak shpresa se do të funksiononin si mjet komunikimi.

Të infiltruarve të rinj do t’u jepen radio UCR4 për komunikim tokë-ajër, me të cilat do të nisë komunikimi sapo të infiltrohen në shtator operatorët shqiptarë që tashmë janë në trajnim. Më 18/19 qershor tentativa për të furnizuar grupin dy-vetësh dështoi prej paaftësisë për të vendosur kontakte me anë të mjeteve të rëna dakord paraprakisht.

Një natë më vonë tentativa dështoi prej sinjalit të pasaktë të zjarrit në terren, që me shumë gjasa ishte vendosur jokorrektësisht nga grupi. Një tjetër tentativë është programuar për në korrik. Avioni sekret i OPC u përdor përsëri më 23 qershor për të infiltruar 60 agjentë në zonën e Peqinit.

Aktivitetet e propagandës

Në zbatim të udhëzimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e programit të fletushkave në Shqipëri për tre-mujorin e dytë të 1951, nuk janë kryer operacione të tilla. Por gjatë misionit të furnizimit më 18/19 maj dhe gjatë lëshimit të 23 qershorit është dhënë leje për lëshimin e disa mijëra fletushkave si masë kamuflazhi gjatë lëshimit të agjentëve.

Disa nga fletushkat që ishin hartuar posaçërisht për ngjarjen e bombës në ambasadën sovjetike në shkurt, u përdorën në lëshimet e kamuflazhit. Një fletushkë me karikatura, me titull “Qeveria jonë mbaj një takim” është hartuar në qershor dhe është dërguar në Athinë. Duke marrë parasysh numrin e madh të fletushkave që janë grumbulluar në Athinë në pritje për t’u lëshuar (2 500 000), pas tërheqjes së masë-ndalimit nuk do të punohet për tekste të reja, por do të vazhdojmë të punojmë me materialin që kemi.

Grupi prej dy personazh i infiltruar në maj kishte me vete materiale propagande për t’u përdorur me postë. Për arsye të vështirësive teknike mjeti detar i transmetimeve radio nuk ka hyrë në veprim në qershor, siç ishte planifikuar. Shpresojmë që në korrik transmetimet nga Adriatiku të nisin me sukses. Komiteti ynë Kombëtar Shqipëria e Lirë ka vazhduar me sukses publikimin e gazetës së tij Shqipëria. Pesë mijë kopje të saj janë shtypur në format të vogël dhe po përgatiten të shpërndahen.

Po punohet për përmirësimin e formatit dhe përmbajtjes së saj. BGFiend po bashkëpunon ngushtë me Radio Evropa e Lirë, e cila ka nisur transmetimet në shqip më 1 qershor 1951. Janë bërë marrëveshje për vazhdimin e këmbimit të informacionit mes REL dhe OPC.

Aktiviteti politik

Më 24 maj 1951 këshilli drejtues i Komitetit Shqipëria e Lirë (KSHL) mori direktiva për zgjerimin e përfaqësimit të tij nga komuniteti shqiptar i diasporës. Megjithëse tre anëtarët e këshillit rezidentë në Nju Jork (Hasan Dosti, Said Kryeziu e Nuçi Kota) shprehën pranim të plotë në parim të udhëzimeve, kryetari Dosti i Ballit Kombëtar, kërkoi një shtyrje të procedurës për t’u konsultuar me partinë e tij në Romë.

Kështu që takimi i programuar për votën më 15 qershor, u shty për të lejuar kohën e konsultimeve mes përfaqësuesve shqiptarë, përfaqësuesve të OPC dhe britanikëve, për zgjerimin e Komitetit. Kemi organizuar gjithashtu një udhëtim për Zotin Kryeziu në SHBA me qëllim rritjen e prestigjit të tij mes refugjatëve shqiptarë, si dhe për zotin Kota. Po marrin gjithashtu në konsideratë sugjerimin e Dostit për të ftuar në SHBA Abaz Kupin dhe Zef Palin për zgjerimin e votës së komitetit. Mbreti shqiptar Zog gjithashtu ka planifikuar një udhëtim jo-politik në SHBA në korrik, me sa thuhet për vendosjen e rezidencë private të përhershme në SHBA.

Formimi i lidhjes së refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi në muajin maj, mund të përfaqësojë një kërcënim të mundshëm për Komitetin, dhe po mbahet në mbikëqyrje të afërt. Lidhja jugosllave raportohet se ka 3 deri në 5 mijë refugjatë luftëtarë, të organizuar në formacione militante, dhe sipas raportimeve të fundit, ka rreth 100 agjentë brenda Shqipërisë. Ndër hapat për të neutralizuar këtë kërcënim, ne kemi udhëzuar Komitetin tonë Shqipëria e Lirë të reagojë me skepticizëm ndaj deklaratave të Lidhjes së Prizrenit, e cila thotë se kërkon një “Shqipëri të lirë, të pavarur e republikane”, por pa hyrë në polemika me organizatën rivale.

Mundësia e takimit mes Abaz Kupit dhe kreut të ligës jugosllave Nik Sokoli, po merret në konsideratë, kryesisht në këndvështrimin e hedhjes së dritës mbi qëllimet e vërteta të Ligës jugosllave dhe ndoshta për hapjen rrugë të një bashkëpunimi të kufizuar mes të dyjave. Megjithëse një bashkëpunim i tillë me jugosllavët do të kishte avantazhe të dukshme, kjo mund të sjellë marrjen e dominimit të lëvizjes çlirimtare të Shqipërisë nga pala jugosllave, prandaj duhet treguar kujdes i veçantë.

Me kërkesën e OPC, Departamenti i Shtetit ka udhëzuar ambasadorin Allen në Beograd të përcaktojë objektivat dhe mospërputhjet në qëllimet e tyre, në lidhje me frikën nga ndërhyrja e mundshme e Bashkimit Sovjetik, dhe aktivitetin e tyre të zgjeruar klandestin nga ana tjetër. Presim që për momentin regjimi jugosllav të vazhdojë aktivitetet e tij subversive dhe të spiunazhit, pa tentuar përmbysjen e regjimit të Hoxhës, sikur thjesht si kundërpeshë ndaj aktivitetit të Komitetit tonë Shqipëria e Lirë. Ky zhvillim bën të nevojshëm fuqizimin e mëtejshëm të Komitetit Shqipëria e Lirë, me mbështetjen e OPC.

Lufta ekonomike

Ndërhyrjet me kalimet e mallrave për në Shqipëri nga vendet satelite evropiano-lindore nuk kanë nisur pasi kërkojnë ngritjen e një njësie të veçantë të OPC. Gjatë muajit prill, grupet e CIA në terren kanë analizuar rreth 200 njerëz në kompaninë shqiptare të Gardës në Gjermani dhe kanë rekrutuar 66 prej tyre bazuar në aftësitë për t’u infiltruar si agjentë.

Në maj grupi i vlerësimit vizitoi kampin e refugjatëve shqiptarë në Lavrion të Greqisë dhe zgjodhi 63 kandidatë të mundshëm për rekrutë. Gjatë majit një listë kandidatësh për kursin e ardhshëm të trajnimit u aprovua nga Komiteti Shqipëria e Lirë, por stërvitja u shty prej prezencës së rekrutëve bullgarë në qendrën e trajnimit.

Prej 11 qershorit 16 shqiptarë po stërviten për luftë guerile në shkollën sekrete të CIA-s në Gjermani. Pas kompletimit të trajnimit, që pritet të ndodhë në 12 korrik, agjentët do të zhvendosen në Greqi. 14 shqiptarë aktualisht po stërviten për transmetimet radio, për operacionet e fundit të verës.